Luftëtari firmos me një sulmues, në stërvitje edhe 3 ish-bluzi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 15, 2023 | 20:05

Luftëtari firmos me një sulmues, në stërvitje edhe 3 ish-bluzi

Xhuljano Mirani është afrimi i parë i Luftëtarit në merkaton e verës. Lajmin e ka konfirmuar për “Panorama Sport” vetë sulmuesi. 30- vjeçari me origjinë nga Memaliaj vjen pas një sezoni pozitiv me Labërinë në Kategorinë e Dytë. Ai do të veshë fanellën bluzi për sezonin 2023-2024.

Mirani

“Objektivi Luftëtarit për t’u ngjitur mes më të mirëve në futbollin shqiptar më motivoi për të veshur fanellën bluzi. Të jesh pjesë e Luftëtarit do të thotë shumë përgjegjësi dhe përkushtim në çdo seancë stërvitore. E njoh mirë ambientin dhe kjo është një arsye më shumë për të dhënë më të mirën e mundshme në rolin tim si sulmues”, ka thënë Mirani për gazetën. Në kampionatin e kaluar ai shënoi 5 gola me Labërinë si sulmues krahu, ndërsa u bë protagonist i shumë asisteve.

Luftetari Stervitje

PËRGATITJET – Që prej datës 2 gusht, bluzinjtë vijojnë përgatitet për sezonin e ri futbollistik nën drejtimin e trajnerit Edmond Dalipi, si dhe ndihmësve të tij Arben Çoni dhe Dritan Kristidhi. Pjesë e përgatitjeve verore së fundmi në radhët e bluzinjve janë edhe mesfushorët Alvi Ahmetaj dhe Theodhori Puci, por që nuk mund të thuhet asgjë konkrete për vazhdimësinë e tyre në radhët e bluzinjve.

Edhe portieri Sadik Basha, që ishte pjesë e Egnatias në sezonin e fundit, është një tjetër emër i njohur që ka nisur stërvitjen me Luftëtarin. Aktualisht trajneri Dalipi ka në dispozicion një grup prej 22 lojtarësh, por në ditët e ardhshme pritet të ketë të tjera afrime.

TOMOR SHEHU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"