Kategoria e Parë / Kamza dhe Lushnja përsëri nuk njohin rivalë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2016 | 14:34

Kategoria e Parë / Kamza dhe Lushnja përsëri nuk njohin rivalë

Kamza dhe Lushnja kanë vazhduar marshimin e tyre drejt Kategorisë Superiore duke regjistruar fitoren e 5-të radhazi në Kategorinë e Parë në po aq ndeshje të luajtura. Të dy skuadrat kryesojnë me pikë të plota grupin përkatës dhe duket se kanë diferencë të thellë ndaj rivalëve të tyre.

Kamzalinjtë e drejtuar nga Bledar Devolli kanë dominuar me lehtësi ndeshjen në fushën e Mamurrasit duke e zgjidhur që në pjesën e parë me anë të Rezit, autor i dy golave. Në ndjekje të tyre tani janë vetëm lezhjanët e Besëlidhjes, të cilët falë golit në shtesë të Bajiç kanë arritur të mbajnë ritmin e kryesuesve në Grupin A. Ndërkaq, një hap i gabuar ka qenë ai i Burrelit, skuadrës që deri në këtë javë ishte rreshtuar mes pretendentëve, pasi është mposhtur nga Erzeni me shifrat 1-0.

Kastrioti-beselidhja

Në Grupin B, fitorja e Lushnjës ndaj Shkumbinit ka ardhur mes polemikave, pas një penalltie në minutat e fundit të takimit. Pas vendimit të gjyqtarit Kaimi, protestat e lojtarëve dhe stafit të skuadrës peqinase kanë detyruar edhe forcat e rendit të hyjnë në fushë për të qetësuar situatën. Pas rreth 5 minutave ndërprerje të ndeshjes, Canka ka ekzekutuar saktësisht nga pika e bardhë për t’i dhënë avantazhin skuadrës së tij. Fitorja e 5-të radhazi është vulosur nga sulmuesi në shtesën e ndeshjes, me golin e dytë i cili i ka krijuar një distancë sigurie me të gjitha ekipet ndjekëse të skuadrës së drejtuar nga Artan Bano.

Kamza Erzeni

Ndeshjet

Grupi A

Kastrioti-Besëlidhja 0-1

90′ +2′ Bajic

Besa-Iliria 1-0

45′ Hasa

Tërbuni-Shënkolli 0-0

Erzeni-Burreli 1-0

3′ (p) Kalluci

Mamurrasi-Kamza  1-2

90’+3′ Luzi / 4′, 36′ Rezi

Renditja: Kamza 15 pikë, Besëlidhja 13, Burreli 10, Shënkolli 7, Erzeni 7, Kastrioti 4, Besa 4, Tërbuni 3, Iliria 2, Mamurrasi 2.

Grupi B

Lushnja-Shkumbini 2-0

83′ (p), 90’+4′ Canka

Bylis-Elbasani 0-0

Apolonia-Turbina 1-1

24′ Kondakçiu / 44′ (p) Roshi

Pogradeci-Tomori 0-0

Renditja: Lushnja 15 pikë, Tomori 8, Bylis 8, Turbina 7, Dinamo 6, Shkumbini 6, Pogradeci 5, Apolonia 5, Elbasani 5, Sopoti 2.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"