Legjendat e Dinamos, si u vidhnin biçikletat dhe flisnin greqisht në fushë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 28, 2014 | 12:16

Legjendat e Dinamos, si u vidhnin biçikletat dhe flisnin greqisht në fushë

[portfolio_slideshow]

Nga UVIL ZAJMI
Cilat kanë qenë dy treshet e mrekullive? Nga er dhën, si u bashkuan Zëri-Ballgjini-Përnaska, apo Minga, Kola e Muça? Spektakël, gola, trofe, nga vetëpezullimi dhe skualifikimi europian që ndëshkoi treshen dinamovite, te fundi sportiv i saj. Çfarë bëjnë, ku janë sot ata që dhuruan magji në fushën e lojës?
Dinamo, rastësia historike e viteve 70’
“Dinamo” e dhjetëvjeçarit ‘70- ’80 ka qenë e jashtëzakonshme, spektakolare. Ajo u krijua pas viteve ‘70 dhe ishte një kombinim i paparë me të kaluarën e klubit. Gjithçka e rastësishme që e solli koha dhe momenti. Një harmonizim i disa komponentëve të domosdoshëm e kryesorë të futbollit: forca fizike dhe fantazia që prodhonin spektakël të garantuar, i shoqëruar me gola dhe trofe. Fillimisht ishte Ilir Përnaska, pas tij erdhi Vasillaq Zëri dhe i treti Shyqyri Ballgjini. Të tre thuajse në një moshë (me diferencë të vogël), të tre vinin nga spartakiadat e pionierëve, madje Përnaska dhe Zëri nga kryeqyteti, ndërsa Ballgjni nga Durrësi. Dinamo bazohej te loja e treshes, ku tipar kryesor ishte shpejtësia e kundërsulmit (larg akademizmit tradicional dinamovit), me shpërthimet e Ballgjinit dhe fantazisë e driblimet spektakolare të Zërit, për të konkluduar te Përnaska, i aftë të realizonte në tokë dhe në ajër. E njihnin deri në detaje lojën midis tyre, lëviznin, pasonin pa e parë njëri-tjetrin dhe të gjithë shënonin në mënyrë sistematike. Treshja dinamovite i takon dhjetëvjeçarit ‘70- ‘80 dhe te kjo skuadër e pamposhtur e atyre viteve gjithçka zgjidhej nga veprimet e manovrimet e Zërit, Ballgjinit e Përnaskës. Dinamo e fillonte lojën thuajse 1-0, fitonte me shifra të thella dhe skuadrat dorëzoheshin lehtësisht para saj. Lojë e vrullshme e treshes, një kundërsulm vrasës, gola nga të gjitha mënyrat. Për vite komanduan renditjen pa rivalë në Shqipëri, por i mungoi pjesëmarrja europiane, kur FSHF pas një humbjeje 4-1 me “Olimpiken” e Rumanisë në Tiranë, njoftoi UEFA-n dhe FIFA-n, për një vetëpezullim, pas të cilit erdhi edhe skualifikimi zyrtar trevjeçar (1973-76), i tyre për futbollin shqiptar me klube e përfaqësuese (i treti në historinë tonë, pas periudhave 1953-1957 dhe 1958- 1963).
Përnaska-Zëri-Ballgjini, surpriza e madhe e kohës!
Kanë ndëshkuar çdo mbrojtje që kanë pasur përballë dhe askush nuk ka mundur t’i frenojë në mesvitet ’70, kur trioja ka edhe kulmin e saj. Fillimisht te Dinamo e Skënder Jarecit gjejmë vetëm Përnaskën. Zëri dhe, pas një viti, Ballgjini do të kompletojnë Dinamon, që ka trajner Durim Shehun (nuk jeton më). Tre vjet nën drejtimin e tij u fitua gjithçka: kampionate e kupa. Pastaj skuadra u drejtua nga Peqini e Lubonja, por cikli trevjeçar i Durim Shehut është i papërsëritshëm. Katër herë kampionë së bashku dhe tri herë fitues të Kupës së Shqipërisë. Gjatë një dekade, të tre në fushë, kanë regjistruar mbi 400 ndeshje (aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare), duke shënuar mbi 300 gola në total. Nuk patën fatin të tregonin aftësitë e tyre jashtë Shqipërisë në vitet ‘73-‘76 me klube e kombëtare. Me kombëtaren vetëm një herë kanë luajtur bashkë: miqësore në Tiranë, 10 tetor 1976, në të parën ndeshje që luante përfaqësuesja pas pezullimit, Shqipëri-Algjeri 3-0. Të tre në fushë, Zëri, Ballgjini Përnaska, madje dy të fundit janë edhe autorët e golave.
Ilir Përnaska, i datëlindjes 1951, futbollisti simbol i Dinamos nga ku doli, e zhvilloi dhe e përfundoi karrierën e gjatë e të shkëlqyer të tij në vitet 1966 -1982. I zbuluar nga Skënder Jareci në moshën 16–vjeçare është pjesë e titullar i skuadrës së parë. Me aftësi të mëdha fizike e teknike, një shënues i papërsëritshëm, i pagabueshëm, një goleador i shkëlqyer, për gjashtë vite radhazi fitues i renditjes së golashënuesve më të mirë shqiptarë. Përdorues shumë i mirë i të dyja këmbëve, i padiskutueshëm i lojës në ajër, i aftë të shënonte kudo, në çdo moment dhe në situata shumë të vështira e momente delikate të lojës. Nuk e njihte fenomenin “fushë kundërshtare” dhe ka shënuar në të gjitha stadiumet e Shqipërisë, e kundër çdo skuadre. Luajti vetëm me Dinamon për një periudhë 15-vjeçare, duke realizuar 138 gola. Debutoi 20 vjeç, në vitin 1971 në takimin Lushnja- Dinamo 0-2, ku edhe ishte autor i dy golave, duke u shpallur shënuesi më mirë me 19 gola në atë sezon. Edhe me kombëtaren ka qenë pikë e rëndësishme referimi: 14 takime të zhvilluara dhe 6 herë shënues me fanellën e pëfaqësueses. I qëlloi periudha e “zezë” e pezullimit, me siguri do të ishte protagonist me kombëtaren dhe Dinamon në turnetë ndërkombëtarë, pasi ishin vitet e kulmit të formës së tij.
Vasillaq Zëri i datëlindjes 1952, një karrierë e filluar në moshën të re për tri vite me “Shkëndijën” (1970-1973) dhe 21 vjeç titullar me Dinamon (73/74–83/84). Produkt i shkollës së parë të futbollit, i transferuar te Dinamo, Zëri është vlerësuar si një ndër futbollistët me një arsenal unik, shumë të madh teknik, aftësi të rralla dribluese, me veprime magjike në zona të ngushta. I paparashikueshëm, një lojë plot art e fantazi. Përdorues i mirë i të dyja këmbëve, me një vizion periferik të admirueshëm, nuk ka lënë asnjë kundërshtar pa e dribluar. Një “Mesi” i vërtetë për kohën. Me numrin 9, ndaj Ajaksit në “Qemal Stafa”, ishte i pakapshëm duke i habitur holandezët, që në Amsterdam e pritën si një yll i ardhshëm i tyre. Në Shkodër, ndaj Vllaznisë në një ndeshje kupe, takimi i dytë, ka shënuar golin më spektakolar në minutën e 119-të, kur dribloi disa kundërshtarë. Gjashtë takime luajti me Kombëtaren: të parin në Tiranë, në miqësoren me Algjerinë në vitin 1976 (3-0), me trajner Boriçin dhe dy të fundit ndaj Bullgarisë, në “Qemal Stafa” (0-2) me 14 tetor 1981 dhe, në Vjenë, në sfidën e 22 shtatorit 1982, Austri-Shqipëri 5-0, kur trajneri Rreli e hodhi në fushë për të zëvendësuar Agustin Kolën. Me Kolën, Muçën e Mingën ka qenë në kombëtaren e viteve ‘81-‘82.
Shyqyri Ballgjini, i datëlindjes 1954, u evidentua në spartakiadat e famshme të të rinjve, që zhvilloheshin te Kampi i Pushimit të Pionierit (Plepa). Aty spikatet si një futbollist me të ardhme dhe nga të rinjtë kalon te skuadra e parë e Lokomotivës (69-73). Pastaj transferimi te Dinamo, i kërkuar nga trajneri S.Jareci. Ishte një rastësi dhe aspak e projektuar nga ndokush me idenë për të krijuar treshen më energjike të kohës. Te Dinamo është i fundit i ardhur, pasi gjen aty Përnaskën që kishte vite që luante, Zërin para një viti dhe në sezonin 1974-1975, treshja kompletohet me Shyqyri Ballgjinin. I panjohur në mjediset sportive kryeqytetase, shumë shpejt ai jep mesazhin se do të jetë protagonist. Me një vrapim gjigant, pa u ndaluar asnjëherë, i palodhur, me një frymëmarrje dhe mushkëri “hekuri”, i jep një impuls të madh lojës së Dinamos, dhe në veçanti asaj në krahë, duke e realizuar deri në perfeksion harmonizimin me Zërin e Përnaskën. Në vite konsolidimi i treshes do të jetë i jashtëzakonshëm. Me numrin 11, Ballgjini mbahet mend si një shpërthyes në krahun e majtë, driblues, forcë fizike dhe gola e asist për Zërin e Përnaskën. Edhe ky pati ndëshkimin e UEFA-s, duke luajtur vetëm 14 takime ndërkombëtare. Pas Dinamos, karrierën e vazhdoi me Lokomotivën si futbollist, pastaj trajner, arbitër dhe stop. Me kombëtaren luajti tri ndeshje. Të parën ndaj Algjerisë në vitin 1976, duke shënuar një gol dhe të fundit në Helsinki, Finlandë-Shqipëri 2-1, më 11 prill 1981. Një ndeshje ku luan edhe Minga.
Kur flitej greqisht në fushë
Ka ndodhur në ndeshjet e kampionatit kombëtar kur në fushë ishin të tre e, bashkë me ta, ishte edhe Andrea Marko, i sapoardhur te Dinamo. Në rastet kur topin e qarkullonte Marko, e ndërsa Përnaska ishte i pozicionuar në krahun e djathë, po kështu edhe Ballgjini në të majtën, e kërkonin me ngulm që Marko t’ia pasonte topin, sfera nuk adresohej tek asnjëri prej tyre, për te Zëri. Për një aryse “gjigante”: Duke qenë të dy minoritarë, Zëri i thërriste në greqisht Andreas me shprehjen “riksto”, “riksto” (hidhe, hidhe), duke komunikuar greqisht në fushë. Një shprehje që as Përnaska e as Ballgjini nuk e kuptonin në fillim. Gjuha e përdorur nga dyshja Zëri- Marko është treguar vite më vonë dhe ka qenë një arsye që pasonin midis tyre duke “harruar”, Ballgjinin e Përnaskën.
Kur tifozi lodhej në stadium me “ulu-ngrihu”
Tradicionalisht Dinamo nuk kishte shumë tifozë, por ata që ishin, qenë gjithmonë të pranishëm në stadium. Ndër ato mrekulli që treshja ka dhënë në fushë, disa janë të lidhura edhe me magjitë e Zërit. Kishte ndeshje kur nuk i kapej topi dhe në stadium krijohej një argëtim i jashtëzakonshëm. Aq sa një tifoz, zyrtar i Ambasadës greke, i apasionuar pas lojës së Zërit, e ndiqte gjithmonë në stadium. Fliste shqip dhe i ulur në tribunën qendrore, duke qenë se çdo driblim i Zërit shoqërohej me ulje dhe ngritje nga entuziazmi, pas ndeshjes e priste me një biçikletë në dorë dhe i thoshte: “Llaqi, ç’më ke bërë sot…! Gjithë ndeshjes ulu-çohu-ulu… Ti dribloje unë çohesha, pastaj ulesha, ti dribloje, unë në këmbë. Llaqi, kur do të vish të luash në Greqi? Do të fitosh para të madhe”, – e pyeste gjithmonë ai.
Biçikletat e vjedhura dhe futbollistët “viktima”
Ka qenë dhe mbetet e paharruar nga futbollistët e klubit historia e biçikletave. Në m ë n y r ë sistematike f u t b o l – listëve të Dinamos u vidheshin biçikletat dhe kjo zakonisht ndodh te gjatë orës së stërvitjes (Ishte mjeti i vetëm lëvizës për kohën). Zërit i patën marrë shtatë të tilla. E veçanta qëndronte në faktin se hajdutët i njihnin futbollistët dhe ishin tifozë të tyre. Dhe më tej: “profesionin” e tyre e aplikonin duke shfrytëzuar miqësinë: ia vidhnin dhe ia shisnin pikërisht atyre: futbollistëve. Rasti i referohet një fakti të paparë: Zëri kishte kohë që i kishin vjedhur dhe po kërkonte një biçikletë, kur Arjan Stafës sapo i kishin marrë një të tillë të markës kineze. Pra, si Zëri edhe Stafa ishin në kërkim të një biçiklete tjetër. Në pritje të fillimit të seancës stërvitore, në hyrje të klubit Dinamo (sot), duket Zëri me një biçikletë. Kur papritur Stafa hidhet në këmbë dhe me vrap i drejtohet Zërit: “Kjo është biçikleta ime”. I zënë në befasi, Zëri hezitoi për momentin pa kuptuar se çfarë kishte ndodhur. Vjedhësit e biçikletave ia kishin vjedhur Stafës dhe ia kishin shitur Zërit… Çfarë tregtie me futbollistët e Dinamos, që ishin “miqtë”, por edhe “viktimat” e tyre.
Dëshira e parealizuar e Zërit
Ajo që për të gjithë mbeti një ëndërr e parealizuar, ishte që nuk patën fatin të provonin e të luanin më skuadra jashtë Shqipërisë. Kush më shumë e kush më pak, në një fare mënyre kanë pasur oferta, ndonëse jo zyrtare. Por, dëshira e parealizuar e Zërit është unike: Nuk pati fatin të kishte president klubi, si këta që janë sot. Ishte koha kur mungonin dhe as që bëhej fjalë për premio, e pagesa të larta. Po të luante sot, do të ishte më i paguari: e sigurt se presidentët e sotëm të klubeve do t’i ofronin një vlerë të konsiderueshme me para për çdo gol që do të realizonte në ndeshje. Ai ishte i aftë të shënonte mjaft të tillë, pra duke marrë edhe të shumëfishuara vlerat monetare. Kur mendon pasionin dhe dëshirën e presidentëve të sotëm, për të tillë futbollistë, Zëri do të ishte i mbuluar në ar.
Fanella e Përnaskës për Demollarin
Shtator i vitit 1982, në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”, luhet ndeshja e parë e kampionatit, ndërsa ka një ngjarje të pazakontë: para takimit zhvillohet ceremonia e lënies së futbollit të Ilir Përnaskës. Fanella me nr. 7 tashmë nuk do të jetë më e tij, por vetë ai ia ka dorëzuar Sulejman Demollarit. Por edhe Demollari nuk do ta mbajë as për kujtim, pasi klubi e ka detyruar ta dorëzojë. Në vazhdim të kampionatit atë fanellë do të veshë dhe me të do të luajë sulmuesi dinamovit, Artur Çobani. Askush nuk e di se ku përfundoi më vonë ajo fanellë mitike. Me siguri është konsumuar nga përdorimi dhe, si e tillë, pasi klubi i grumbullonte, i hidhte si të pavlera, pa i dhënë rëndësinë historike që kishte.
Fundi i treshes
Është fillimi i viteve ‘80. Bashkë vazhdojnë të luajnë, por për shumë pak kohë. Pas një viti, pikërisht në sezonin ’81-‘82, Përnaska ka vendosur të largohet dhe në skuadër mbeten Ballgjini e Zëri, ndërkohë që janë afruar shumë lojtarë cilësorë, ndër të cilët veçojmë Targajn e Demollarin. I dyti që do të largohet, është Ballgjini, jo për ta lënë futbollin, por për t’u rikthyer në Durrës, te Lokomotiva. Sezoni ‘83-‘84 është i fundit edhe për Zërin. Kështu mbyllet cikli shumëvjeçar i treshes dinamovite, një epokë e shkëlqyer dhe legjendare.
Çfarë bëjnë sot Përnaska, Ballgjini e Zëri
Përnaska, i diplomuar në ILKF “Vojo Kushi”, për shumë kohë ushtroi mësuesin e edukimit fizik në shkollën “Emin Duraku”, pa u angazhuar më me futbollin, duke u shkëputur në mënyrë drastike prej tij. Nga viti 1992 jeton në Itali bashkë me gruan dhe vajzat, pa lënë asnjë trashëgimtar sportist në familje.
Ballgjini, asnjëherë mësues
I diplomuar në Fakultetin e Filologjisë, për shumë vite u angazhua me punë administrative, pa harruar klubin shumësportesh durrsak (madje filloi edhe si arbitër një periudhë kohe). Edhe pse si profesion kishte mësuesinë, asnjëherë nuk e ushtroi atë. I martuar me tri vajza, jeton e punon në Durrës. Edhe ky si Përnaska, asnjë pasues në sport.
Zëri, zyrtari i FSHF-së
I diplomuar në ILKF “Vojo Kushi”, ushtroi profesionin e mësuesit të edukimit fizik në shkollën “Xhezmi Delli”, duke qenë edhe pranë stafeve teknike të klubit “Dinamo”. I martuar, sot, punon në FSHF. Djali tentoi të bëhej futbollist, luante mbrojtës, por për pak kohë. Jeton e punon në Australi. Përnaska, Zëri, Ballgjini kanë qenë dhe do të mbeten unikë për futbollin shqiptar. Edhe pse koha e vitet kalojnë, historia dhe gjurmët që kanë lënë, na bën t’i kujtojmë si ndër personazhet më të veçanta që ka prodhuar mjedisi futbollistik, në veçanti klubi i Dinamos.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"