Largohet pas 9 vitesh nga Teuta, kapiteni Rustem Hoxha: Tani e kuptoj Rizvanin

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Qershor 2, 2017 | 12:14

Largohet pas 9 vitesh nga Teuta, kapiteni Rustem Hoxha: Tani e kuptoj Rizvanin

Në një kohë që kampionati ka përfunduar, pjesa më e madhe e lojtarëve të Teutës po largohen nga skuadra. Një prej tyre është edhe kapiteni Rustem Hoxha, i cili pas nëntë vitesh të kaluara me durrsakët ka vendosur të vazhdojë karrierën në një tjetër skuadër. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Hoxha tregon emocionet e këtij vendimi dhe të ardhmen.Rustem Hoxha

Largoheni nga Teuta pas 9 vitesh. Sa i vështirë është një vendim i tillë dhe si ndiheni?

Po, me Teutën jam aktivizuar në moshën 17-vjeçare dhe kam kaluar nëntë vite me këto ngjyra. Kam kaluar shumë momente të bukura, ashtu siç kam kaluar edhe momente që duhen harruar.

Tek ekipi i Teutës jam rritur dhe është një ndjesi që nuk e shpjegoj dot, por në futboll ka të tilla ndarje. Tani e kuptoj fjalën e kapitenit Rizvani. Kur u largua më tha: Ndiej një boshllëk. Por tashmë, çdo gjë ka përfunduar dhe unë duhet të shoh përpara.Teuta, Rizvani dhe Jakupi

Gjatë ditëve të fundit nga skuadra janë larguar pothuajse të gjithë futbollistët. Çfarë po ndodh?

Ashtu si unë, edhe lojtarë të tjerë kanë zgjedhur të vazhdojnë karrierën diku tjetër, apo edhe presidenca me trajnerin kanë plane të tjera, por nuk më takon mua të flas në lidhje me këtë çështje.

Si e komentoni paraqitjen e dobët të Teutës në këtë sezon?A mos ndoshta kjo është arsyeja e këtij revolucioni?

Në fakt, bëmë një start për t’u harruar, por e rëndësishme është që përfundimi ishte i duhuri. Ndikuan shumë faktorë, duke filluar nga ndërrimi i trajnerëve, çka solli edhe stërvitje të ndryshme në pak kohë.

Dhe, mbi të gjitha, ishim po ne që ndoshta nuk u angazhuam sa duhet dhe menduam se jemi përsëri ekipi që e mbylli në vendin e katërt. Sa për arsyen s’e di në është kjo apo jo, por di të them që skuadra fatmirësisht rikuperoi pas janarit, duke siguruar dhe mbijetesën.rustem hoxha

Cili do të jetë ekipi i radhës, ku do të vazhdoni karrierën?

Unë sot (dje) kam tërhequr dokumentet dhe do të shikoj në ditët në vazhdim. Kam bërë vetëm biseda me disa ekipe, por që nuk ka diçka konkrete, mbeten në kuadrin e bisedimeve dhe kaq. Besoj se ka kohë dhe do të vendos se ku do të luaj. Falënderoj tifozët durrsakët për mbështetjen.

Jeton Rexhmati






www.minuta90.com