Laçi do Xhejmsin, Skënderbeu refuzon huazimin e sulmuesit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 18, 2016 | 11:05

Laçi do Xhejmsin, Skënderbeu refuzon huazimin e sulmuesit

Laçi sërish është vënë në kërkim të Xhejms Adenijit për të forcuar repartin ofensiv të ekipit. Pasi e transferoi te Skënderbeu në janarin e këtij viti për 100 mijë euro plus huazimin e Ademir Sozës, kurbinasit kërkojnë që të rikthejnë beniaminin e tifozërisë së tyre.

Laci-Partizani-1-1-Xhejms-ne-dyluftim

Kjo ka lindur si ide pikërisht disa ditë më parë, ku drejtuesit e Laçit kanë shfaqur interesin për të rikthyer në ekip Xhejmsin dhe këtë dëshirë ia kanë komunikuar menjëherë Skënderbeut. Xhejms është duke humbur rolin e titullarit. Që pas ardhjes së Agostinelit në pankinën korçare lojtari ka kaluar në plan të dytë, kjo edhe për shkak të formës së mirë që janë duke treguar Plaku, Serxhio Xhunjor dhe Fukui.

Duke u munduar të përfitojë nga një situatë e tillë, klubi i Laçit me në krye Troisin kanë hedhur hipotezën e një huazimi të nigerianit nga Skënderbeu, të paktën deri në janar të vitit të ardhshëm. Një ofertë e tillë është bërë duke u nisur edhe nga marrëdhëniet e mira që dy presidentët kanë me njëri-tjetrin.

Reagimi

Megjithatë, duket se klubi bardhekuq nuk e ka pranuar një ofertë të tillë nga ana e laçianëve, teksa për “Panorama Sport” ka theksuar se nuk do të ketë asnjë huazim të asnjë lojtari, por vetëm shitje definitive të tyre jashtë vendit. “Mund të them se Xhejms është lojtari i Skënderbeut dhe nuk jemi të interesuar për të huazuar lojtarin në asnjë klub.

xhejms

Në rast se do të ketë një ofertë nga jashtë vendit nga klube të huaja, vetëm atëherë Xhejms largohet nga Skënderbeu. Në rast të kundërt do të qëndrojë me ne, pasi është një lojtar i rëndësishëm për organikën tonë”, theksoi presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, duke shuar kështu çdo mundësi huazimi që është përmendur kohët e fundit për lojtarët e tij.

Ll.Saro

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"