“Kukësi në Europë, jemi OK”, rrëfehet Pejiç: Seferi ka shansin që të shënojë 25 gola

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 15, 2022 | 23:45

“Kukësi në Europë, jemi OK”, rrëfehet Pejiç: Seferi ka shansin që të shënojë 25 gola

Pero Pejiç ka ardhur për herë të parë në Shqipëri për llogari të Dinamos, ndërsa sot është drejtor sportiv i Kukësit. Me të dyja këto skuadra ka dalë kampion i Shqipërisë si futbollist, ndërsa tani ai synon të lërë gjurmë në futbollin shqiptar edhe si drejtues.

pero pejic

Pas ndeshjes ndaj bluve, të cilën Kukësi e fitoi 0-2, kroati foli ekskluzivisht për “Panorama Sport”, duke analizuar ecurinë e verilindorëve. Pejiç theksoi se i rëndësishëm në këtë moment është fakti që skuadra mbetet brenda objektivit, pikërisht në një pozicion që të siguron Europën. Ai komentoi edhe mungesën e sulmuesve tipikë golashënues si në kohën e tij, kur luanin në Superiore emra si Sinani, Xhafaj, Memelli etj.

Pero, një fitore shumë e rëndësishme kundër Dinamos, që vjen pas disa ndeshjesh jo të mira…

Po, e drejtë. Kanë bërë disa ndeshje jo të mira, që nga humbja me Tiranën, pastaj Laçin dhe Partizanin. Në ndeshjen e fundit ndaj Vllaznisë jemi mobilizuar pak, ndërsa me Dinamon kemi fituar dhe treguar se jemi përsëri në rrugën që ishim në pjesën e parë të sezonit. Kjo fitore është shumë e rëndësishme për ne, sidomos në anën mentale dhe psikologjike. Një fitore që vlen shumë edhe për çunat, sepse ata punojnë shumë në stërvitje.

Kishit disa mungesa, por u duk sikur fati ishte në anën e Kukësit apo jo?

Po, patëm fat te goli i parë, por ishte një aksion i bukur nga ana jonë në krahun e djathtë. Krosim në zonë, Milunoviç goditi dhe u ndal nga portieri, pastaj patëm fat që mbrojtësi shkaktoi autogol. Në futboll dihet që duhet pak fat, por fati zakonisht është me më të mirin.

Pas kësaj fitoreje, a besoni se mund të kapni vendin e dytë?

Unë, personalisht, nuk mendoj as për titullin, as për vendin e dytë dhe as për të tretin. Thjesht shikoj ndeshjen e radhës, na pret një transfertë e vështirë në Korçë. Është ndeshje shumë e rëndësishme, sepse Skënderbeu ka marrë një pikë ndaj Laçit dhe kjo tregon se nuk do ta kemi aspak të lehtë. Por, kam besim se do të fitojmë edhe atje.

Si e parashikoni pjesën e mbetur të sezonit?

E thashë, rëndësi ka vetëm ndeshja e radhës, asgjë tjetër. Jemi në rrugën e duhur, brenda Europës, kjo është e rëndësishme. Do të shohim javë pas javë, unë kam shumë besim te çunat dhe trajneri.

Një koment për Dinamon, klubi juaj i parë në Shqipëri?

Po, kam luajtur për Dinamon për herë të parë në Shqipëri dhe jam shumë i lumtur që u kthye në Superiore. Bëhet fjalë për një klub që ka 18 tituj kampionë, një nga klubet më seriozë në Shqipëri. Është mirë që të jetë në elitën e futbollit dhe sugjeroj se mund të dalë nga kriza vetëm duke punuar gjithë kohën.

Çfarë mendoni për sulmuesit në kampionat, pse nuk ka më ose janë të paktë ata si në kohën tuaj?

Po, kemi sulmues në kampionat, është Seferi i Tiranës, Xhixha po ashtu. Nuk ka shumë si në kohën kur luaja unë, por dihet që nëse do një sulmues të mirë, ai kushton. Seferi e ka treguar se është sulmues shumë i mirë, janë edhe shumë javë dhe ka shansin që të shënojë 25 gola.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"