Kros: Benzema na habiti, Hazard blerje e dështuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 15, 2023 | 22:02

Kros: Benzema na habiti, Hazard blerje e dështuar

Toni Kros ka analizuar disa nga çështjet kryesore aktuale që po prekin Realin e Madridit në fillimin e merkatos së verës.

KROS

Largimi i Benzemasë, nënshkrimi me yllin e Dortmundit, Xhud Bellingam, Hazard… dhe plot tema të tjera që kanë lidhje me “los blancos”. Natyrisht tema e parë e prekur prej tij ka pasur të bëjë me largimin e kapitenit Karim Benzema drejt Arabisë Saudite. Një lëvizje që ka kapur në befasi pjesën më të madhe të shokëve të ekipit.

“Të largohesh apo jo, varet nga gjithsecili. Ka shumë rrethana që kontribuojnë në një vendim. Benzema erdhi në Madrid në moshën 20 apo 21 vjeç. Çfarë solli në klub? Golat e rëndësishëm që shënoi janë aty, trofetë gjithashtu! Sezoni i kaluar ishte vetëm qershia mbi tortë. Ka pak sulmues në 15 vitet e fundit që mund ta trajtonin topin si ai. Ishte një kënaqësi e madhe të luaja me Benzemanë”.

LAMTUMIRA E HABITSHME – Duke qëndruar pikërisht te kapiteni Karim Benzema, Kros është shprehur se në fakt gjithçka ndodhi shumë shpejt. Dhe largimi i kapitenit ka kapur në befasi pjesën më të madhe të shokëve të ekipit, që nuk patën mundësi t’i dhuronin një lamtumirë siç duhet. Megjithatë, Kros e ka pranuar me sportivitet vendimin e marrë nga francezi, që zgjodhi ta mbyllë me shumë gjasa karrierën e tij në Arabinë Saudite.

“Ne të gjithë menduam se ai dëshironte ta përfundonte karrierën e tij në Madrid me Realin. Gjithçka ndodhi shumë shpejt dhe për të ishte e rëndësishme t’i thoshte lamtumirë “Bernabeut”. Në përgjithësi, u vu re se ai u përgatit në një kohë të shkurtër. Përndryshe, ai do të kishin organizuar më shumë, do të kishin përgatitur më shumë gjëra për të. Ishte një largim i përshtatshëm duke pasur parasysh kohën e shkurtër të reagimit. Mendoj se pakkush e dinte që ai po largohej dhe shumë prej shokëve të ekipit e morën vesh nga deklarata zyrtare e klubit. Nuk pati asnjë fjalim apo asgjë. Personalisht as që fola me të për këtë, sepse në fund të fundit ishte vendimi i tij. Nëse ai dëshiron për t’i thënë diçka dikujt, do. Dhe nëse jo, atëherë jo. Ishte zyrtare diku në mëngjes dhe më pas ne patëm një shans për të thënë lamtumirë”.

AFRIMI I XHUD BELLINGAMIT – Kros ka folur dhe për merkaton e Realit të Madridit dhe lëvizjet që po përgatit skuadra e bardhë. Në fakt deri më tani “los blancos” kanë mundur të afrojnë tre lojtarë, Fran Garsia në mbrojtje, Brahim Diaz në mesfushë dhe Xhud Bellingam që mund të mbulojë mesfushën, por dhe sulmin. E natyrisht që të gjithë dritat janë drejtuar nga ylli i kombëtares angleze, që iu bashkua Madridit nga Borusia e Dortmundit. Xhud Bellingam është bërë lojtari i radhës që vjen nga Bundesliga në Madrid, sikurse kishte ndodhur dhe me vetë Toni Krosin kur iu bashkua Realit nga Bajerni në vitin 2014 fill pas Botërorit që Gjermania fitoi në Brazil.

“Ai është një lojtar i shkëlqyer, me parametra fantastikë. Jo më kot shumë ekipe e donin për shkak të cilësisë dhe moshës së tij. Në përgjithësi, kam shumë besim tek ata që marrin vendime në Madrid. Nuk e kam ndjekur atë në mënyrë shteruese, por e kam parë Dortmundin në Champions League. Shumicën e kohës ai luajti shumë, shumë mirë. Dhe nëse e bën këtë edhe këtu, ai do të jetë një nënshkrim i mrekullueshëm”, ka nënvizuar Kros për “Einfach mal Luppen”.

KRITIKAT E FORTA PËR HAZARDIN – Kros, një lojtar që gjithnjë është treguar i drejtpërdrejtë dhe ka folur pa doreza, kështu ka bërë dhe në episodin e fundit, duke iu referuar Eden Hazardit. Belgu me shumë gjasa do të kujtohet në Madrid si blerja më e dështuar e klubit të bardhë dhe Toni Kros nuk e ka lënë pa përmendur një fakt të tillë. Kujtojmë se Hazardi i kushtoi plot 112 milionë euro Realit të Madridit kur e afroi nga Çelsi, por ai nuk la kurrë gjurmë në La Liga.

“Ne kishim edhe dikë që erdhi për shumë para dhe pak a shumë e vijoi karrierën e tij duke bërë më shumë pushim (Eden Hazard). U hodhën shumë para dhe mendoj se në një retrospektivë të gjithë do të thonë se ai nuk ishte një nënshkrim i mirë. Por le të jemi optimistë. Nëse tashmë është mbyllur…”, komentoi Toni Kros.

LEDJO SEFERKOLLI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"