Kreu i Petrokub e do stadiumin plot, presidenti moldav bën thirrje për të mposhtur… Laçin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 20, 2022 | 17:21

Kreu i Petrokub e do stadiumin plot, presidenti moldav bën thirrje për të mposhtur… Laçin

Laçin e pret një atmosferë e zjarrtë në Moldavi, teksa sipas mediave vendëse, të paktën 5 mijë tifozë do të jenë të pranishëm në mbështetje të klubit Petrokub Hinçesti. Ndeshja nuk luhet në fushën e rivalit të Laçit, por në stadiumin “Zimbru” të kryeqytetit moldav, Kishinjev. Në turin e parë ndaj maltezëve të Florianës, Petrokub u mbështet nga 3 mijë tifozë, të cilët ndikuan jo pak në kualifikimin e skuadrës për në turin e dytë, aty ku përballë do të ketë tashmë kurbinasit.

-90-9--

Dje ka qenë vetë presidenti i Petrokub Hinçestit, Nikolae Usati, i cili u ka bërë thirrje gjithë qytetarëve moldavë që të mbështesin skuadrën e tij të enjten në orën 19:00. “Të nderuar tifozë, ne arritëm një kualifikim të merituar në turin e dytë të Ligës së Konferencës dhe të gjithë e panë se çfarë atmosfere e bukur u krijua në stadium. Ne tashmë do të kemi një rival më të fortë, Laçin nga Shqipëria, prandaj dhe na duhet mbështetja juaj për të arritur një tjetër rezultat pozitiv.

U bëj thirrje të gjithë fansave të skuadrës sonë, por jo vetëm, që të mbështesin Petrokub në synimin që kemi për të marrë një tjetër fitore. Ju presim familjarisht në Kishinjev, për të përjetuar një tjetër eksperiencë fantastike në Europë”, ishte apeli i presidentit të klubit moldav para ndeshjes kundër Laçit. Kjo është hera e pestë në historinë e Petrokub që merr pjesë në Kupat e Europës. Kualifikimi i parë historik i rivalit të Laçit ka qenë në edicionin e kaluar në Ligën e Konferencës ndaj klubit nga Maqedonia e Veriut, Sileks.

UDHËTIMI

Laçi ka udhëtuar dje në mbrëmje drejt Moldavisë. Klubi ka preferuar linjat tranzitore, teksa ekipi ka shkuar fillimisht me autobus në Selanik të Greqisë, e më pas direkt me avion drejt kryeqytetit moldav, Kishinjev. Ndërsa duke u gdhirë e mërkurë, drejtuesit dhe zyrtarët e tjetër të klubit, kanë pasur një tjetër itinerar, Tiranë-Stamboll-Kishinjev. Kjo ka ndodhur për shkak se numri i biletave për të udhëtuar i gjithë ekipi bashkë me delegacionin që e shoqëron ka qenë i limituar për linjën Selanik-Kishinjev.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"