Kostiç: Na presin rivalë të fortë, janë të gjithë në aktivitet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 20, 2018 | 10:30

Kostiç: Na presin rivalë të fortë, janë të gjithë në aktivitet

Në Gjirokastër, por jo vetëm, sportdashësit e Luftëtarit mes emocioneve dhe ankthit do të mësojnë sot kundërshtarin, me të cilin skuadra e tyre e zemrës do të ballafaqohet në Ligën e Europës. Por, më shumë se kush tjetër, janë futbollistët me në krye trajnerin Kostiç ata që presin të mësojnë rivalin e turit të parë. Millosh Kostiç, i cili u ul në stolin e Luftëtarit më 6 qershor, po e përgatit ekipin për një përfaqësimin dinjitoz në Ligën e Europës. Një mision i vështirë, por jo i pamundur për të treguar cilësitë e Luftëtarit.

Stafi Luftetari

Në deklaratën e tij për “Panorama Sport” në lidhje me shortin e sotëm, trajneri slloven i bluzinjve u shpreh: “Të gjitha skuadrat e mundshme në grupin tonë janë shumë të forta, të cilave nuk u shmangemi dot. Unë i kam ndjekur më vëmendje këto ekipe. Ato janë në momentin e tyre më të mirë, pasi janë në aktivitet prej shumë javësh. Këto klube kanë më shumë se 14-15 ndeshje që kanë luajtur dhe si të tilla, janë në gjendje më të mirë sesa ne. Vështirësitë janë të dukshme. Gjithsesi, ne do të japim më të mirën tonë për t’u ballafaquar denjësisht në këtë garë shumë të vështirë.

Preferenca? Më duhet të them se nuk kam asnjë preferencë për skuadër të veçantë. Goglat e shortit do ta thonë fjalën e tyre sot dhe ne mbetemi në pritje për të mësuar fatin tonë”.

Luftetari

PËRGATITJET– Sot Luftëtari hyn në javën e dytë të përgatitjeve verore, të cilat janë të fokusuara tërësisht te pjesëmarrja në Europë. Edhe dje skuadra është stërvitur me dy seanca stërvitore me prioritet rritjen e komponentëve fizikë dhe tekniko-taktikë. Dje skuadrës iu bashkua dhe mesfushori vlonjat David Bocaj. Nëse Bocaj do të rikthehet përfundimisht te Luftëtari, kjo mbetet për t’u parë. Vlonjati ishte pjesë e listës së lojtarëve të larguar në fillim të përgatitjeve. Ndërsa Erjon Vucajn e ndajnë disa orë për të firmosur me Luftëtarin.

luftetari

MINIFAZË NË SLLOVENI

Luftëtari do të niset më 23 qershor në Slloveni, aty ku për dy javë do të zhvillojë një minifazë përgatitore në prag të debutimit historik në Ligën e Europës. Mësohet se gjirokastritët kanë përcaktuar zhvillimin e katër miqësoreve në tokën sllovene, me synim harmonizimin e grupit, që ka pasur disa ndryshime. Në ditët e ardhshme do të saktësohen edhe kundërshtarët në miqësore. Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"