Kombëtarja “poliglote” e Shqipërisë: 17 klube, 11 shtete!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2022 | 21:25

Kombëtarja “poliglote” e Shqipërisë: 17 klube, 11 shtete!

NGA BESNIK DIZDARI

Dizdari2

Për një çast më duket se po gaboj që në këtë titull, po e quaj Kombëtaren e Shqipërisë “poliglote” (shumëgjuhëshe). Sepse në fund të fundit, ata janë të gjithë shqiptarë. Mirëpo, ja që ata vijnë nga 11 shtete të ndryshme, çka do të thotë se janë mësuar që atje të flasin gjuhën e atyre klubeve të shteteve ku luajnë.

E qoftë edhe për inerci, edhe gjatë ndeshjeve kur i kërkojnë një top ose një mbulim shokëve, i drejtohen jo në shqip, por në gjuhën e atij vendi apo të atij bashkëlojtari të huaj. Por këtë e them me hamendje, sepse nuk i dëgjoj. Pa harruar se në një skuadër të harmonizuar, lojtarët e saj gjatë ndeshjes nuk kanë nevojë të flasin me njëri-tjetrin, kjo ngaqë rolet e detyrat e një harmonie u janë bërë zakone.

1558458415_shqiperiakombetarjareja

E megjithatë… Sepse gjithmonë ka një “megjithatë”! Kështu pra, megjithatë edhe kjo shumëgjuhësi për tonët, herë mbas here, mund të përbëjë një problem. U mora vetëm me lojtarët e saj, të cilët luajtën në këto dy ndeshje me Izraelin (1-2) e Islandën (1-1) të cilat shumëkush thuajse i anatemoi. Unë për vete jo. E, lojtarët e Shqipërisë u përkisnin 17 klubeve të ndryshme! I përkisnin kampionateve të 11 shteteve të ndryshme!

Kjo gjeografi është vërtet e mahnitshme: 19 lojtarë nga 17 klube! Emrat e klubeve nga vinin janë vërtet sugjestionues: Brentford, Vallecano, Benevento, Empoli, Pordenone, Formalica, Lazio, Grashoppers, Aberdin, Inter, Darmstad, Ajaçio, Chelsea, AKhaley, Umraniyespor, Granada, Panathinajkos!!! I kam vënë tri pikëçuditëse. Mendoj se nuk gaboj. Dhe mandej 19 lojtarë të cilët vijnë nga 11 shtete: Angli, Spanjë, Itali, Turqi, Skoci, Zvicër, Portugali, Arabi Saudite, Greqi, Gjermani, Francë! Këtu mjafton vetëm një pikëçuditëse.

Dhe mbi këto shifra, ja ku mbërrin një shifër tjetër po aq “interesante”. Është shifra që në këtë përmbajtje tonën ka kuptimin e një pexhiorativi (peggiorativo – përditë e më keq). Është gati zero. Që na thotë se nga këta 19 lojtarë, vetëm 2 i ka lindur e formuar futbolli i tokës së Shqipërisë: Çikalleshi dhe Uzuni! Për fat, shpëtuam nga zero-ja. Kështu apo ndryshe, na duhet të pranojmë se kjo Kombëtare e Shqipërisë me 17 lojtarë, të cilët nuk i ka lindur e formuar ajo vetë, përbën rekord botëror. Kjo ngaqë asnjë Kombëtare në botë nuk mund të ketë kësisoj 99.99 për qind të lojtarëve të cilët të mos i ketë lindur e formuar toka e shtetit, apo atdheut i tyre.

Të duket sikur kjo është një temë e vjetër dhe disi e kotë. Mendoj se nuk është kështu. E ndërsa shihet se të gjithë këta lojtarë vijnë nga shkolla e stile të ndryshme futbolli, bash këtu mendoj se qëndron edhe problemi. Nëse këta lojtarë do t’i përkisnin rasteve të Kombëtareve të shteteve të tjera, të cilët shumicën i kanë prej farishteve të tokës së tyre kombëtare, kjo do të thoshte se ata do të kishin gênin e njëjtë të futbollit.

Çka më tej, do të thotë se do të njihnin sa temperamentin e njësuar të njeri-tjetrit, po mbi të gjitha, karakteristikat e mundësitë fiziko-tekniko-atletike sa dhe psikologjinë e njëjtë. Këtu qëndrojnë rrënjët, të cilat i përkasin fort një qëndrueshmërie, që merret me mend se do të na çonte më lehtësisht te harmonia dhe uniteti i stilit të lojës së skuadrës. Le të shkonin këta mandej, në klube të shteteve të tjera, prej të cilëve sigurisht që do të përforcoheshin edhe më me cilësi e forcë.

E pra, a mos përbën një problem edhe kjo përbërje tej mase heterogjene “kombësish”, shtetesh, klubesh, që na çon jo rrallë te mosmarrëveshje taktike, psikologjike, harmonie teknike që shfaqet (jo përherë), sidomos në çaste kulmore e delikate të ndeshjeve? Qoftë edhe në pësimin e golave dramatikë të minutave të fundit, që i çoi këta lojtarë te moskuptimi? E kam të vështirë t’i jap përgjigje kësaj pyetjeje, teksa mendja më shkon te rasti “Mazzola/Rivera” – dy të lojtarë të mëdhenj të Italisë, të cilët mu për shkak harmonie, sa vështirë e kishin të luanin bashkë, duke i bërë trajnerët të nguronin për t’i futur të dy njëkohësisht në ndeshje. (Zot na ruaj nga ndonjë problem kësisoj me Brojën apo Asllanin tonë!). E, harmonia taktike brenda një 11-shi, dihet, përbën çelësin e forcës së konkretizuar të një skuadre.

Ajo që mund të them, madje me një lloj sigurie, është kjo tjetra- e ma merrni si të doni: 17 klube të 11 shteteve nuk e kanë aspak të lehtë të mbërrijnë në përsosjen e një harmonie të mësipërme. A mund të bëhet diçka, pra? E para që të lind në përgjigje sado modeste të kësaj pyetjeje, është ajo që na thotë se duhet guxuar për të mbërritur te kampionati i Shqipërisë. Edhe pse me çorganizimet e saj, FSHF-ja e ka bërë jo vetëm të parëndësishëm, por edhe të një niveli që prej bukur nja 6 a 7 vjetësh, i është larguar sa s’ka ku shkon më Kombëtares; madje të gjitha rangjeve të Kombëtareve shqiptare, nga 17, 19, 21 vjeç e lart.

Problemi, siç e shihni, është po aq heterogjen për t’ia vënë vulën, sa ç’është heterogjene “shumështetësia” e “shumëkombësia” e Kombëtares sonë të sotme. Izraeli kishte plot 9 lojtarë të kampionatit të tij kombëtar. Islanda asnjë, por kishte 5 lojtarë nga kampionati i Danimarkës dhe 3 nga ai i Suedisë, shtete apo kombe, të cilat në gjithçka i ka si shtëpinë e vet. A e kemi pasur kaq heterogjene edhe Kombëtaren e suksesshme të Shqipërisë të finaleve të “EURO 2016”? Pa i hyrë në hollësi diskutimit, kujtoj se në të shumtën ajo ishte e një bashkësie shqiptarësh kosovarë, të cilët ia njihnin njëri-tjetrit cilësinë, psikologjinë, temperamentin.

Kjo edhe ngaqë shumica ishin të lindur, rritur e formuar prej një shteti të vetëm, Zvicrës. Ndërkaq, duke më mirëkuptuar, po e përsëris se kam qenë i pari që kam parathënë se lojtarët shqiptarë të Kosovës gjithnjë më fort do të pakësohen në Kombëtaren e Shqipërisë. Ngaqë po mbërrinte vetë ajo e Kosovës, për të cilën po shihet qartë se këta djem të talentuar, tek ajo e kanë mendjen. Kanë ndërruar kah. Ashtu siç ndërron vetë kjo histori. E na duhet të ndërrojmë edhe ne një zakon strategjik që hap pas hapi po vjetrohet… Ky ishte shkrimi i dytë i ciklit tim të Kombëtares. Do të kem edhe një shkrim të tretë me një temë disi informative që ndoshta do t’iu befasojë jo pak…

*Për vazhdimësi mund të shihni shkrimin e parë në “Panorama Sport”, 4 tetor 2022.

LEXO EDHE: 

“Tmerri” i dy golave të minutave 92’ dhe 97’

Më rezultativi, trajneri Reja: 12 fitore dhe 11 humbje

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"