“Tmerri” i dy golave të minutave 92’ dhe 97’

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 4, 2022 | 20:57

“Tmerri” i dy golave të minutave 92’ dhe 97’

Nga Besnik Dizdari 

Dizdari2

Se pothuajse “tmerr” kanë krijuar këta dy gola. Kur deri në minutën e 92-të të ndeshjes me Izraelin dhe deri në minutën e 97-të të ndeshjes me Islandën, gjithçka dukej më se “fitimtare” në interesin e rezultateve krejt të pranueshme. Për të mos thënë se gjithçka fliste për ndeshje të mira të Shqipërisë.

reja

Mirëpo, papritmas 2-1 për Izraelin me golin e minutës 92 dhe jo 1-0 për Shqipërinë. Dhe po papritmas jo 1-0 për Shqipërinë, por 1-1 “për” Islandën me golin e saj të minutës 97! Atëherë? A vërtet mund ta përmbysin përmbajtjen, nivelin, qoftë dhe mënyrën e pranueshme të lojës dy gola të minutave 92 dhe 97?

Kisha me thënë se kurrsesi! Ndërkaq, nuk po shkojmë te mijëra rastet kësisoj në historinë e futbollit në Shqipëri a në botë, ku gola fatalë të tillë kanë shkaktuar humbje apo dështime krejt të pamerituara. Duke u përpjekur sadopak të mbërrijmë te një gjykim teknik, del qartë se në të dyja ndeshjet, Shqipëria ka paraqitur një futboll të mirë.

Kështu, në ndeshjen me Izraelin, mbajtja e topit është 50 për qind me 50 për qind; gjuajtjet në portë janë 5-4 për Shqipërinë; goditjet nga këndi janë 9-4 për Shqipërinë, e të tjerat me ndryshime të vogla, qoftë dhe në ndonjë epërsi mikroskopike të skuadrës izraelite.

Ndërsa në ndeshjen me Islandën, epërsia e Shqipërisë është edhe më bindëse. Zotërimi i topit është 58 me 29 për qind për Shqipërinë; goditjet nga këndi 14 me 5, ndonëse jo mirëfilli epërsi shqiptare në gjuajtjet në portë prej ku erdhi edhe goli fitimtar i miqve në të 97-ën. Siç shihet, nuk ka asgjë “tmerr” në këto ndeshje, sidomos kur kujton kapriçiot e topit të rrumbullakët. E megjithatë!…

Megjithatë, Shqipëria mban përgjegjësi të madhe për humbjen në Izrael dhe barazimin me Islandën në Tiranë. E kanë shtrirë përtokë ata, dy golat e minutave 92 dhe 97! E tash po më pëlqen t’u them: Shikojini golat. Në të dyja rastet, sidomos në atë me Islandën, kundërshtarët shënojnë thuajse përballë mbrojtësve të ngrirë. Pa harruar se në rastin e Izraelit patëm lojtarë po të një përvoje europiane që bënë gabime fëmijësh, teksa falën topa si në stërvitje.

E papranueshme asisoj kur kujton se prej nga vijnë mbrojtësit e Kombëtares së Shqipërisë. Vijnë pra, prej klubeve perëndimore, madje edhe fort të sprovuar. Dhe duhet shkatërruar në kritikë vetëm trajneri? Nuk e harroj kurrë ndeshjen me Rusinë në Vollgograd për “EURO 2004”, një humbje e rëndë 1-4, ndonëse mbas një ndeshjeje deri diku të mirë të Kombëtares. Pata pyetur trajnerin Dossena:

“Si ka mundësi kështu?” E ai, pa e zgjatur u përgjigj: “Skuadra ka luajtur mirë, golat ishin fryt, jo i nivelit të lojës, por i gabimeve individuale të lojtarëve të veçuar”. Tash shkoni edhe një herë te golat e sotëm izraelitë dhe islandezë. E shihni se sa janë gabime individuale, ata janë më tepër se kaq. Madje me ndërhyrje të vetme të një lojtari, e mbrojtësit e tjerë spektatorë nuk lëvizin nga vendi. (Goli i Islandës.)

Kjo është historia. Në të vërtetë një histori, që siç thashë, ndodh në mijëra ndeshje të futbollit kudo. E pra? Ku qëndron e jashtëzakonshmja “tmerruese” këtu? Te faji i trajnerit? Edhe në këtë rast kisha për të thënë: kurrsesi! Janë faje individuale (vetjake) të lojtarëve të veçuar, të cilët tradhtojnë përmbajtje të mira të ndeshjeve të futbollit. I tillë, i pabesë është ky sport. Problemi ynë ma do mendja se është diku tjetër. Është te lehtësia për të fajësuar për gjithçka trajnerin, i cili dihet, se në fund të fundit, ai nuk luan në fushën e ndeshjes. Është në stol ose i ngritur në këmbë duke orientuar aq sa zëri i tij mund të arrijë të përçohet te lojtarët.

Shqiperia festa

A ka përgjegjësi trajneri? Padyshim që ka. Por ai assesi nuk ka përgjegjësi për dy golat e mësipërm. Pa harruar se në rastin e kësaj paraqitjeje të Shqipërisë që zuri vendin e fundit në një grup me skuadra, të cilat nuk janë më të mira se ajo, pranohet qartë se edhe trajneri nuk ia ka arritur. Dhe është bashkëfajtor së bashku me lojtarët. Shqipëria e këtij turneu të pafat – edhe për shkaqe dëmtimesh të lojtarëve – mbi të gjitha, nuk ka qenë e sigurt.

Në ndeshje, edhe pse të luajtura deri diku mirë, ajo u përçua përmes një grafiku jo të qëndrueshëm, me uljet e ngritjet e saj. Kjo edhe për shkak të paqëndrueshmërisë së formacionit. (27 lojtarë në katër ndeshje!) Ndoshta edhe për shkak të një vetësigurie të vetë këtyre lojtarëve europianë që ka sot Shqipëria. E po aq edhe për faktin se Shqipëria vinte në këtë turne mbasi kishte zënë vendin e parë në grupin e saj.

Por sidomos ngaqë ajo vinte në këtë turne të Ligës së Kombeve mbas paraqitjes më të mirë në gjithë historinë e pjesëmarrjes së saj për Kampionatin Botëror, teksa kishte zënë vendin e tretë në një grup me 6 skuadra. Madje duke lënë mbrapa deri një nga skuadrat më historike të futbollit evropian e botëror siç është Hungaria, kjo mbas dy fitoreve spektakolare ndaj saj. Kësisoj, mendoj se më shumë se punë trajneri, dy ngjarjet e ditëve të fundit, janë pasojë dhe çështje edhe të një euforie e vetëkënaqësie, ndonëse nuk jam në gjendje ta vërtetoj krejt objektivisht këtë.

GRUPI B2

Nuk më duket se është trajneri kryefajtori i këtyre dy dështimeve që e çuan Shqipërinë në vendin e fundit në grup me dy skuadra, të cilat nuk janë më të mira se ajo. Këmbëngul, se faji i këtyre dy dështimeve qëndron te dy bashkëfajtorë të njëjtë, të barabartë: lojtarët dhe trajneri. Kjo është tema e parë që mendova të paraqes nga cikli im i Kombëtares. Do të vazhdoj më tej…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"