Kamza nis fazën përgatitore në Ohër, Mumajesi firmos për 3 vite

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 14, 2017 | 15:37

Kamza nis fazën përgatitore në Ohër, Mumajesi firmos për 3 vite

Ishte menduar që Kamza do të udhëtonte në Austri, por planet kanë ndryshuar. Paketa që klubi kishte siguruar ishte për në muajin korrik dhe atëherë skuadra nuk ishte kompletuar ende dhe në kësi kushtesh drejtuesit e anuluan këtë opsion. Për pasojë, prej ditës së djeshme janë nisur drejt Maqedonisë.

Kamza

Skuadra do të zhvillojë në Ohër një fazë intensive përgatitore prej 10 ditësh, ku do të bëjnë edhe disa takime miqësore, ku e para pritet të mërkurën. Dje pasdite, në ora 16:00, 18 lojtarë kanë marrë rrugën drejt qytetit liqenor. Stafi teknik që drejtohet nga Ramadan Ndreu, si dhe ndihmësi i tij, Eldiano Topi, stërvitësi atletik italiani Luka Karlo Guerre dhe stërvitësi i portierëve Elton Puriqi, por dhe mjeku i skuadrës Roland Kastrati do të kenë mundësi që gjatë kësaj kohe të përgatisin ekipin për Superioren.

Portierët Halili e Gjonikaj, mbrojtësit Frashëri, Leilis, Fushtar, Rami, Ymeri, Idrizaj, Neziri, mesfushorët Mehmeti, Zefi, Mustafa, Fukui, Arrabal, Syziu dhe sulmuesit Rasha, Rezi e Mumajesi janë në Ohër, por në fakt klubi shpreson ende te Plaku.

MUMAJESI

Kamzalinjtë kanë hyrë në një fazë përfundimtare të formatimit të skuadrës. Dje ka ardhur edhe firma e 9-të për këtë merkato. Një ditë përpara nisjes për në Maqedoni, ka nënshkruar sulmuesi 20-vjeçar Anxhelo Mumajesi. Sulmuesi i talentuar i dalë nga akademia e Tiranës, i cili ka luajtur edhe për Sopotin, tashmë është zyrtarisht nën urdhrat e Ramadan Ndreut.

anxhelo mumajesi

Ai ka firmosur për tri vite në klubin dhe pas firmosjes ndihet mjaft i kënaqur që ndodhet pranë këtij ekipi që përveçse ka synimin e mbijetesës, në vitet e ardhshme do të jetë një ekip pretendues.

“Jam mjaft i kënaqur që bashkëpunimi im me Kamzën do të nisë me debutimin e këtij ekipi në Superiore, por njëkohësisht do të jetë edhe debutimi im i parë në këtë kategori. Dua të falënderoj presidentin e klubit, Naim Qarri, por në veçanti trajnerin e skuadrës, Ramadan Ndreu, të cilët bënë të mundur që nga kjo firmë të nisë karriera ime e ardhshme me ekipet elitës shqiptare të futbollit.

Shpresoj që besimin që këta drejtues patën për mua, unë t’ua shpërblej me punë e përkushtim dhe me efikasitet në lojën sulmuese”, ka deklaruar mesfushori për “Panorama Sport”.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"