Julian Brahja lë futbollin, fillon punën si zv. trajner i Dinamos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 22, 2017 | 12:53

Julian Brahja lë futbollin, fillon punën si zv. trajner i Dinamos

Klubi i Dinamos dhe drejtuesit e saj po vijojnë punën për të formuar ekipin për sezonin e ardhshëm. Në këtë kuadër, rinovimi ka filluar që nga drejtuesit teknikë. “Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se administratori Ismet Saliaj ka larguar nga ekipi ndihmësin e trajnerit Igli Allmuça, Algert Hudhrën, e në vend të tij ka afruar një emër të njohur në futbollin shqiptar.

Brahja ne dyluftim

Bëhet fjalë për ish-lojtarin Julian Brahja i cili e ka lënë futbollin dhe ka pranuar ofertën e Saliajt dhe ka filluar punën si ndihmëstrajner i Dinamos. Brahja zotëron licencën UEFA B. Në një prononcim për gazetën, vetë Brahja shprehet i kënaqur për rrugën e tij të re brenda futbollit dhe falënderon të gjithë ish-klubet dhe shokët e tij përgjatë viteve në futboll.

“Tashmë kam varur këpucët në gozhdë dhe i jam futur një rruge të re, asaj të trajningut. Është e vështirë për mua të ndahem nga futbolli i luajtur, pasi kam plot 17 vite si profesionist në Superiore, me shumë ndeshje të luajtura dhe me trofe e suksese të arritura. Por ja që vjen një ditë që duhet të tërhiqesh nga futbolli.

Nga ana tjetër jam i kënaqur sepse mbetem sërish brenda këtij sporti që unë e adhuroj. Pranova ta nis nga A-ja në trajnim. Dua të falënderoj klubin e Dinamos që ma dha këtë mundësi, ku së bashku me trajnerin Allmuça do punojmë për të çuar në Superiore ekipin e madh të Dinamos. Puna ka nisur që me seleksionimet me të rinjtë, ku unë jam i bindur që do kemi rezultate në të ardhmen.

Falënderoj të gjitha klubet që unë kam qenë pjesë: Laçi, Elbasani, Bylisi, Tërbuni, Teuta, Flamurtari, Kukësi, Dinamo dhe të gjithë drejtuesit e shokët e mi ndër vite. I kam dhënë shumë dhe më ka dhënë shumë futbolli i luajtur për më shumë se vite, ndaj do të më mungojë shumë”, e mbyll prononcimin e tij 36-vjeçari Julian Brahja. Kurbinasi ka luajtur në nivele të larta në Shqipëri, ndërsa ka fituar kampionatin me Elbasanin dhe ka kaluar deri në turin e katërt, atë të “play off”-it me Kukësin në Europa Ligë.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"