Ishi i të dy ekipeve, mesazh për futbollistët Elbasanit. Egert Kuçi: Dy kryesueset luajnë titullin në Ballsh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 21, 2024 | 17:09

Ishi i të dy ekipeve, mesazh për futbollistët Elbasanit. Egert Kuçi: Dy kryesueset luajnë titullin në Ballsh

Me Superioren tanimë në “xhep”, me 10 pikë diferencë nga vendi i tretë, Elbasani në mbyllje të fazës së dytë luan shanset e vendit të parë në Ballsh. Një fitore do t’i mbajë në garë për titullin kampion, ndërsa humbja do t’ia vështirësonte më shumë këtë synim.

egert kuci

Në kampin elbasanas janë të fokusuar për ta kaluar me sukses ndeshjen.

KUÇI – Për ish-lojtarin e të dy skuadrave, Egert Kuçi, bëhet fjalë për një ndeshje vitrine. Në prononcimin e dhënë për “Panorama Sport” Kuçi u shpreh: “Është një ndeshje vitrine për këtë kategori dhe vitin tjetër të dyja do të jenë në Superiore. Edhe pse kampionati është ende i gjatë, besoj se diferencat që kjo dyshe ka me ekipet e tjera nuk janë të vogla. Ndaj, janë me meritë në pozitat ku ndodhen. Elbasani ka lojtarët më të spikatur të këtij kampionati dhe janë pikërisht të tilla ndeshje që duhet të tregojnë veten e tyre.

Vërtet pikët në një kampionat janë të gjitha njësoj ndaj çdo kundërshtari, por për një lojtar ka edhe ndeshje specifike, ku duhet të nxjerrin në pah vlerat e tyre. Këtë sezon është pikërisht kjo përballje ku duhet të bjerë në sy lojtari. Janë në një klub ku funksionon gjithçka në mënyrë perfekte dhe është detyra e tyre ta tregojnë veten se sa vlejnë.

VENDI I PARË – Kuçi pohon se në këtë ndeshje luhet edhe një pjesëz e titullit, por fakti që janë dy ekipe të shkëputura nga rivalët, do t’i japë mundësinë që të zhvillojnë edhe një ndeshje spektakli, siç ishte në Elbasan.

“Shkëputja nga rivalët bën që të dyja ekipet të mos kenë presion të madh mbi supe dhe kjo besoj se u jep mundësinë që të japin edhe spektakël në fushë, ashtu siç edhe ndodhi në Elbasan në ndeshjen e kaluar. Skuadra që fiton mendoj se ka më shumë shanse në fund për t’u shpallur kampion, sepse moralisht do të ishte edhe më lart për fazën e mbetur të kampionatit”, mbylli prononcimin e tij për gazetën Egert Kuçi.

VLADIMIR MEMA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"