Ish-portieri i dy ekipeve, Jani Kaçi, tregon si Skënderbeu izoloi Partizanin në Korçë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 4, 2023 | 11:52

Ish-portieri i dy ekipeve, Jani Kaçi, tregon si Skënderbeu izoloi Partizanin në Korçë

Skënderbeu mundi Partizanin si rezultat i disiplinës taktike dhe përgatitjes së lartë fizike të lojtarëve”, ky është mendimi i ish-portierit të Kombëtares shqiptare, Jani Kaçi. Në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport”, legjenda e portës korçare analizon takimin mes Skënderbeut dhe Partizanit, ndeshje e mbyllur me fitoren e korçarëve me rezultatin 1- 0.

jani kaci

Sipas Kaçit, Partizani nuk pati forcën të reagojë edhe pas golit të pësuar, duke mos treguar shumë nga potenciali i vet, edhe pse në fushë u hodhën të gjithë lojtarët më të mirë në dispozicion. Nga ana tjetër, po sipas tij, me këtë fitore Skënderbeu tregon vlerat e veta, duke konfirmuar faktin që ky ekip është gati të fitojë përballë çdo skuadre nëse luan gjithmonë në grup. “Skënderbeun e kam ndjekur prej shumë kohësh nga afër dhe mund të them se pas ardhjes së Ivanit në krye të pankinës rezultatet kanë ardhur në rritje. Trajneri ka krijuar besimin te lojtarët dhe ka zhvilluar një përgatitje fizike për t’u pasur zili. Është një ekip shumë i ri dhe me shumë grintë dhe luftë sportive, por mbi të gjitha me kërkesa në rritje. Dy ndeshjet e fundit treguan se ekipi di të reagojë dhe po rritet. Sidomos ndeshja me Partizanin. Kishin përballë një skuadër shumë të fortë, nga më të fortat në Shqipëri, por Skënderbeu e përballoi mirë duke marrë tri pikët. Skënderbeu ka dominuar fizikisht kundërshtarin duke luftuar në çdo top. Nuk e lejuan Partizanin të dalë në lojën e vet, duke e izoluar dhe këtu është fituar takimi. Një interpretim i mirë taktik nga ana e ekipit që dha frytet e veta. Më pas erdhi ai episodi i penalltisë dhe vlejti tri pikë”, theksoi fillimisht Jani Kaçi.

LAÇI- I ndalur te ndeshja në transfertë ndaj Laçit, Jani Kaçi mundohet të motivojë ekipin bardhekuq, duke përmendur se pas një suksesi të tillë ndaj Partizanit, fitorja nuk duhet diskutuar. Kaçi është i bindur se nëse interpretojnë si duhet lojën, bardhekuqtë nuk dalin pa pikë nga Kurbini, ndërsa shkon më tej kur parashikon tri pikë të plota për Skënderbeun edhe në këtë takim. “Çdo ndeshje në këtë kampionat është e vështirë dhe duhet gjithmonë përqendrim maksimal. Por për mendimin tim, ekipi duhet të ketë besim tek ajo që ka treguar në fushë dhe rezultatet që ka marrë. Nëse ndalemi në këtë moment Skënderbeu është më lart edhe se Laçi edhe se Vllania në raport me lojën dhe pikët. Prandaj duhet të shkojnë me besim se do t’ia dalin. Për mendimin tim, Skënderbeu nuk del pa pikë nga kjo transfertë. Nëse shkojnë me besimin te forcat e tyre, besoj se Laçi nuk është i pamposhtshëm edhe në shtëpi”, përfundoi ikona e portës Jani Kaçi.

LLAZI SARO

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"