Ilion Lika si “dhuratë” Flamurtarit, borxhet e vjetra e divorcuan portierin me Tiranën

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Qershor 7, 2014 | 9:00

Ilion Lika si “dhuratë” Flamurtarit, borxhet e vjetra e divorcuan portierin me Tiranën

Ilion LikaIlion Lika ishte shtylla e Tiranës, madje gjatë pjesës së dytë të sezonit ai u kthye në një prej pikave kyçe të skuadrës, duke kontribuuar ndjeshëm në mbijetesën e bardhebluve. “Divorci” erdhi disi i papritur, ndonëse kishte muaj që lakohej në media emri i tij. Në Vlorë e kërkonin me ngulm, por nga ana tjetër edhe në kryeqytet nuk kishin në plan që ta linin të lirë kaq lehtë. Por takimi i portierit me donatorin Refik Halili përfundoi me një mbyllje të marrëdhënieve. Rinovimi nuk u arrit, dhe pak orë më vonë lojtari u zyrtarizua nga Flamurtari si afrimi i parë në këtë merkato vere.
“Divorci” Burime të sigurta pranë palëve zbulojnë për “Panorama Sport” se pengesë për një rinovim të mundshëm ishte një borxh i vjetër. Bëhet fjalë për shumën prej 50 milionë lekësh të vjetër, që lojtari i fitoi në DHZK kundër Tiranës. Parà këto që duhet t’ia japë klubi. Mirëpo, këta të fundit deri më tani nuk kanë shlyer asnjë borxh, dhe në këtë listë faturash është edhe emri i Likës. Sponsorët, sikundër dihet, që në fillim kur erdhën e kanë përjashtuar veten nga debitet. Ndaj Halili e Morina nuk mund të merrnin përsipër një shumë të tillë, e cila i takon vetëm klubit, i cili për momentin e ka arkën bosh.
Akordi Pas këtij takimi, Lika vendosi të largohej, duke qenë kështu i pari që hap serinë e firove nga kryeqytetasit. Lojtari ka arritur një akord me Flamurtarin, dhe pritet që brenda pak ditësh të firmosë kontratën me ekipin e tij të ri. Do të jetë pikërisht Vlora stacioni i radhës për portierin 34-vjeçar, i cili pritet të nënshkruajë një marrëveshje 2-vjeçare. E përkthyer ndryshe, lojtari për 2 vitet e ardhshme do të jetë pjesë e kuqezinjve. Kjo nuk do të jetë përvoja e parë për këtë futbollist me Flamurtarin, pasi edhe verën e shkuar firmosi për ta. Por asokohe u largua, pas lajmit për “shkrirjen” e ekipit.
ERMAL SIKA





www.minuta90.com