Gvozdenoviç i jep ekipit dy ditë pushim, Skënderbeu në kërkim të… ekuilibrave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 11, 2023 | 13:40

Gvozdenoviç i jep ekipit dy ditë pushim, Skënderbeu në kërkim të… ekuilibrave

Skënderbeu ka nisur llogaritë pas ndeshjes me Laçin në transfertë dhe kur jemi një javë nga mbyllja e fazës së parë. Pavarësisht se kanë bërë surpriza gjatë këtij rrugëtimi në tetë javët e para, duket se korçarët kanë një bilanc të barabartë për sa u përket rezultateve. Bardhekuqtë kanë ruajtur kolonën e barazimeve të paprekur, teksa kanë regjistruar në këtë periudhë katër fitore dhe po aq humbje.

lico skenderbeu

Të dhëna, që duket se tregojnë se kanë fituar ndeshjet e shtëpisë dhe kanë humbur ato në transfertë, megjithëse nuk ka ndodhur krejtësisht kështu. Skënderbeu ka arritur të sigurojë dy fitore në transfertë deri në javën e tetë të kampionatit, ku ka arritur të surprizojë Egnatian në ndeshjen e parë të këtij kampionati dhe Erzenin po në Rrogozhinë, ku shijakasit kanë vendosur të luajnë ndeshjet si vendës.

Nga ana tjetër, humbja që djeg është ajo e shtëpisë me Kukësin, që në këtë sezon është paraqitur si një nga skuadrat me problemet më të theksuara dhe që rrezikon më së shumti për të rënë në Kategorinë e Parë.

Megjithatë, me këto rezultate duket gjithçka brenda pritshmërive. Askush në fillim të sezonit nuk e kishte parashikuar këtë ecuri, duke parë vështirësinë e kalendarit, por edhe faktin që Gvozdenoviç ka në dispozicion një skuadër të re dhe pa eksperiencë të madhe në një kampionat si Superiorja.

Gjithsesi, në këto tetë javë korçarët kanë luajtur tri herë në shtëpi dhe pesë herë në transfertë. Sa i përket raportit të golave, tetë herë kampionat kanë shënuar gjashtë gola dhe kanë pësuar tetë gola në po aq ndeshje të luajtura.

PËRGATITJET – Pas humbjes me Laçin në transfertë, korçarët kanë marrë dy ditë pushimi për të fituar energjitë, para se të nisin përgatitjet për ndeshjen e fundit të fazës së parë, atë të shtëpisë ndaj Vllaznisë.

Trajneri Ivan Gvozdenoviç u ka dhënë dy ditë leje të tijve dhe nga ana tjetër ka kërkuar që në nisjen e përgatitjeve, lojtarët të jenë të relaksuar dhe te përqendruar për ndeshjen e radhës.

Pritet që gjatë fundjavës korçarët të organizojnë një test miqësor për të përmbushur “mikrociklin” e javës dhe më pas pritet të nisin më intensivisht përgatitjet për ndeshjen me Vllazninë.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"