Zbardhet biseda e Guardiolës me Alban Mehën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 23, 2015 | 10:25

Zbardhet biseda e Guardiolës me Alban Mehën

Alban Meha magjeps edhe Pep Guardi olën. Mesfushori i Kombëtares shqiptare që luan në Bundesligë me Paderbornin, pas ndeshjes së fundit kundër Bajernit të Mynihut, ku skuadra e tij humbi thellë 6-0, është takuar përzemërsisht me spanjollin që drejton bavarezët. E përditshmja prestigjioze gjermane “Bild” ka zbardhur edhe detajet e takimit mes Mehës dhe Guardiolës.

“Pep vlerëson këmbët magjike të Mehës. Një gjest i bukur: trajneri i Bajernit i pëshpërit shqiptarit disa fjalë në vesh. Edhe një orë pas përfundimit të ndeshjes, tifozët e Paderbornit qëndronin në tribunë dhe festonin me humbësit e tyre. Por, nuk ishte vetëm kjo unike. Menjëherë pas mbarimit të ndeshjes, trajneri Guardiola shkon në drejtim të Mehës në mesin e fushës. Fillimisht i pëshpërit disa fjalë në vesh e më pas i rreh shpatullat. Natyrisht mesfushori emocionohet dhe aprovon çdo fjalë që Pep i thotë, ndërsa e falënderon”, shkruante dje “Bild” për takimin.

Reagimi Meha tregon për gazetën gjermane edhe atë se çfarë i tha Guardiola.”Pep më tha se unë kam një këmbë të djathtë të fortë dhe duhet të vazhdoj kështu. Ky është natyrisht një kompliment i madh për mua. Nëse një trajner i tillë e thotë këtë, kjo është një nder dhe krenari”, tregon mesfushori kuqezi, i cili me goditjet e tij nga distanca të shndërruara në gola spektakolarë ka mahnitur futbollin gjerman. Elozhet e Guardiolës për shqiptarin konfirmojnë se Meha është ndër fantazistët e rrallë të Bundesligës me një goditje magjike që ka tronditur shumë portierë.

Pas takimit me Mehën, Guardiola lëshoi komplimente edhe për skuadrën ku aktivizohet shqiptari, në një kohë që Bajerni i tij fitoi thellë. Mesfushori kuqezi nuk e realizoi dot ëndrrën për t’i shënuar portierit kampion të botës, Manuel Nojer. “Pep bën të lumtur jo vetëm Mehën, por edhe Paderbornin, teksa shprehet i bindur për qëndrimin e debutuesve në Bundesligë”, mbyllej shkrimi i “Bild” për 28- vjeçarin nga Mitrovica.

Debutimi Për Mehën dhe Paderbornin ky është sezoni i parë që militojnë në Bundesligë. Fantazisti shqiptar ka luajtur deri më tani 13 ndeshje në elitën e futbollit gjerman, teksa ka shënuar tre gola. Mesfushori e bëri sefte në fitoren 3-1 kundër Hertës së Berlinit, të luajtur më 2 nëntor të vitit të kaluar. Në merkaton e janarit Meha u përfol për një largim nga Paderbroni, teksa zvarriti rinovimin, për shkak se kërkonte që në kontratë të vendoseshin disa klauzola. “Besoj se rinovimi ose kontrata e re do të jetë më e rëndësishmja e gjithë karrierës sime. E di se jam i prerë për të luajtur në Bundesligë”, pat thënë shtatshkurtri.

meha

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"