Furlani: Pa frikë për hetimet, Ibra nuk merr vendime te Milani

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 31, 2024 | 9:30

Furlani: Pa frikë për hetimet, Ibra nuk merr vendime te Milani

“Nuk kemi frikë nga hetimi sepse nuk ka asgjë të fshehur. Leao qëndron, Pioli nuk ka qenë kurrë në diskutim”. Me këto fjalë Xhorxho Furlani, administrator i Milanit, siguroi tifozët kuqezi gjatë një intervistë të gjatë dhënë për “La Gazzetta dello Sport” ku komentoi situatën e ekipit dhe merkaton, pa i fshehur fare ambiciet e pronarëve.

furlani-ibra-pioli

Cili është synimi madhor te Milani?

Objektivi ishte dhe mbetet gjithmonë fitorja. Ylli i dytë mbetet synim gjithashtu. Natyrisht do të kishim dashur ta fitonim ne të parët, por këtë synojmë ta bëjmë vitin e ardhshëm. Nuk jemi aq larg këtij objektivi.

Çfarë ju thotë Xherri Kardinale dhe a do të ndërtohet stadiumi i ri?

Ai është gjithmonë i pranishëm, ai dëshiron të fitojë Champions-in sa më shpejt të jetë e mundur. Mos harroni se morëm një klub në prag falimentimi dhe e ngritëm lart. Sa për stadiumin rruga kryesore mbetet ajo e një impianti të ri në zonën e San Donatos.

Sa ndikon Ibrahimoviçi në vendimmarrje?

Në teori, Zlatani nuk ka kompetenca për të vendosur, por qasja jonë ndaj punës nuk është “formaliste”. Te Milani punojmë në grup, marrëdhënia ime me Ibrën është fantastike dhe jam me fat që e kam pranë. Të mos harrojmë Monkadën me të cilin Ibra ballafaqohet shpesh.

A do të vijë një sulmues i madh në qershor?

Çmimi nuk korrespondon gjithmonë me vlerën. Duam të synojmë vlerën, e cila nuk përputhet domosdoshmërish me koston e lojtarit. Duhet të gjejmë Pulisiç dhe Loftusa. Buxheti në vetvete varet nga shumë faktorë: nga mënyra se si do ta mbyllim sezonin, apo nga lojtarët e shitur. Nuk fokusohemi te numrat, por te përmirësimi i ekipit me lojtarë prej Milani. E bëmë vjet dhe “ nënshkrimet e reja sollën 40 gola, çka bën që edhe rrotacioni të mos jetë më problem.

Çfarë do të ndodhë me Teo Hernandezin dhe Menjanë?

Ata kanë një kontratë deri në qershor të vitit 2026. Flitet për shitje dhe blerje, por shpesh janë lojtarët që vendosin të ardhmen e tyre. Teo dhe Majk janë dy kampionë, shpresojmë që ata të qëndrojnë me ne sa më gjatë që të jetë e mundur dhe të bëjnë diferencën.

Po Leao?

Ai ka një klauzolë lirimi prej 175 milionë euro, por edhe më parë ka shprehur dëshirën që të qëndrojë te Milani. Ai ndihet mirë këtu, duhet të jetë ai që na kërkon të largohet, por në të vërtetë nuk dëshiron.

Cili do të jetë trajneri i sezonit të ardhshëm?

Askush nga klubi nuk ka folur ndonjëherë që stoli i Piolit rrezikohet. Dhe nuk do të vlerësohet as për Ligën e Europës dhe as për derbin. Sezoni ynë deri tani ka qenë i mirë, por si vitin e kaluar ka një skuadër që ka shkuar përtej pritshmërive: vjet Napoli, sivjet Interi. Pioli ka një histori pozitive në Milano, ai e ktheu skuadrën në Ligën e Kampionëve dhe fitoi titullin. Shpesh kritikohet, por ka arritur rezultate të rëndësishme. Pronarët po fokusohen shumë te të rinjtë për të ardhmen. Një talent, pikërisht Francesco Camarda, është në shtëpi, por ende nuk ka siguri për nënshkrimin e tij… Ai është një djalë i rritur në sektorin tonë të të rinjve, sapo ka mbushur 16 vjeç dhe do të donim që të qëndronte gjithmonë me ne, duke shënuar shumë gola me këtë fanellë në të ardhmen. Ai është milanist si unë, jam i bindur se ai dëshiron të mbetet në një projekt të rëndësishëm sportiv. Dua të theksoj se shifra të caktuara që kanë dalë në lidhje me kërkesat hipotetike të bëra janë absolutisht të pasakta.

Është e pamundur të mos ju pyes për hetimin që po përfshin klubin. Keni ndonjë koment?

Pronari i Milanit që nga gushti i vitit 2022 është “RedBird”. Fondi “Elliott” i dha një hua nga shitësi, e cila është një nga shumë mënyrat e mundshme për të përfunduar një transaksion me shifra të tilla. Nuk ka asgjë të fshehur, gjithçka është shumë transparente. Kështu që ne nuk kemi frikë. E vetmja dëshirë është që të bëhet shpejt, pak tension është i pashmangshëm, por nuk po ndodh asgjë për të pasur probleme.

A po kërkoni aksionarë të rinj?

Asgjë në një të ardhme afërt, zero negociata në këtë moment. Në çdo rast, kontrolli i Milanit është dhe do të mbetet te “RedBird”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"