Etrit Berisha dhe Cana, titullarë ndaj Milanit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 28, 2014 | 13:13

Etrit Berisha dhe Cana, titullarë ndaj Milanit

Berisha dhe CanaPortieri kosovar Etrit Berisha do të ruajë portën që nga minuta e parë në hapje të edicionit të ri të kampionatit italian, Seria A. Lajmi konfirmohet nga mediat italiane. “Lajme të mira për Milanin në fillim të edicionit të ri. Portieri Frederiko Marketi do të humbë ndeshjen e parë për shkak të një problemi muskulor. Në portë do të jetë portieri shqiptar Etrit Berisha”, shkruan “milanlive.it”. Berisha luajti 17 ndeshje edicionin e shkuar me fanellën e Lacios, duke u vlerësuar lart për paraqitjet e tij. Sakaq, përveç portierit kuqezi, edhe kapiteni i Kombëtares, Lorik Cana, do të jetë titullar në këtë takim. Nisur nga fakti se Xhentileti (i sapoardhur te Lacio) nuk është ende i gatshëm, duket se trajneri Pioli do të luajë me dyshen De Vrij-Cana në qendër të mbrojtjes. Ndërkaq Cana mund të kthehet në kampionatin e Francës. Interesim për të vijon të shprehë ish-skuadra e tij, Marseja. “Në mesin e kërkesave të trajnerit të Marsejës është edhe Lorik Cana”, shkruan “lephoceen.fr”. Mbrojtësi i Kombëtares së Shqipërisë ka qenë te kjo skuadër nga 2005 deri në 2009-n, ku ka mbajtur edhe shiritin e kapitenit. Vetë Cana më herët ka njoftuar se një ditë synon të kthehet te kjo skuadër, por duhet theksuar se lojtari ka ende kontratë me Lacion deri në qershor të vitit 2016.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"