Erzeni sfidon Partizanin pa tifozë, zv.trajneri i shijakasve: Jemi gati për “demat”, objektivi ynë mbetet…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 11, 2022 | 11:13

Erzeni sfidon Partizanin pa tifozë, zv.trajneri i shijakasve: Jemi gati për “demat”, objektivi ynë mbetet…

Një ndeshje për kreun, por me stadiumin e boshatisur. Për shkak të dënimit të fushës së klubit shijakas, Erzeni-Partizani do të luhet pa tifozë të dielën në orën 15:45 në “Niko Dovana” të Durrësit. Trajneri Xhevahir Kapllani nuk do të ketë të gatshëm dy titullarë, pikërisht qendërmbrojtësin që mban edhe shiritin e kapitenit, Gëzim Krasniqi, si dhe sulmuesin e krahut, Ilirid Ademi. Të dy janë dëmtuar dhe kanë prishur planet e trajnerit për formacionin. Megjithatë, në kampin shijakas ka besim për një rezultat pozitiv, pavarësisht problematikës që paraqet ky takim. Krahu i djathtë i trajnerit Kapllani, Alfred Deliallisi, në një prononcim për “Panorama Sport”, flet me optimizëm për atë që e pret Erzenin në këtë takim. Sipas tij, të kuqtë janë analizuar me detaje dhe shijakasit do të mundohen t’i godasin.

ALFRED DELIALLISI (1)

Alfred, keni përmbyllur një minifazë përgatitore gjatë këtij pushimi të kampionatit. Si është gjendja e ekipit para ndeshjes me Partizanin?

Gjendja e ekipit është pozitive, pavarësisht problemeve që kemi pasur me dëmtimet. Jemi gati për ndeshjen me Partizanin dhe mund të them se në skuadër mbizotëron harmonia. Kjo është arma jonë më e fortë. Jeni vetëm dy pikë larg Partizanit, që kryeson bashkë me Tiranën.

Ju vjen keq që në këtë ndeshje nuk do t’i keni tifozët?

Dënimi i fushës dhe mungesa e tifozëve është një gjë shumë negative për skuadrën, sepse në këto momente kemi më shumë nevojë se kurrë për mbështetësit tanë.

Besoni te rezultati pozitiv me Partizanin?

Ekipin e kemi përgatitur në bazë të kundërshtarit që kemi përballë dhe duke analizuar me detaje Partizanin. Për Erzenin është ndeshja e radhës ndaj një skuadre shumë të fortë dhe me histori të madhe në futbollin shqiptar. Djemtë do të futen në fushë për maksimumin.

Kanë ndryshuar objektivat e Erzenit?

Objektivi kryesor i Erzenit është qëndrimi në Superiore dhe kjo nuk ndryshon deri në fund.

RONALD FAJA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"