Elbasani i Dedes duhet bërë nga e para me 8 afrime, mesfusha është praktikisht… bosh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 7, 2023 | 20:04

Elbasani i Dedes duhet bërë nga e para me 8 afrime, mesfusha është praktikisht… bosh

Në Elbasan po presin me interes që të shohin se çfarë skuadre do të ndërtojë Nevil Dede. Buxheti nuk do të mungojë dhe sidomos kur dihet që klubi është drejt shitjes tek investitorët privatë. Verdheblutë prej kohësh kanë nisur “gjuetinë” në merkato. Edhe pse ende mungojnë zyrtarizimet, bisedimet me disa futbollistë kanë avancuar.

elbasani

Lista e atyre që do të afrohen pritet të jetë e gjatë, për vetë faktin se thuajse të gjitha repartet në ekip kanë nevojë për ndërhyrje për shkak të largimeve. Vetëm porta duket si sektori më i kompletuar. Ndonëse në moshë mjaft të re, Klevi Totoshi dhe Redon Gega japin garanci në katërkëndësh dhe për momentin drejtuesit nuk e kanë parë të arsyeshme të hidhen në merkato për një tjetër gardian. E megjithatë, nuk përjashtohet mundësia e ndonjë surprize të momentit të fundit.

NDËRHYRJET – Sipas burimeve të gazetës pranë klubit elbasanas, pohohet se së paku do të afrohen tetë futbollistë në këtë merkato, lojtarë që të implementohen menjëherë edhe në formacionin e skuadrës. Kështu, drejtuesit kanë menduar që për momentin në mbrojtje të afrohen tre lojtarë, nga një për secilin pozicion në këtë repart.

Bëhet fjalë për dy mbrojtës krahu dhe një në qendër. E njëjta situatë edhe në mesin e fushës, ku edhe aty bëhet fjalë për tre futbollistë të tjerë që janë në listë për t’iu bashkuar skuadrës. Mesfusha është reparti që ka më shumë nevojë edhe për të pasur alternativa në dispozicion. Sakaq, klubi është vënë në kërkim edhe të dy sulmuesve me potencial, për të blinduar një herë e mirë edhe këtë repart.

Megjithatë, për momentin këto janë opsionet e para në klub, sepse deri në mbylljen e merkatos dhe nisjen e sezonit, shumë gjëra mund të ndryshojnë rrugës. Gjatë këtyre ditëve ka nisur edhe qarkullimi i emrave të parë që mund t’i bashkohen Elbasanit të Dedes, por me shumë gjasa në ditët në vijim do të nisin edhe zyrtarizimet e para.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"