EKSKLUZIVE/ “Petrokub është në nivelin e Laçit, kemi shanse të barabarta”, Duro: Moldavët agresivë, ja çfarë pres nga skuadra

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 21, 2022 | 11:05

EKSKLUZIVE/ “Petrokub është në nivelin e Laçit, kemi shanse të barabarta”, Duro: Moldavët agresivë, ja çfarë pres nga skuadra

Shpëtim Duro ka paralajmëruar skuadrën e tij se e pret një ndeshje shumë e luftuar sot në orën 19:00 kundër Petrokub Hinçestit, që do të luhet në stadiumin “Zimbru” të Kishinjevit. Në një intervistë për “Panorama Sport” pas stërvitjes së fundit në tokën moldave, trajneri i Laçit theksoi se shanset e kualifikimit janë 50 me 50. Pasi ka studiuar rivalin në dy takimet që ka luajtur në turin e parë të Ligës së Konferencës ndaj maltezëve të Florianës, Duro është bindur se përballë do të kenë një Petrokub të fortë, që ai e konsideron në nivelin e ekipit kurbinas. 62-vjeçari shpreson që kjo verë të zgjasë sa më shumë në Europë dhe pse jo të thyejë rekordin e vjetshëm.

SHPETIM DURO

Profesor, si është gjendja e ekipit para ndeshjes së parë në Moldavi. A ka ndonjë gjë që ju shqetëson?

Gjendja e skuadrës është shumë e mirë. E rëndësishme në këtë moment është që nuk kemi asnjë mungesë. Është po ai kontigjent lojtarësh që përballoi dy ndeshjet ndaj ekipit malazez në turin e parë dhe jemi optimistë se do të vazhdojmë me këtë grup në mënyrë dinjitoze.

Me aq sa e keni studiuar Petrokubin, si ju duket si ekip dhe çfarë ndeshjeje prisni sot?

Do të kemi përballë një kundërshtar për t’u respektuar maksimalisht. I kam studiuar dhe mund të them se janë një skuadër kompakte dhe shumë agresive. Petrokub ka një ekip që nuk shënon shumë gola, por ama edhe nuk pëson. I shikoj në nivelin tonë dhe pres një ndeshje të fortë.

Moldavët i kanë të gjithë lojtarët vendës, pra asnjë të huaj. Ju bën përshtypje ky fakt?

Nuk mund të them se më bën përshtypje, sepse çdo klub ka strategjinë e vet. Ndoshta arsyeja që Petrokub ka vetëm lojtarë moldavë është se mund të ketë mbledhur më të mirët e kampionatit nga ky shtet.

Do të luhet në fushë asnjanëse, është ky një favor për ju në ndeshjen e parë?

Jo, nuk mendoj se kjo është në favorin tonë. Unë e kam ndjekur edhe ndeshjen që Petrokub zhvilloi me ekipin maltez, Floriana, dhe ata kishin jo pak mbështetje nga tifozët në stadiumin e Kishinjevit.

Sa shanse ka Laçi ta kalojë edhe këtë tur?

Unë mendoj se shanset i kemi të barabarta, 50 me 50, sa i përket kualifikimit. Do të mundohemi të bëjmë maksimumin.

Duke parë edhe shortin e mundshëm për turin e tretë (me Fehervar ose Gabala), është ky edicioni, ku mund të bëni një mrekulli si trajner i Laçit, duke thyer edhe rekordin e sezonit të kaluar në Europë?

Nuk duhet të mendojmë fare në këtë moment se çfarë mund të ndodhë. Është shumë e rëndësishme të përqendrohemi te këto dy ndeshje që kemi me moldavët. Pastaj, nëse kalojmë me sukses Petrokubin, do të mendojmë për rivalin e ardhshëm. E përsëris, duhet të përqendrohemi shumë, sepse do të jenë dy ndeshje shumë të luftuara me moldavët dhe asgjë nuk kemi të sigurt.

Në merkato jeni fokusuar tek elementë që kanë spikatur në Kategorinë e Parë në klube si Tomori dhe Korabi. Besoni se ata mund të shpërthejnë tani si pjesë e Laçit?

Po, bëhet fjalë për futbollistë që kanë bërë paraqitje shumë të mira në Kategorinë e Parë, por tani duhet të tregojnë vlerat e tyre, sepse Superiorja ka një nivel më të lartë. Unë si trajner kam besim se të gjithë lojtarët që kanë ardhur do të jenë alternativa shumë të mira për Laçin.

JORGIS MEMO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"