EKSKLUZIVE/ “Me Spahiun në fushë do ishte gjë tjetër”, Duro pas barazimit në Moldavi: Guindo në stol nuk ishte strategji

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 22, 2022 | 8:43

EKSKLUZIVE/ “Me Spahiun në fushë do ishte gjë tjetër”, Duro pas barazimit në Moldavi: Guindo në stol nuk ishte strategji

Trajneri i Laçit, Shpëtim Duro, dha një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport” pas ndeshjes mes Laçit dhe Petrokubit në Moldavi, e përfunduar 0-0, me kurbinasit që luajtën me një lojtar më pak që nga minuta e 27-të, kur Spahiu u përjashtua nga gjyqtari me karton të kuq.

SHPETIM DURO

Duro është shumë i kënaqur me rezultatin e ndeshjes. Ai përgëzon në maksimum djemtë e tij duke i cilësuar si heronj. Trajneri shprehet se me Spahiun në fushë, Laçi do të ishte shumë më i fortë.

Për mënyrën se si shkoi ndeshja, jeni i kënaqur me rezultatin apo mund të bënit më tepër?
Së pari, sigurisht që jam i kënaqur me rezultatin, por edhe me mënyrën e lojës, kur dihet që ishim në inferioritet numerik për rreth 70 minuta. Djemtë u treguan heroikë në këtë takim dhe i komplimentoj.

Do të ishin gjërat ndryshe me Spahiun në fushë? Sa ua prishi planet?
Ndryshimi i ekuilibrave numerikë prish komplet situatat. Me Spahiun në fushë normalisht që do të ishte diçka tjetër, sepse është një futbollist jashtëzakonisht cilësor. Para se të dilte me karton të kuq ai pati një rast të pastër shënimi, si rezultat i aftësive të tij individuale, por finalizimi nuk qe në nivelin e duhur.

Përse ishte në stol Guindo, ishte një strategji e juaja?
Nuk mund të them se ishte strategjia ime, por ne kemi pasur probleme burokratike me Guindon dhe lojtarë të tjerë. Djemtë bënë një sakrificë të jashtëzakonshme në këtë ndeshje.

Pas këtij barazimi pa gola në transfertë, mendoni se keni më shumë shanse për kualifikimin në ndeshjen e dytë?
Morëm një rezultat pozitiv, kemi më shumë shanse, por në këto ndeshje duhet përqendrim, seriozitet dhe respekt gjithmonë për kundërshtarët.

U trembët se mos pësonit kur patë dy raste pasigurie të portierit dhe mbrojtjes në fund?
Ne kemi pasur dy-tri mundësi edhe me inferioritet numerik. Kujtoj këtu rastin e Mazrekajt, që ishte një veprim fantastik individual. Kundërshtari nuk pati raste të pastra shënimi. Kishte vetëm dy momente pasigurie të portierit tonë, por për fat në ato dy momente ne shpëtuam.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"