EKSKLUZIVE/ Kurbinasit shpallin “divorcin” me sulmuesin, Laçi afron dy lojtarë nga Korabi dhe Tomori

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 19, 2022 | 14:46

EKSKLUZIVE/ Kurbinasit shpallin “divorcin” me sulmuesin, Laçi afron dy lojtarë nga Korabi dhe Tomori

Hyrje dhe dalje te Laçi para ndeshjes së parë të turit të dytë të Ligës së Konferencës kundër moldavëve të Petrokub Hinçestit.

van harmon

“Panorama Sport” zbulon nga burime në klubin kurbinas se është larguar përfundimisht sulmuesi Van Dejv Harmon.

Ky i fundit nuk u grumbullua as në ndeshjen e kthimit në Mal të Zi ndaj Iskrës.

Klubi dhe lojtari kanë rënë dakord për të mos e vazhduar bashkëpunimin. Sulmuesi nga Liberia qëndroi dy sezone te Laçi, duke luajtur në total 44 ndeshje në Superiore, teksa shënoi vetëm 5 gola.

Në kampionatin e kaluar ai u penalizua prej dëmtimeve të shpeshta dhe humbi vendin e titullarit. 26-vjeçari është grumbulluar rregullisht nga kombëtarja e Liberisë në dy vitet që ka qenë pjesë e Laçit.

Tashmë Harmon do të kërkojë një tjetër ekip për të vijuar karrierën dhe nuk përjashtohet mundësia që të mbetet në Superiore.

Largimi i tij e çon në shtatë numrin e lojtarëve të sezonit të kaluar që nuk janë më pjesë e kurbinasve, teksa më parë kanë ikur Alen Sherri, Aleksandar Ignjatoviç, Bashkim Velija, Ardit Deliu, Juljan Shehu dhe Iljasa Zulfiu.

Ndërkohë, gazeta mëson se dy lojtarë të tjerë nga Kategoria e Parë i janë bashkuar së fundmi kurbinasve të Shpëtim Duros.

Bëhet fjalë për mbrojtësin e djathtë 22-vjeçar, Nikolin Duka, i cili mbylli sezonin me Korabin, si dhe mesfushorin Isi Manellari, i cili është 24 vjeç dhe vjen pas aktivizimit me Tomorin.

Të dy mund të quhen zyrtarisht afrime të Laçit, madje Manellari, i cili është një lojtar që mund të bëjë disa pozicione, është federuar menjëherë nga klubi për të qenë i gatshëm për ndeshjen e së enjtes ndaj moldavëve.

Përpara se Duka dhe Manellari të visheshin bardhezi, dy lojtarë të tjerë nga Korabi dhe Tomori janë bërë pjesë e Laçit, pikërisht Segerso Geci dhe Mario Barjamaj.

Fakti që klubi kurbinas u beson lojtarëve që kanë spikatur së fundmi në Kategorinë e Parë ia shton edhe më shumë vlerat para ndeshjeve në Ligën e Konferencës, ku synon të kalojë edhe Petrokub Hinçestin.

SK

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"