EKSKLUZIVE/ Gjici karikon Kukësin, zbardhet fjalimi para skuadrës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 12, 2022 | 14:20

EKSKLUZIVE/ Gjici karikon Kukësin, zbardhet fjalimi para skuadrës

Safet Gjici zbret në fushë. Presidenti i Kukësit i ka bërë ekipit një vizitë surprizë ditën e djeshme në stërvitje, për t’u dhënë kurajë për ndeshjen e radhës ndaj Dinamos dhe pjesën e mbetur të kampionatit.

GJICI 1

Situata jo e mirë në kampin kuksian, ku prej katër ndeshjesh nuk fitojnë, kanë vënë në rrezik serioz Europën.

Kjo ka detyruar Gjicin që t’i takojë nga afër. Në ndeshjen e fundit ndaj Vllaznisë në Elbasan, presidenti ka qenë i pakënaqur me atë që është zhvilluar në fushë, ndonëse ekipi mori një barazim që deri diku mund të quhej pozitiv.

Në fakt, për shkak të angazhimit si kryebashkiak i Kukësit, Gjici është larguar disi fizikisht nga skuadra, por duket se në javët e fundit prezenca e tij pranë ekipit do të jetë edhe më e madhe.

FJALIMI – Për disa minuta Gjici ka zhvilluar një bisedë me drejtuesit dhe lojtarët, para se të niste seanca stërvitore. Bëhet fjalë më shumë për një vizitë rutinë dhe kortezie, në të cilën presidenti shfaqi besimin si ndaj trajnerit, ashtu edhe lojtarët. Nuk munguan as batutat me notat e humorit.

“Panorama Sport” arrin të zbardhë edhe një pjesë nga fjalimi i Gjicit në këtë takim disa minutësh.

“Kukësi është një klub që ka krijuar historinë e vetë në futbollin shqiptar dhe çdo vit merr pjesë në garë për të fituar trofe. Rezultatet në javët e fundit nuk kanë qenë të mira, pasi jemi larguar nga objektivat, por ende jemi në garë për të kapur Europën.

Ne jemi munduar që t’iu krijojmë të gjitha kushtet, ndaj nëse keni ndonjë shqetësim mund të ma thoni dhe t’i japim zgjidhje. Dua t’ju konfirmoj se kam shumë besim te ju, te trajneri dhe të gjithë bashkë do të ecim përpara.

Përpara keni ndeshjen me Dinamon dhe ju e dini sa i rëndësishëm është rezultati, ndaj kam besim se do t’ia dilni.

Gjatë këtij sezoni e keni treguar se mund të bëni gjëra të bukura, prandaj të gjithë bashkë të japim maksimumin tonë dhe të shkojmë aty ku duhet për të arritur objektivat”, ka thënë ndër të tjera para ekipit presidenti i nderit.

STËRVITJA – Pas takimit të Gjicit me skuadrën, skuadra vijoi normalisht përgatitjet nën drejtimin e Diego Longos. Italiani dha direktivat e fundit në fushë, teksa të dielën do të luajnë përballjen me Dinamon.

Vijojnë të mungojnë në stërvitje dy lojtaret e dëmtuar, sulmuesi Shkurtaj dhe mbrojtësi Lulaj, të cilët mund të thuhet se e kanë humbur sfidën me Dinamon.

Në dyshim është për shkak të problemeve fizike edhe mbrojtësi i majtë, Emiliano Musta. Ndërkohë, pjesa tjetër e lojtarëve pritet që të jetë e gatshme për përballjen ndaj bluve.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"