EKSKLUZIVE/ “Ëndrra ime është të luaj me Realin”, rrëfehet zbulimi i Partizanit: Ja kush më kritikon më shumë (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 8, 2022 | 22:55

EKSKLUZIVE/ “Ëndrra ime është të luaj me Realin”, rrëfehet zbulimi i Partizanit: Ja kush më kritikon më shumë (E PLOTË)

Paulo Buxhelaj është një nga zbulimet e Partizanit në këtë sezon dhe në harkun e pak ndeshjeve është kthyer në titullar të padiskutueshëm. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, 19-vjeçari tregon frymëzimin e veçantë për emrin, ëndrrën për t’u veshur i kuq dhe besimin që ai dhe shokët kanë në fitimin e titullit kampion.

BUXHELAJ 2

Një Paulo, që luan në të majtë si Maldini. Kush jua ka vendosur emrin dhe a është frymëzuar nga legjenda e Milanit?

Emrin ma ka vendosur xhaxhai, që ka qenë tifoz i Milanit dhe Paolo Maldinin e ka pasur idhull. Më pas me një përshtatje të vogël një “o”, prindërit vendosën ta bëjnë “u”.

Në verë ndryshoi gjithçka dhe brenda pak muajsh jeni kthyer në titullar dhe lojtar kyç. Si ka ndikuar te ju emocionalisht gjithë ky ndryshim?

Ëndrra ime që kur kam nisur të luaj futboll në fëmijëri ka qenë që të arrij të luaj për Partizanin dhe në fazë përgatitore kam bërë më të mirën për veten time dhe për ekipin dhe fatmirësisht arrita të bind stafin.

Ju keni disa vite te Partizani. Ardhja këtu ishte zgjedhje zemre apo rrethanat ju bënë të visheshit i kuq?

Jo, unë e kam ndjekur Partizanin që i vogël, sepse e gjithë familja ime është me të kuqtë dhe ka qenë ëndrra ime që i vogël. Ka qenë emocion i madh kur munda të vij këtu. Më pas plotësova një dëshirë të madhe për të veshur fanellën e ekipit të parë të Partizanit

Kush është shembulli juaj te Partizani, por edhe në Kombëtare?

Te Partizani më ka pëlqyer gjithnjë Lorenc Trashi, sidomos kur unë nisa të luaj në anën e majtë.

Sa beson Partizani te titulli kampion në këtë sezon?

Partizani çdo vit futet me sytë te titulli kampion dhe ne jemi gati. Çunat të gjithë janë gati që ne ta vazhdojmë këtë rrugëtim deri në fund.

Trashi e la Partizanin në një moshë relativisht të madhe. Do të donit që ju të largoheshit më shpejt në liga më forta dhe të pasura?

Po, sigurisht, synimi im është që të shkoj gjithnjë e më lart, por synimi tani për tani është Partizani dhe dua të jap maksimumin në çdo stërvitje dhe në çdo ndeshje, më pas të shohim çfarë mund të bëjmë. Ju jeni i ri dhe po përmirësoheni dita-ditës, por ku mendoni se keni ende më shumë nevojë për t’u rritur? Mendoj se mund të përmirësohem akoma më shumë në aspektin difensiv, por mendoj se me kalimin e kohës do të rritem akoma më shumë në këtë aspekt dhe do të ndihmoj akoma më shumë ekipin. Trajneri gjërat m’i ka bërë më të thjeshta dhe me kalimin e kohës do të jem akoma më mirë.

Cili nga çunat është ai që ju mëson dhe ju kritikon më shumë?

Eneo Bitri është shoku i ekipit që më mëson, por edhe më kritikon më së shumti. Edhe në lojë e kam më pranë dhe kjo ndikon në këtë aspekt. Cili ka qenë trajneri që ka ndikuar më shumë në karrierën tuaj? Është Renaldo Kalari. E them këtë, sepse ai është trajneri i parë që më ka vendosur si mbrojtës i majtë dhe pas kësaj jam në ekipin e parë tashmë. Profesor Kalari nuk kursehej asnjëherë me këshilla pas çdo stërvitjeje dhe ndeshjeje që unë të luaja një ditë me ekipin më të mirë në Shqipëri, Partizanin.

Si shkoi faza përgatitore në Turqi, ndiheni më të fortë?

Gjithçka shkoi shumë, pasi edhe kushtet atmosferike dhe infrastruktura e stërvitjes ishte shumë e mirë. Kemi dhënë maksimumin në çdo stërvitje dhe shpresoj që kjo të na vlejë në ecurinë tonë në kampionat.

A jeni gati fizikisht pas problemeve fizike që keni pasur kohët e fundit?

Po, jam rikuperuar plotësisht dhe jam gati për të dhënë më të mirën time në çdo ndeshje dhe në çdo stërvitje.

Keni luajtur mbi 20 minuta në pjesën e dytë ndaj Erzenit dhe gjithashtu e keni parë ndeshjen nga pankina. Sa të sikletshëm janë shijakasit?

Ata kanë bërë një sezon shumë të mirë dhe kundër nesh kanë interpretuar një ndeshje të mirë, por ne jemi Partizani dhe do të futemi vetëm për fitore.

Keni një ekip të madh me të cilin do të dëshironit të luanit?

Është Real Madridi, e kam ëndërr dhe nuk i dihet asnjëherë.

Si është për një 19-vjeçar që të luajë një derbi me aq shumë tifozë në stadium?

Emocionet janë të papërshkrueshme. Je në mes të një atmosfere të jashtëzakonshme, sidomos kur ke në mbështetje një tifozëri si “Ultras Guerrils”, që nuk pushojnë asnjë minutë së mbështeturi ekipin.

Me cilin ekip jeni tifoz në Botëror?

Jam me Italinë, por në mungesë të tyre do të doja ta fitonte Ronaldo me Portugalinë e tij.

DENIS LALA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"