EKSKLUZIVE/ Dëshmia tronditëse: Si i vendosin arbitrat ndeshjet në Shqipëri (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 23, 2019 | 23:43

EKSKLUZIVE/ Dëshmia tronditëse: Si i vendosin arbitrat ndeshjet në Shqipëri (E PLOTË)

Ndonjëherë mjafton një shkëndijë për të hapur “Kutinë e Pandorës”. Në Shqipëri, ashtu si edhe në vende të ndryshme të botës, arbitrimi është pjesa më polemizuese e futbollit. Por, në Shqipëri ama, shpeshherë gjyqtarët akuzohen për gabime që i kalojnë njerëzoret apo edhe gabime kolektive në të njëjtën periudhë.

13438986_611833142327165_6308485576253878247_n

Ka nga ata si Lorenc Jemini, që mendojnë se arbitrimi këtë sezon ka qenë goxha më i mirë se vitet e shkuara. Gjithashtu, ka të tjerë që mendojnë krejtësisht të kundërtën. I tillë është rasti i Kleanto Shekos, aktualisht arbitër në radhët e Federatës Shqiptare të Futbollit, që rrëfen me detaje të hollësishme se si trajtohen arbitrat. Se si keqpërdoren ata nga kupola drejtuese dhe se si marrin urdhra për të bërë “çudira”.

Se si, pra, arbitrat përzgjidhen nga vetë presidentët për të bërë, sipas Shekos, “detyra që nuk i zgjidhin dot”. Arbitri Sheko ka qenë aktiv këtë sezon deri në nëntor të vitit 2018, por ndihet i neveritur nga fakti që, sipas tij, sektori i arbitrave është shndërruar në zyrë punësimi për miqtë dhe aty ku ndahen bluzat e zeza si në tepsi.

18765606_777572455753232_7711893649224309910_n

Në letrën që Sheko i ka dërguar “Panorama Sport” ditën e djeshme, thotë se shefat që bëjnë ndarjen e arbitrave i quajnë “budallenj” ata që arbitrojnë drejt… Ai i bën thirrje Dukës të ndërhyjë, pasi pretendon se për çdo pisllëk që bëhet përdoret emri i presidentit të FSHF-së.

JA LETRA E PLOTË E GJYQTARIT

Në fakt, mendova të mos shkruaja, mendova ta lija në heshtje. Por, kur pashë që për të disatën herë na bëtë përsëri “klounë”, vendosa të flas dy fjalë. Megjithëse arbitër deri në nëntor në Kategorinë e Dytë, kuptova shumë qartë se çfarë pluhuri e ka zënë Sektorin e Arbitrimit në federatë. Përjashtoj këtu Tahir Kastratin dhe Petrit Brahjen, sepse nuk kanë funksione vendimmarrëse. Respekt për moshën dhe mendoj se ata ende ruajnë ndonjë vlerë njerëzore. Një pluhur që do pastruar me lavash, jo me pecetë duarsh… Dëgjova dhe ish-arbitrin e FIFA-s, Lorenc Jemini, që thoshte se “ky ishte sezoni më i mirë i arbitrave”. Megjithëse gëzon respektin, i them Jeminit se si mund të ketë qenë i tillë kur janë rrahur arbitra në Superiore, madje “live”?!

E si mund të ketë qenë i tillë kur kanë ndodhur çudira në kategoritë inferiore?! E si mund të ketë qenë i tillë kur kanë hequr me lezet Olsi Sokolin, më të përgatiturin fizikisht?!

E si mund të ketë qenë i tillë kur asnjë arbitri të Shqipërisë nuk i besohet një ndeshje mesatare si (TiranaKastrioti)?! E si mund të ketë qenë i tillë, kur që te moshat (të rinjtë dhe paratërinjtë) arbitrat e dinë ndeshjen që të hënën?!

E si mund të jetë i tillë, kur sistemi në federatë për kualifikimin e arbitrave nuk funksionon, megjithëse ekziston…?! Aty ku ndahen si pjesë tepsie: “ky është i imi, ky është i këtij, ky është i yti, ky tjetri ka mik të fortë, për këtë ka dhënë urdhër filani…”.

Pastaj fillon ndarja tjetër: “ky i pari ky s’ka njeri, lëre s’ka gjë, ky është (budalla) se i bie drejt…”. E si mundet vallë të vazhdojë kështu, kur ju kolegë dhe ish-kolegë e dini mirë që presidentet ju marrin nëpër ndeshje dhe ju detyroheni të bëni çudira?!

E si mundet, kur ju kolegë apo ish-kolegë e pranoni në heshtje këtë që po ndodh me ju dhe futbollin në Shqipëri?! Megjithëse nuk është vetëm faji i tyre pluhuri në KCA (Komiteti i Caktimit të Arbitrave), por dhe i juaji, sepse për një ndeshje më shumë pranoni edhe detyra që ndonjëherë nuk u jepni dot zgjidhje. Sepse akoma nuk e dini që futbolli është loja më e bukur në botë. Futbolli është respekt, futbolli është “fair play”, futbolli është pasion dhe përkushtim.

Ndaj, edhe ne jemi pjesë e rëndësishme e tij. Nëse nuk e dinit, ndoshta e mësuat tashmë. Nuk shkruaj sepse dua t’ju kritikoj apo sepse dhe mua më është bërë padrejtësi, apo ndoshta sepse jam mërzitur që nuk më kanë ngritur në Kategori të Parë apo Superiore, por shkrova për arsyet qesharake të pluhurit që ka zënë zyrat e federatës. Shkrova që presidenti të marrë vesh që këta i përdorin emrin e tij në çdo vend dhe e kanë kthyer arbitrimin në zyrë punësimi për miqtë e tyre.

Çdo gjë që bëhet në arbitrim, bëhet në emër të tij. Çdo pisllëk që ata bëjnë ia faturojnë atij. Po shkruaj dhe që presidenti të kuptojë se i kushton më pak FSHF-së dhe futbollit tonë një dizenjator i huaj se pluhuri që është në federatë. Në fakt, nga pluhur tashmë është kthyer në gëlqere që do bëjë pis dhe zyrën e tij.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"