EKSKLUZIVE/ Babai i Redon Xhixhës: Doja të bëhej piktor, por më mirë që s’më dëgjoi…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 23, 2022 | 0:00

EKSKLUZIVE/ Babai i Redon Xhixhës: Doja të bëhej piktor, por më mirë që s’më dëgjoi…

Redon Xhixha është një nga blerjet më të godi tura të Tiranës dhe protagonist i një titulli që bardheblutë thjesht duhet ta vulosin matematikisht, sepse tashmë e kanë të tyren. Mirëpo, nuk është e lehtë për një familje shqiptare të nivelit të mesëm të përballojë investimin që duhet ndër vite për të nxjerrë një lojtar të nivelit të lartë dhe me perspektivë. Nuk është as e pamundur, natyrisht, por duhen sakrifica të mëdha.

Xhixha Babai

Shembulli tipik është rasti i Redon Xhixhës dhe babai i tij, sot oficer policie në Kurbin, nuk e fsheh se i është dashur të kalojë shumë pengesa që djali të mbërrijë në këto nivele. Shefqet Xhixha, babai i Redonit, është koleg pune me babanë e një tjetër futbollisti të Tiranës. Madje, në të njëjtin komisariat.

Bëhet fjalë për Fran Përgjonin, babanë e Florjan Përgjonit, mbrojtësit që ka spikatur këtë sezon me bardheblutë dhe gradualisht ka fituar gjithnjë e më shumë minuta në radhët e kryeqytetasve. “Jemi kolegë me Fran Përg jonin, ai është eprori im këtu. Natyrisht, jashtë punës flasim edhe për futbollin dhe për djemtë tanë”, thotë Shefqet Xhixha ekskluzivisht për “Panorama Sport”.

Z.Xhixha, a jeni i kënaqur me Redonin këtë sezon?

Po, shumë i kënaqur. Kisha besim që do të përshtatej te Tirana, ndoshta jo kaq shpejt, por më vjen mirë për sezonin që ka bërë.

Nga Laçi te Tirana dhe tani pothuajse kampion… A e kishit menduar se djali juaj do të fitonte titullin që në sezonin e parë te Tirana?

E shpresoja shumë, por gjithnjë duke pasur një lloj hezitimi, sepse ishte ai meraku i ndryshimit. Për fat të mirë ka gjetur një grup shumë të mirë futbollistësh dhe stafi me drejtuesit e kanë ndihmuar shumë të përshtatej. Jam i lumtur për këtë, sepse ndryshimet nuk janë asnjëherë të lehta.

Si e nisi Redoni futbollin?

Unë në fakt doja ta çoja në shkollë dhe kisha plan tjetër, por ai ishte kaq i pasionuar pas futbollit saqë në fund u dorëzova. E nisi te shkolla e Mjeshtërisë Sportive, më pas te Laçi dhe tani me Tiranën. Por nuk doli edhe aq keq…(qesh).

Çfarë dëshironit ju të bëhej djali juaj?

Ai ka pasur një talent të jashtëzakonshëm në pikturë. Dhe të them të drejtën doja që të vazhdonte shkollën për pikturë. Mirëpo, kishte talent dhe shumë më tepër dëshirë për futboll. Iu binda dëshirës së tij të madhe dhe nuk më zhgënjeu.

Sa sakrifica duhet të bëjë një familje për të rritur një futbollist që po fiton titullin te Tirana?

Shumë sakrifica, më besoni. Për t’u bërë futbollist duhet pasioni dhe këmbëngulja, por duhen edhe sakrifica, sepse ka shpenzime dhe të papritura nga më të ndryshmet. Këtë mund ta kuptojnë vetëm ato familje dhe ata prindër që kanë një fëmijë sportist.

Ju punoi oficer policie dhe keni koleg pune babanë e futbollistit tjetër të Tiranës, Florjan Përgjonit, apo jo?

Po, e saktë. Jemi koleg me Franin këtu në komisariatin e policisë së Kurbinit. Ai është eprori im.

A flisni shpesh për futbollin dhe për djemtë tuaj?

Po, natyrisht që po. Shumë herë diskutojmë jashtë punës për djemtë. Është normale, sepse ka rastisur që ata janë në të njëjtën skuadër dhe ne jemi në të njëjtin profesion.

A do të qëndrojë Xhixha te Tirana edhe vitin tjetër?

Nuk e di, nuk merrem me zgjedhjet që bën djali im. Gjithnjë i kam lënë atij të zgjedhë dhe nuk dua të ndërhyj. Me siguri për çdo gjë rreth së ardhmes së tij ai do ta vendosë vetë së bashku me klubin. Unë nuk përzihem.

JETMIR HALILAJ – PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE: 

EKSKLUZIVE/ Rrëfimi special i Fran Përgjonit, flet babai polic i futbollistit të Tiranës: Florjani krenari, por më ka kundër në derbi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"