EKSKLUZIVE/ Rrëfimi special i Fran Përgjonit, flet babai polic i futbollistit të Tiranës: Florjani krenari, por më ka kundër në derbi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 22, 2022 | 20:15

EKSKLUZIVE/ Rrëfimi special i Fran Përgjonit, flet babai polic i futbollistit të Tiranës: Florjani krenari, por më ka kundër në derbi

Florjan Përgjoni është një nga zbulimet e këtij sezoni. Mbrojtësi i krahut të majtë, ndonëse nuk ka qenë titullar, ka ditur të tregojë veten në Superiore. Goli i parë në derbi, por edhe qetësia dhe loja e kanë bërë një kandidat për titullar për sezonin. Fizikisht është një nga lojtarët me parametra fantastikë, por jo vetëm.

Pergjoni dhe babai polic

Po cili është Përgjoni. Babai i tij Fran Përgjoni, oficer policie, rrëfen karrierën e djalit të tij, që nga fillimet te Shkëndija e Durrësit te Tirana dhe titulli kampion. Thotë që është tifoz me Partizanin, por ka gëzuar për golin në derbi, ndërsa të birin e sheh plot krenari për arritjen që ka bërë.

Zoti Fran, si ka nisur karriera e djalit tuaj, Florian Përgjoni?

Floriani është aktivizuar me klasat sportive në Lezhë, ku trajner kishte Vesel Sokolin. Kur mbaroi 9-vjeçaren konkurroi te shkolla e Mjeshtërisë Sportive në Durrës. Ishte konkurs ku djali doli i dyti nga 400 vetë që garuan. Luajti titullar me paratërinjtë e Mjeshtërisë Sportive, si dhe me të rinjtë dhe me trajner Fatos Kuqin.

S’e harroj, pas testit me top, e thirri drejtori i shkollës dhe i kërkoi gjeneralitetet. Isha së bashku me të gjithë prindërit dhe më thonë ata që kisha në krah: “Djali yt ka fituar”. Jo u thashë. I zhvilloi të gjitha testet dhe në fund doli fitues.

Si e bëri hapin e madh?

Shkolla mbaroi, por fati e deshi që Stavri Nica të vinte trajner i Besëlidhjes. Bëri një test për të gjithë lojtarët dhe e përzgjodhi djalin. Spikati si alf i majtë. Më pas spikati me Dinamon, Tiranën dhe Partizanin.

Dy golat i shënoi Floriani. Aty nisi ngjitjen te Besëlidhja. Më pas u detyrua të shkonte te Burreli dhe ai dhe një tjetër, me lojën e tyre e mbajtën Burrelin në kategori. Julian Ahmataj e pa djalin dhe ua sugjeroi drejtuesve të Tiranës. Më pas e panë drejtuesit e Tiranës, Osmani e Shehi. Me Tiranën u paraqit shumë mirë dhe kulmi është goli në derbin me Partizanin.

Çfarë keni dashur që të bëhet djali?

Karriera sportive është një. Si Florianit dhe djalit tjetër Gjergjit që luan me Tiranën U-21 u kam thënë, se paçka se sa do të ecni në futboll ju dua me diplomë dhe të shkolluar. Floriani është në master, vitin e fundit. Ka ndjekur rrugën e sportit. Doja një shkollë profesionale siç bëra unë Akademinë e Rendit dhe dola oficer policie.

Sa e vështirë është për një familje normale që të rrisë një fëmijë sportist, flas financiarisht e me radhë?

E kemi mbështetur, por realisht është e vështirë. Gjithsesi, ai i ka marrë gjërat me zotësi, i ka shlyer të gjitha.

E ndiqni djalin tuaj në stadium?

Vij dhe e shoh në çdo takim që luhet në stadium së bashku me shokë të mi. Kënaqësia më e madhe ishte kur shënoi golin me Partizanin. Këtë e them jo për tifozllëk, se unë jam tifoz me Partizanin, por djali shënoi golin me kokë.

Gjë fantastike. Gëzim dhe krenari për familjen tonë. Diçka fantastike që djali im është në atë pozicion. Të luash me Tiranën dhe t’i bësh gol Partizanit. Është krenari për familjen tonë. Më përgëzojnë të gjithë.

Kampion që vitin e parë?

Që në fillim djali e tha që dalim kampionë. Arsyeja, luajnë shpejt, me ritëm, me skema.

Dimë që jeni koleg me babain e Xhixhës. Ju jeni shefi i tij?

Me babain e Xhixhës njihemi prej kohësh. Aktualisht jam shefi i patrullës së Kurbinit, më parë kam qenë shef i shërbimeve në Laç. E njoha atje. Takoheshim shpesh në ndeshje dhe flisnim për djemtë.

Im bir me Shkëndijën e Durrësit, ai me Shkëndijën e Tiranës. Redoni është djalë i urtë, punëtor dhe i edukuar. Sheh vetëm topin e fushën.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"