“Ekipi u ndërtua për suksese, kemi synime në Superiore”, Lleshi: Elbasani për trofe, ja “sekreti” i 3 golave

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 7, 2024 | 12:45

“Ekipi u ndërtua për suksese, kemi synime në Superiore”, Lleshi: Elbasani për trofe, ja “sekreti” i 3 golave

Arsen Lleshi është mësuar të shënojë gola me peshë këtë sezon për Elbasanin, pasi kur ai gjen rrjetën, verdheblutë fitojnë gjithnjë. Mirëpo, një nga mbrëmjet më të bukura të karrierës së tij ishte ajo e së shtunës përballë Tomorit.

lleshi 3 gola

 

Sulmuesi realizoi një tripletë personale, duke marrë në fund edhe topin me firmat e shokëve të skuadrës për në shtëpi. Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, 24 vjeçari tregon emocionet e përjetuara dhe “sekretin” e golave në “Elbasan Arena”. Lleshi asnjëherë nuk është i kënaqur me veten, ndërsa shpreson që ta mbyllin me një fitore ndaj Bylisit dhe ai të gjejë rrugën e rrjetës që i mungon ndaj mallakastriotëve.

Lleshi, sa i kënaqur jeni për tre golat e shënuar?

Dihet që një sulmues jeton për golin dhe me golin. Të shënosh tre në një ndeshje është një kënaqësi më vete, pasi nuk ndodh shpesh. Për më tepër që ishte një ndeshje që na siguroi matematikisht edhe titullin kampion. Por, meritë kanë padyshim edhe shokët e ekipit, sepse i vetëm nuk mund të bësh asnjëherë asgjë.

Kujt ia dedikoni këtë tripletë?

Ka vend për të gjithë kur shënon tre gola (qesh). Nuk e di, ia dedikoj gjithë ekipit, stafit, tifozëve tanë të mrekullueshëm dhe padyshim edhe familjes sime.

Keni shënuar 12 gola deri tani, sa i kënaqur je me sezonin në aspektin personal?

Mund të them se jam i kënaqur dhe ka qenë brenda synimeve që kam pasur. Kuptohet që gjithnjë ka mundësi për më mirë dhe një lojtar nuk duhet të jetë asnjëherë i kënaqur me veten e tij. Përpiqem që gjithnjë të bëj më të mirën time.

Pjesën më të madhe të golave i ke realizuar gjatë ndeshjeve në shtëpi, pse ndodh kjo?

Është magjia që të jep një stadium si ky i yni, ku vazhdimisht ndiejmë atmosferën që krijohet në shkallët e tij. Të gjithë kemi një motiv ekstra kur luajmë në shtëpi dhe jo më kot aty nuk kemi asnjë humbje në historinë tonë.

Megjithatë, Bylisit nuk i keni shënuar ende…  

E vërtetë është. Por, kemi edhe një ndeshje për të luajtur dhe kam besim se do ta mbyll sezonin me një gol në sfidën e fundit. Megjithatë, e rëndësishme për mua është që jap gjithnjë kontributin tim për skuadrën, si kur shënoj ose jo.

 

 

Tani jeni matematikisht kampionë, si e prisni përballjen e fundit me Bylisin?

Për ne nuk ka asnjë dallim, pasi në fushë do të hyjmë për ta fituar dhe jo me idenë që jemi kampionë. Në njëfarë mënyre është edhe një ndeshje prestigji midis dy prej skuadrave që sezonin tjetër do të jenë pjesë e Superiores.

Si e shihni Elbasanin në Superiore?

Di të them që edhe aty do të jemi konkurrues, duke e ditur se çfarë kanë në mendje drejtuesit me presidentin. Ky klub është ndërtuar për të synuar gjithnjë trofe, ndaj edhe në Superiore do mundohemi të tregojmë forcën tonë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"