Dy vëllezër te Skënderbeu, prezantohet Markoni: Dikur kam lënë David Luizin në stol

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 8, 2014 | 9:06

Dy vëllezër te Skënderbeu, prezantohet Markoni: Dikur kam lënë David Luizin në stol

Markoni Riberiro dhe TakajMarkoni Ribeiro Soza është zyrtarisht lojtar i Skënderbeut. Lajmi i paralajmëruar në “Panorama Sport” që më 15 maj është konkretizuar dje, pas marrëveshjes së arritur mes mesfushorit brazilian dhe klubit korçar. Pasi mbërriti në orët e vona të së shtunës në Tiranë, 26-vjeçari mbylli gjithçka me presidentin Ardjan Takaj drekën e djeshme. I shoqëruar nga menaxheri i tij shqiptar, Mario Cenolli, braziliani pranoi të firmoste një kontratë 1-vjeçare me opsion rinovimi edhe për një sezon tjetër. Shifrat nuk janë bërë të ditura nga palët, por mendohet se Markoni do të përfitojë 4 mijë euro në muaj te Skënderbeu. Mesfushori është vëllai i mbrojtësit Ademir dhe për herë të parë do të luajnë në një ekip, pasi këtë mundësi s’e kanë pasur në Brazil. Menjëherë pas zyrtarizimit, Markoni foli ekskluzivisht për gazetën. “Nuk e kisha menduar kurrë që për herë të parë së bashku në një skuadër do të luaja në Shqipëri me vëllanë tim. Falënderoj presidentin e Skënderbeut për besimin e dhënë. Unë do të mundohem t’ua shpërblej të gjithëve në fushë”, është shprehur ndër të tjera afrimi i radhës te kampionët.
Markoni, më në fund jeni zyrtarisht lojtar i Skënderbeut…
Ishte diçka që e prisja prej ditësh. Jam i lumtur që kam arritur marrëveshjen me klubin kampion të Shqipërisë. Për këtë më duhet të falënderoj menaxherin tim, Mario Cenolli, si dhe pa dyshim presidentin e Skënderbeut, Ardjan Takaj. Do të mundohem që gjithçka ta justifikoj me lojën time në fushë.
Vëllai juaj, Ademir, ndikoi më shumë në këtë lëvizje?
Po, sigurisht. Ademir më ka folur fjalët më të mira për Skënderbeun. Duke filluar nga skuadra, qyteti, kushtet dhe të gjitha aspektet që e bëjnë një futbollist të ndihet profesionist. Garancia financiare është parësore dhe unë nuk u mendova dy herë kur ma ofruan këtë mundësi. Natyrisht, vëllai im ishte një shtysë e madhe. Mezi pres të luajmë së bashku, për të kënaqur ata që besojnë te ne. Jam i sigurt se do t’i bind të gjithë në Korçë.
Nuk keni luajtur asnjëherë me Ademir në një skuadër në Brazil?
Jo, si për ironi të fatit, nuk na është dhënë asnjëherë mundësia. Kemi qenë në skuadra të ndryshme, por ia që futbolli është i paparashikueshëm dhe na bashkoi në Shqipëri. Gjithsesi, të jem i sinqertë, s’e kam menduar kurrë që një ditë do të luaja bashkë me vëllanë tim më të madh në një skuadër në Europë.
Çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje gjatë 24 orëve që jeni në Shqipëri?
Impakti i parë është ashtu si e parashikoja. Mënyra se si sillen njerëzit këtu më bën të ndihem shumë mirë. Të paktën, me kaq orë sa jam në Shqipëri, këdo që kam takuar, qoftë në rrugë apo lokale, më ka bërë përshtypje për ngrohtësinë që ka treguar. Për këtë me ka folur edhe Ademir, por tani po e konfirmoj vetë. Jam habitur kur kam parë shumë flamuj të Brazilit dhe për më tepër që ka shumë tifozë të Kombëtares sonë. Nuk e prisja këtë, jam i befasuar. Deri tani kam vizituar Tiranën dhe Durrësin, por mezi pres të shikoj Korçën, teksa më kanë thënë që bën edhe shumë ftohtë.
A ju ka rënë rasti të luani në një skuadër me ndonjë nga lojtarët e Kombëtares braziliane?
Po, me David Luiz. Madje kam një histori interesante me të, që ndoshta juve nuk do t’u besohet në këtë moment.
Për çfarë bëhet fjalë?
Deri në vitin 2005 kemi qenë në një skuadër, pikërisht tek të rinjtë e Vitoria Bahias. Luiz e ka nisur si mesfushor qendre, në një rol me mua. Luftonim të dy për një vend titullari dhe deri në momentin kur David provoi të luante si qendërmbrojtës, ka qenë gjithnjë rezerva ime. Trajneri preferonte mua, sepse isha më mirë teknikisht se David. Të kuptohemi, bëhet fjalë për fillimet e karrierës sonë. Më pas gjërat morën rrugë tjetër për të dy dhe Luiz tashmë është një lojtar i famshëm i Kombëtares së Brazilit.
Cili është pozicioni që ndiheni më mirë në fushë?
Bëj rolin e mesfushorit shkatërrues dhe të një organizatori. Pra, më shumë një lojtar qendre. Sigurisht, arma ime e fortë është teknika me topin.
E dini që te Skënderbeu reparti i mesfushës ka shumë rivalitet për një vend?
Po, më ka folur Ademir. Kam parë edhe video të disa ndeshjeve dhe më kanë pëlqyer shumë Shkëmbi, Orelesi, Lilaj etj. Jam i ndërgjegjshëm që do të më duhet të bëj shumë për të luajtur.
Cili ka qenë kulmi juaj në Brazil?
Aktivizimi te Vitoria në Salvador të Bahias në vitet 2008-2010. Luajta në nivelin më të lartë të përfaqësimit me këtë skuadër.
Skënderbeu do të luajë ndeshjen e parë të Ligës së Kampioneve me BATE Borisov më 15 korrik, ju jeni gati?
Së pari, unë mezi pres të zhvilloj stërvitjen e parë me skuadrën, për t’u ambientuar sa më shpejt. Gjatë kësaj periudhe jam stërvitur rregullisht në Brazil, por nuk mund t’ju them që jam në 100% të formës sime. Duhen ndoshta dy javë kohë që të përshtatem, por dëshira ime është ta ndihmoj Skënderbeun që në Champions.
JORGIS MEMO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"