Dy faza për 19 pikë, Kukësi i Nicës “kopjon” sezonin e kaluar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 28, 2023 | 15:25

Dy faza për 19 pikë, Kukësi i Nicës “kopjon” sezonin e kaluar

Kukësi shpreson që pas janarit të ndërrojë “marsh” dhe të mos endet më në vendet e fundit për të vënë në rrezik serioz mbijetesën në Kategorinë Superiore.

kukesi stavri nica

Për këtë arsye mund të bëhen edhe lëvizjet në merkato, edhe pse me shumë gjasa do të jenë me pikatore, për të mos prishur grupin që kanë krijuar. Skuadra ka treguar se reagon, ndonëse nuk ia ka dalë të fitojë në sfidat e fundit, të paktën edhe nuk ka dalë e mundur nga fusha e lojës. Sinjale këto për stafin teknik dhe drejtues që Kukësi nuk ka asgjë më pak sesa rivalët që kanë të njëjtin synim si ata, të sigurojnë sa më parë mbijetesën në elitë.

KRAHASIMI Kukësi duket si një fotokopje e edicionit të kaluar. Mjafton të shohësh ecurinë e skuadrës në dy fazat e para për të dalë në këtë konkluzion. Ashtu si një sezon më parë, edhe tani Kukësi ka grumbulluar të njëjtën sasi pikësh, 19. Vetëm se ka një ndryshim fare të vogël dhe jo shumë të rëndësishëm me situatën që po përjeton. Këtë sezon janë në vendin e parafundit, ku kanë lënë pas Teutën, ndërsa 365 ditë më parë e mbyllën të fundit në vendin e dhjetë.

Me sezonet e kaluara në Superligë as nuk mund të krahasohen dy fazat e para, pasi janë shumë më lart në aspektin e pikëve. Sa i përket golave, këtë vit kanë shënuar 18 dhe kanë pësuar 25, përkundrejt 15 golave të realizuar dhe 20 ndëshkime të një viti më parë. Gjithsesi, ajo që ka rëndësi në një kampionat është fundi i tij dhe sezonin e kaluar blutë ia dolën të mbijetonin, duke evituar madje edhe ndeshjen shtesë. Këtë vit synimi është i njëjtë dhe janë të gjitha gjasat që ekipi në fund të mbijetojë sërish, duke mos lejuar në këtë mënyrë arritjen e fundit të një cikli të nisur më shumë se një dekadë më parë.

Siç dihet, për këtë sezon klubi i Kukësit bëri shkurtime drastike në buxhet, pasi qëndrimi tri vite larg kupave të Europës solli një “gropë” financiare dhe detyroi presidencën që për herë të parë në gjithë këto sezone në Superiore të mos pretendonin titullin kampion. Nëse klubi në fund të këtij sezoni ia del të sigurojë mbijetesën, mund të cilësohet si një objektiv i arritur dhe duket se i kanë të gjitha shanset, pasi shifrat për gjysmën e parë të sezonit i japin shpresë.

V. MEMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"