Dueli i jetës, Skënderbeu luan për 6.1 milionë euro

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 5, 2015 | 10:53

Dueli i jetës, Skënderbeu luan për 6.1 milionë euro

skenderbeu milsamiVitet e fundit, futbolli shqiptar ka pa sur një rritje të nivelit për shkak se disa klube kanë investuar së paku 1 milion euro në sezon. Por, imagjinoni një klub që garanton minimumi 6.1 milionë euro përfitime për edicionin pasardhës. Po, po, 6.1 milionë euro është shifra që do të sigurojë Skënderbeu nëse kualifikohet ndaj Milsamit dhe shkon në fazën “play-off” të Ligës së Kampioneve.

Së pari, një arritje rekord, pasi asnjë klub shqiptar nuk ka mundur të ketë një ecuri kaq të suksesshme në kompeticionin prestigjioz dhe, së dyti, një përfitim financiar i padëgjuar më parë një ekip të Superiores. Sot, në “Elbasan Arena”, korçarët e trajnerit Mirel Josa do të kërkojnë të vulosin biletën për në turin tjetër, pasi realizuan një paraqitje të shkëlqyer në Moldavi dhe fituan me rezultatin 2-0. Një mundësi e artë, për klubin dhe vetë futbollin shqiptar. Nëse dy vite më parë u eliminuan prej fatit të keq nga gjuajtjet e penalltive ndaj Çernomoretsit, këtë herë duhet të përgatiten për festë madhështore pas sfidës…

Premiot e UEFA-s

UEFA i ka rritur ndjeshëm shpërblimet për klubet gjatë këtij edicioni. Vetëm për pjesë- marrjen në raundin e dytë të Champions-it, ekipi i Skënderbeut përfitoi plot 300 mijë euro. Një vit më parë do të kishte marrë vetëm 175 mijë euro. Ndërkohë, me kualifikimin që realizoi ndaj Krusaders dhe pjesëmarrjen në duelin ndaj Milsamit, për ekipin e presidentit Takaj u shtuan edhe 400 mijë euro të tjera, si shpërblim nga UEFA. Por, 700 mijë eurot e përfituara tashmë duken një “bakshish” krahasuar me shifrën që do arkëtohet pasi të kalojnë edhe ndeshjen me Milsamin. Për të sqaruar më saktë, nëse Skënderbeu eliminohet në raundin tjetër, “playoff”, i ka të sigurta 5.4 milionë euro si premio. Në rast kualifikimi magjik edhe në “playoff”, atëherë fiton shifrën e pabesueshme të plot 14 milionë eurove. Po, si llogaritet? Nëse eliminohet në “play-off”, Skënderbeu përfiton 3 milionë euro për pjesëmarrjen në këtë tur të Champions-it. Më pas, merr pjesë në fazën e grupeve të Ligës së Europës, ku për këtë pjesëmarrje i shtohen edhe 2.4 milionë euro të tjera. Ndërkohë, në rast se arrin të kualifikohet në “play-off”, përfiton 2 milionë euro për pjesëmarrjen në këtë tur, por i shtohen plot 12 milionë euro të tjera për kualifikimin në grupet e Championsit. Shifra që u japin korçarëve garancinë e ndërtimit të një klubi “luksoz”, që rrjedhimisht do të rrisë edhe nivelin e Kategorisë Superiore. Sot, ndaj Milsamit, të besuarit e Mirel Josës do të luajnë një ndeshje me vlerë 6.1 milionë euro. Për ata që duan ta kuptojnë më qartë, për 8 miliardë e 540 milionë lekë…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"