Drejtori i Juves, Xhuntoli: Humbim dhe fitojmë së bashku, e lehtë të fajësosh vetëm Alegrin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 3, 2024 | 14:09

Drejtori i Juves, Xhuntoli: Humbim dhe fitojmë së bashku, e lehtë të fajësosh vetëm Alegrin

“Nuk komentoj thashethemet, dua të flas vetëm për ndeshjen me Lacion”. Ishte ky komenti i ftohtë i Kristiano Xhuntolit, përpara ndeshjes. Drejtori sportiv i Juventusit ka anashkaluar lajmet lidhur me interesimin e Napolit për krahun e tij të djathtë, Xhovani Mana, i cili duket i përzgjedhuri për zonën tekniko-sportive të të kaltërve për sezonin e ardhshëm.

xhuntoli alegri

Ndërkohë, për një temë edhe më të rëndësishme sesa kjo, e cila lidhet mbi të gjitha me fatet e stolit bardhezi për sezonin e ardhshëm, Kristiano Xhuntoli, ofron mbrojtjen e radhës ndaj Masimiliano Alegrit. “Kjo me Lacion është një ndeshje jo e rëndësishme, por shumë e rëndësishme për Juventusin… Dhe mbi të gjitha, kur je në një moment të vështirë është shumë e lehtë që të gjesh fajtorin në nxehtësi e sipër… Kjo do të ishte shumë e lehtë madje, sepse kur fiton nuk është meritë e trajnerit, ndërsa kur humbim i merr ai të gjitha fajet?! Jo, këtu te Juventusi fitojmë dhe humbim të gjithë së bashku, klub, stafi teknik dhe lojtarë. E dimë që është një moment delikat, por ne duam fillimisht të ndryshojmë këtë trend të shëmtuar, më pas të mendojmë për të tjera gjëra, pasi kemi ende shumë ndeshje për të luajtur.

Planet e merkatos së Juves? Edhe kjo është një temë shumë e gjerë, por le të përqendrohemi tek e ardhmja dhe nga ku dhe nga kush duhet të hedhim bazat për të ardhmen. Ne duam finalen e Kupës së Italisë, është ky objektivi i parë që na ofron kalendari për të arritur, ndërsa zona Champions dhe kualifikimi në turneun më të rëndësishëm për klube sezonin e ardhshëm ka qenë objektivi kryesor i fillimsezonit. Vetëm pasi të kemi arritur këto do të mund të kemi një kthjelltësi dhe qetësi për të bërë edhe planet për të ardhmen, merkato dhe çdo gjë tjetër. Në futbollin e sotëm dhe me ato çfarë ka pësuar Juventusi në vitet e fundit është stabiliteti dhe ekuilibri ekonomik i klubit gjëja thelbësore, sepse duke pasur këtë do të kemi mundësi që të planifikojmë me më qetësi gjithçka tjetër për të mirën e Juves. Kjo, pasi ky klub meriton që të jetë konkurrues në Itali dhe në Europë.

Mos harrojmë se një sezon varet edhe nga çështje fati, nga episode, siç janë për shembull disa ndeshje të rëndësishme në të cilët Vlahoviç na ka munguar, Milik ka qenë i dëmtuar, ashtu sikurse Ken që rikthehet në dispozicion pas 4 muajsh. Janë disa detaje e aspekte që vendosin shumë në një sezon, edhe pse ne te Juventusi nuk kemi kërkuar kurrë justifikime, prandaj duam vetëm të shohim përpara dhe të ndryshojmë ritmin tonë në këtë fazë të dytë”, përfundoi Xhuntoli.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"