“Do të ketë disa afrime cilësore”, Gvozdenoviç: Ja si do të jetë Skënderbeu i Superiores

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 11, 2023 | 15:14

“Do të ketë disa afrime cilësore”, Gvozdenoviç: Ja si do të jetë Skënderbeu i Superiores

Skënderbeu është kthyer në një kantier ndërtimi për sezonin e ri dhe ndryshimet në klub duket se do të jenë të shumta pas rikthimit të ekipit në Kategorinë Superiore.

gvozdenovic

Përveç afrimeve dhe largimeve të lojtarëve, korçarët do të bëjnë edhe disa plotësime në stafin teknik, teksa të gjitha ndryshimet do të prezantohen në fund të muajit qershor nga vetë presidenti Ardjan Takaj. Trajneri i rikonfirmuar, Ivan Gvozdenoviç, do të ketë një staf më të plotë dhe një grup pune bashkë me kreun e klubit për të ndërtuar ekipin e sezonit të ri. Në një komunikim telefonik nga Beogradi, trajneri i Skënderbeut ka bërë me dije për “Panorama Sport” se kërkon të ketë të gjithë grupin e lojtarëve në dispozicion në ditët e para të grumbullimit, duke shtuar këtu edhe afrimet e mundshme. Sipas tij, vetëm kështu do të ketë një mundësi më të mirë menaxhimi dhe përzgjedhjeje.

“Edhe pse kemi mbyllur një sezon të vështirë dhe është koha për të pushuar, ne jemi në punë për të ndërtuar ekipin e sezonit të ri. Do të jetë një grup cilësor dhe kjo nuk ka vend për diskutime, pasi plani i presidentit Takaj, por edhe ambiciet e mia, janë shumë të qarta. Do ta nisim me lojtarët që mbyllën sezonin e kaluar. Do të jenë të paktë ata futbollistë që do të largohen. Unë dua një ekip të gjerë, me shumë futbollistë në nisjen e fazës përgatitore, në mënyrë që të kem mundësi të përzgjedh dhe më pas të vendos përfundimisht për dilemat që mund të kem. Veç lojtarëve që mbyllën me ne sezonin, do të ketë edhe afrime të shumta, që do të vijnë të testohen dhe në bazë të cilësive, do të shohim se kush do të qëndrojë. Na pret një punë e madhe, por Skënderbeu i sezonit të ri do të jetë konkurrues”, ka thënë fillimisht trajneri Gvozdenoviç.

AFRIMET – I pyetur për emrat e lojtarëve që pritet të afrohen, teksa janë lakuar së fundmi portieri Edmir Sali, mbrojtësit Ante Osmanllari dhe Ardit Peposhi, si dhe mesfushori Xhuljo Tabaku, trajneri nuk ka dashur që të komentojë. Megjithatë, ai ka theksuar se merkatoja e Skënderbeut ka filluar dhe do të vijnë shumë shpejt zyrtarizimet e para.

“Unë nuk dua të flas për emra të përveçëm lojtarësh, pasi janë drejtuesit e klubit që po punojnë për këtë pjesë. Do t’i shihni shumë shpejt afrimet e Skënderbeut. Brenda një kohe të shkurtër do të vijnë dhe zyrtarizimet e para. Ajo që mund të them është se jemi duke kërkuar lojtarë cilësorë dhe të vlefshëm për ekipin, në mënyrë që ekipi i sezonit të ri të jetë një shëmbëlltyrë e Skënderbeut europian. Shumë shpejt skuadra do të jetë e kompletuar”, përfundoi trajneri.

LLAZI SARO-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"