“Djalli” thyen Fiorentinën dhe “blindon” vendin e dytë, Pioli: Tani nuk ndalemi më

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 1, 2024 | 10:12

“Djalli” thyen Fiorentinën dhe “blindon” vendin e dytë, Pioli: Tani nuk ndalemi më

Milani vijon ecur inë pozitive në kampionat, teksa mbrëmjen e së shtunës arriti një fitore të rëndësishme në transfertë ndaj Fiorentinës me rezultatin 1-2. Golat e LoftusÇik dhe Leaos, i siguruan fitoren e katërt radhazi në kampionat, kuqezinjve të Piolit, ndërkohë që për Fiorentinën, golin e shënoi Dunkan në minutën e 50-të. Falë këtij 3 pikshi, Milani u ngjit në kuotën e 65 pikëve, duke i lënë “targën” Juventusit, me një diferencë +6, ndërkohë që është ngushtuar në 11 pikë diferenca edhe me kryesuesit e Interit që do të luajnë sot me Empolin.

pioli

FJALA E TRAJNERIT – Milani ka fituar gjashtë nga tetë ndeshjet e fundit ndaj Fiorentinës dhe në të njëjtën periudhë ka arritur të fitojë të gjitha ndeshjet në dy sezone. Për Stefano Piolin kjo është thjeshtë një statistikë, teksa rëndësi i kushton vazhdimësisë. Të paktën kjo u kuptua nga intervista e dhënë pas suksesit në Firence të shtunën mbrëma.

Ritmet si më të mirët në Itali, a ndiheni si më të mirët?

Nuk mendoj se jemi më të fortët, por po i afrohemi një niveli shumë të lartë. Ishte një periudhë mjaft e gjatë ku duhej të njiheshim mirë. Faza e mbrojtjes nuk ishte në nivelin e duhur, pjesërisht për shkak të karakteristikave, njohurive dhe për shkak se ndryshuam shumë. Ndryshuam marshin, por ka gjëra që mund të bënim më mirë, si goli i pësuar pas një pakujdesie.

Keni rezerva për ndeshjen?

Po e interpretonim mirë dhe metoda jonë po funksiononte. Nuk kam insistuar për situata individuale, thjesht thashë të vazhdoj ashtu siç ishte, ishte mirë dhe mendoj se e interpretuam mirë, duke vuajtur në masën e duhur ndaj një ekipi që në ndeshjet e mëparshme në Firence na kishte vënë në shumë vështirësi.

Duket sikur edhe Çukvueze e ka marrë veten?

Ai ka disa kohë që është mirë, goli në Verona ishte pozitiv për të. Këtë herë as nuk shkoi në ekipin kombëtar, kështu që mund të stërvitej me ne. E meritoi të ishte titullar dhe këtë e vërtetoi duke luftuar që në fillim. Ndoshta iu desh pak më shumë kohë se shokët e tij për t’u ambientuar, por ai është një lojtar i rëndësishëm për ekipin në të gjitha aspektet.

Sidoqoftë, mbrojtja mbetet pikë e dobët...

Në pjesën e parë i dhamë Belotit vetëm një shans, reparti eci mirë. Tomori do të jetë i skualifikuar në Ligën e Europës, Kalulu nuk do të jetë gati për disa kohë, ndaj puna më e madhe i takon Çaut dhe Gabias. Duhen bërë disa llogari dhe zgjedhjet e mia janë pasojë e tyre.

Keni ndonjë peng për këtë sezon?

Është një kohë e mrekullueshme, që zgjat dy ose tri muaj. Po rritemi, po përmirësojmë paraqitjet tona, kompaktësinë tonë në mbrojtje në një mënyrë të caktuar. Nëse mbrohemi mirë, atëherë mund të lëndojmë çdo ekip. Pastaj renditja është e dukshme. Nuk mendoj se ka 14 pikë mes nesh dhe Interit, por ata shfrytëzuan muajin tonë në të cilin ne grumbulluan vetëm 2 pikë dhe ata 12; ja ku u shkëputën…

Skaroni tha do të qëndroni. A dëshironi të rrini në Milano?

E dua shumë Milanin: si mund të mos e duash këtë klub? Por lojtarët dhe unë nuk duhet të mendojmë për të ardhmen. Klubi po, sepse duhet të planifikojë, të kuptojë se ku të ndërhyjë. Duhet të mendojmë se çfarë të bëjmë në fushë dhe për t’u përgatitur për ndeshjet. Jam shumë i lumtur te Milani, pastaj varet se çfarë do të ndodhë. Ndihem mirë me të gjithë, me Furlanin, Ibrën, Monkadën..

REINOLD BAKALLI-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"