Cungu trajneri i ri, gati 800 milionë lekë për Vllazninë

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Janar 8, 2016 | 9:31

Cungu trajneri i ri, gati 800 milionë lekë për Vllazninë

Armando Cungu do të jetë trajneri i ri i Vllaznisë. Me sa mësohet, ulja e tij në stolin e ekipit shkodran është vetëm çështje kohe. Cungu ka marrë më në fund jo vetëm pëlqimin nga kryebashkiakja Ademi, por edhe miratimin nga bordi i ri i klubit.Cungu ne konference shtypi pas ndeshjes me Metalurgun Sipas burimeve pranë Bashkisë dhe bordit drejtues, afrimi i Cungut ka të bëjë me ndryshimin e imazhit të klubit shkodran në prag të nisjes së përgatitjeve për pjesën e dytë të sezonit. Kryebashkiakja Ademi, jo vetëm ka arritur të bindë Cungun për të marrë drejtimin e ekipit në këto momente, por mësohet se i ka dhënë atij garancinë për kërkesa që ka pasur tekniku gjatë bisedave mes tyre.

Në bisedimet e djeshme, të cilat kanë qenë edhe përfundimtaret për sa i përket arritjes së marrëveshjes, Armando Cungu ka marrë garancinë që ekipi do të marrë brenda një kohe shumë të shpejtë dy rrogat e prapambetura. Për më tepër, do t’i jepet një garanci që me miratimin e buxhetit të ri, Vllaznia do të jetë një zë i konsiderueshëm në shpenzimet e saj. Me sa duket, kjo garanci që trajneri shkodran ka marrë nga kryebashkiakja Ademi dhe bordi drejtues i klubit e kanë bindur që të thotë “po”.

Financat Kryetarja e Bashkisë Shkodër, Voltana Ademi, do të gjejë mënyrën që shumë shpejt ekipi të marrë dy rrogat e prapambetura. Fondi që kërkohet është një shumë prej 75 milionë lekësh të vjetër, që mësohet se do të gjendet për punë ditësh. Drejtuesit e bashkisë po shikojnë të gjitha rrugët për të siguruar sa më parë këtë fond.

Kryebashkiakja Ademi ka dalë garant për këtë gjë, të cilën pritet t’ua transmetojë edhe lojtarëve sot gjatë prezantimit të trajnerit të ri, Armando Cungu. Burime pranë bashkisë bëjnë me dije se Ademi do të japë garancinë për anën financiare të skuadrës edhe për pjesën në vijim, në mënyrë që të mos mungojë asgjë deri në fund të sezonit.

Bordi nga ana e tij ka bërë një preventiv për sa i përket shumës që i duhet klubit për të përballuar pjesën e dytë të kampionatit, si dhe gjysmën e parë të sezonit të ri. Pavarësisht se nuk bëhet e ditur, kjo shumë pritet të jetë rreth 800 milionë lekë të vjetër për vitin 2016






www.minuta90.com