Bylisi bën detyrën, Lushnja një pikë larg zonës së rrezikut. Trajneri Magani: Mundëm veten

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 8, 2024 | 15:50

Bylisi bën detyrën, Lushnja një pikë larg zonës së rrezikut. Trajneri Magani: Mundëm veten

Bylisi mundi Lushnjën në shifrat 2-1 në stadiumin “Roza Haxhiu” dhe shkon e sigurt drejt elitës duke mos e lënë as Elbasanin që të distancohet. Xheferson me penallti në fund të pjesës së parë dhe Kamara që hyri nga stoli në fillim të pjesës së dytë dërguan shifrat në 2-0 për ballshiotët.

lushnja bylis

Në fund, lushnjarët ngushtojnë diferencat me Olola. Verdhejeshilët regjistrojnë humbjen e dytë radhazi dhe mbeten në vend të shtatë, por tashmë vetëm +1 nga zona “play-out”.

NDESHJA – Sfida nisi me një atmosferë entuziaste, në pranë të 1000 shikuesve në “Roza Haxhiu”. Pjesa e parë ishte e qetë me raste sporadike në të dyja portat, por fundi rezultoi interesant. Xheferson arrin të depërtojë në zonë, por aty rrëzohet pas një dueli me Kasmollarin. Gjyqtari Shahini jep penallti për Bylisin. Pas një pritje disi të gjatë penallti konfirmohet nga VAR-i që ishte i pranishëm në këtë takim dhe në minutën e 45-të Xheferson nga pika e bardhë e dërgon topin në rrjetë.

Në shifrat 1-0 për Bylisin u mbyll pjesa e parë. Pjesa e dytë prodhoi më shumë dinamika në fushë, ku në minutën e 51-të Endri Magani lë Lushnjën me 10 vetë. Kartoni i kuq i mbrojtësit për ndërhyrjen e ashpër u vendos pas rishikimit në VAR. Bylisi në avantazh me gola dhe në superioritet me lojtar e ka më të thjeshtë dhe në minutën e 63-të Kamara dyfishon shifrat. Në fund të takimit, në minutën e 86-të ka vend edhe për golin e nderit të Lushnjës që u shënua nga Olola. Me këtë humbje rritet shkalla e rrezikut te Lushnja, pasi janë vetëm 1 pikë larg zonës “play out”.

Trajneri Magani: Mundëm veten

Gugash Magani, trajneri i Lushnjës, pas ndeshjes u shpreh: “Mundëm veten. Nuk është hera e parë që ndodh. Gabime individuale, mbrojtësi Magani mori dy të verdha për papërgjegjshmëri. Gaboi Andoni. Vazhdojmë të bëjmë gabime individuale. Normalisht që tani duhet të jemi të qetë. Të vazhdojmë rrugën deri në fund, sepse kështu sikur kanë ardhur punët çdo hap duhet të jetë shumë i matur, sepse rrezikohemi seriozisht”.

ALBAN ALUSHI- PANORAMASPORT.AL

 

 

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"