Braziliani vlerëson mikpritjen, ka filluar të mësoj gjuhën shqipe. Melo: Duam titullin, ja pse Elbasani vuan me të voglat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 5, 2024 | 14:01

Braziliani vlerëson mikpritjen, ka filluar të mësoj gjuhën shqipe. Melo: Duam titullin, ja pse Elbasani vuan me të voglat

Leo Melo ishte braziliani i parë që zbarkoi në Elbasan në verën e vitit të kaluar dhe arriti të fitojë menjëherë edhe një vend titullari në këtë skuadër. Ndaj Luzit ai shënoi golin e barazimit që i hapi rrugën përmbysjes, duke shkuar njëkohësisht në kuotën e shtatë golave deri më tani me verdheblutë.

leo melo elbasani

Në intervistën e dhënë për “Panorama Sport”, 23-vjeçari pohon se skuadra deri në fund do të tentojë të “bezdisë” Bylisin kryesues. Braziliani zbulon edhe fjalët e para që ka mësuar shqip, ndërsa nga Elbasani dhe vendi ynë i bën përshtypje mikpritja.

Sa i lumtur është Leo Melo me golin e shënuar kundër Luzit?

Normalisht jam shumë i lumtur për golin e shënuar, për më tepër që i dha mundësinë skuadrës që të dilte me tri pikë në fund. Më vjen mirë sa herë jap kontributin tim për skuadrën, edhe kur shënoj. 

Elbasani po vuan me skuadra “të vogla”, pse ndodh kjo?

Këto ndeshje nuk janë aspak të thjeshta, pasi këto skuadrat që vijnë të luajnë kundër nesh qëndrojnë shumë mbrapa dhe mbyllen në mbrojtje. Kjo na e bën akoma edhe më të vështirë lojën.

Mbani distancën e dy pikëve me Bylisin, sa shanse keni për t’u shpallur kampion?

Ne duam titullin, por jemi të fokusuar për t’i marrë ndeshjet me radhë. Do të bëjmë maksimumin tonë për t’ia arritur dhe në ndeshjen e fundit kemi ende një përballje të drejtpërdrejtë.

Keni kaluar disa muaj në Elbasan, çfarë ju ka bërë më shumë përshtypje në këtë qytet?

Mikpritja e të gjithëve. Kjo gjë më ka bërë të ndihem si në shtëpinë time.

Na tregoni disa fjalë që keni mësuar në shqip?

(qesh) Di fjalët e thjeshta “faleminderit, si je, kujdes”. Edhe disa fjalë të tjera të kësaj natyre.

A shihni ngjashmëri mes futbollit shqiptar dhe atij brazilian?

Janë në fakt stile shumë të ndryshme. Atje është një lojë shumë më individuale e improvizimit dhe teknikës, ndërsa këtu është më kolektive dhe më e fortë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"