Bogdani drejt Sienës, Çezena nis “presionin”

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Janar 28, 2012 | 11:38

Bogdani drejt Sienës, Çezena nis “presionin”

Sulmuesi i Kombëtares së Shqipërisë, Erjon Bogdani, pritet që gjatë këtyre ditëve të transferohet te skuadra e Sienës, shkruan të premten “Gazzetta dello Sport”. Bogdani 34- vjeçar nuk po gjen hapësirë te Çezena këtë edicion dhe pritet të largohet para mbylljes së merkatos të janarit. Gazeta italiane bën të ditur se Siena tashmë ka arritur marrëveshje me Bogdanin, por pret dritën jeshile të Çezenës. Bogdani ka kontratë me Çezenën deri në fund të këtij edicioni dhe ka regjistruar 13 ndeshje në Serinë A. Ai ishte pjesë e Sienës në edicionin 2005- 06, kur realizoi edhe 11 gola në krah të Enriko Kiezës. Vetë futbollisti ka thënë se për të po interesohet edhe Kaljari, por këta të fundit e duan në formë huazimi dhe kjo nuk i pëlqen aspak. Nga ana tjetër, drejtuesit e Çezenës po bëjnë gjithçka që ta sistemojnë shqiptarin në ndonjë skuadër tjetër, me qëllim që të lehtësohen nga paga e tij e kripur, por edhe të kenë mundësi të afrojnë ndonjë lojtar tjetër. Drejtori sportiv i Çezenës ka deklaruar se i ka ofruar Bogdanit mundësinë që të transferohet në ndonjë skuadër të mirë në Serinë B, por lojtari sipas tij e ka refuzuar mundësinë që të luajë në ekipe të Serisë B. “Bogdanin e duan shumë skuadra nga Seria B, por futbollisti këmbëngul që të vazhdojë të luajë ende në Serinë A. Kjo është e gjithë çështja sa i përket këtij lojtari”, ka thënë Lorenco Minoti. Sulmuesi shtatlartë nuk e ka përjashtuar mundësinë që të qëndrojë te Çezena deri në verë.
Kasami Mesfushori shqiptar, Pajtim Kasami, pritet që brenda pak ditësh të zyrtarizojë transferimin nga skuadra angleze Fulham te skuadra e njohur italiane Juventus. Lajmi është bërë i ditur të premten nga mediat italiane. Shtypi në Itali ka raportuar se Juventusi tashmë e sheh Kasamin si futbollist të vetin. Thuhet që deri në kompletim të transferimit kanë mbetur vetëm edhe disa detaje. Juventusi për shërbimet e Kasamit 19- vjeçar do t’i paguajë Fulhamit një shumë prej katër milionë eurosh. Por, futbollisti i shpresave të Zvicrës nuk do të luajë menjëherë për gjigantin nga Torino. Juve planifikon që ta huazojë Kasamin për gjashtë muaj te Çezena. Kasami ka lindur në Strugë të Maqedonisë, ndërsa është zhvilluar si futbollist në Zvicër te Grasshoperi.





www.minuta90.com