Besim absolut te trajneri, Artan Mërgjyshi për Superioren

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 20, 2019 | 15:27

Besim absolut te trajneri, Artan Mërgjyshi për Superioren

Ndër të rrallat raste në kaq vjet që tek Apolonia ka një unifikim qëndrimi nga të gjitha palët: vlerësim maksimal dhe besim i plotë te trajneri Artan Mërgjyshi dhe te ngjitja e skuadrës në Superiore me të në krye. Drejtuesit e klubit, ish-trajnerë, ish-lojtarë dhe më gjerë, e cilësojnë Apoloninë e Mërgjyshit pretendenten kryesore të Grupit B.

mergjyshi

Çelësin e suksesit të kësaj skuadre për sezonin e ri, të intervistuarit e kanë parë më së pari te trajneri, por edhe te projekti serioz i klubit me rastin e 95-vjetorit të themelimit. Për “flash” sportiv, po risjellim në formë retrospektive disa deklarata pikante që kanë qenë ekskluzive për “Panorama Sport” në lidhje me Apoloninë e sezonit të ri.

OLSI BREGU, administrator i Apolonisë: “Zgjodhëm Artan Mërgjyshin si trajner, se mbi të gjitha është korrekt në të gjitha aspektet dhe me vlera të larta njerëzore. Nuk bëjmë skuadër për media, por bëjmë Apoloninë që të mos gabojmë sërish”.

THANAS TUPE, ish-trajner i Apolonisë: “Me këtë trajner, drejtuesit kanë goditur në shenjë. Mërgjyshi është një specialist i mirë, i ka treguar vlerat kudo ku ka drejtuar, në Kategorinë e Parë dhe në Superligë. Mbi të gjitha, e njeh mirë frymën e klubit dhe të akademisë, sepse e ka drejtuar më parë Apoloninë dhe ky është avantazh i rëndësishëm. Me disa përforcime në cilësi, Apolonia i ka të gjitha shanset të rikthehet në Superiore”.

ELIDON DEMIRAJ, ish-trajner i Apolonisë: “I uroj suksese trajnerit Mërgjyshi, për të cilin ruaj konsiderata të veçanta, pasi kam punuar me të. Është trajner serioz dhe punëtor. Do të dëshiroja ta çonte Apoloninë atje ku e meriton, ku e do historia dhe emri i klubit, ku mezi presin tifozët ta shohin”.

NDRIÇIM KASHAMI, ish-trajneri Apolonisë: “Apolonia do jetë ‘violinë e parë’ e Grupit B. Vlerësoj fort zgjedhjen që kanë bërë me trajnerin Mërgjyshi, të cilin e respektoj si një nga më të mirët dhe ka përvojën e duhur. Ishte i fundit në Superligë me Apoloninë dhe vjen ta rikthejë atje. Apolonia ka projekt të qartë europian dhe me baza të shëndosha perspektive. Edhe unë jam ndierë si në skuadër Superlige, në çdo aspekt”.

MARJOL MIHO, ish-trajner i Apolonisë: “Besoj se me Artan Mërgjyshin është bërë zgjedhja e duhur, pasi është një nga trajnerët më të mirë. Kam punuar me të, ia njoh filozofinë dhe i uroj shumë fat e suksese. Apolonia ka pasur eksod, por ka bërë edhe disa goditje të mira, si Sharavolli, Branica e të tjerë që mund të vijnë. E shoh si një sezon të favorshëm që Apolonia të ngjitet në Superligë”.

AMARILDO DIMO, ish-kapiten i Apolonisë: “Apolonia ka një trajner shumë profesionist si Artan Mërgjyshi, nga më të mirët në Shqipëri, me të cilin ka të drejtën e plotë legjitime ta kërkojë fort Superligën”.

PIRO TOSKA, kreu i grupimit të tifozëve “Miqtë e Apolonisë”: “Mërgjyshi është zgjedhja e duhur për skuadrën tonë. Ka përvojë në Superligë, mentalitet fituesi, punon pa trysni dhe pa ndikime prej askujt. E njeh mirë Apoloninë, di të marrë më të mirën, ka qetësi ‘olimpike’, di të krijojë grup dhe është ndër më të mirët që evidentojnë dhe promovojnë talentet. Duam dhe besojmë se ka ardhur koha të rikthehemi në Superligë”.

MËRGJYSHI- Sfidë për teknikun tiranas. Besimi i gjithë faktorëve është vlerësim dhe detyrim për të. Pak trysni dhe shumë përgjegjësi, që trajneri Mërgjyshi është gati t’i përballojë. Ndihet mirë, por jo aq i qetë, pasi lexon kësi deklaratash. “I falënderoj dhe u jam mirënjohës gjithë kolegëve, ish-trajnerëve të Apolonisë dhe çdokujt tjetër për fjalët e mira dhe besimin ndaj meje.

Por këto vlerësime janë obligime dhe detyrime për mua dhe gjithë skuadrën që të mos zhgënjejmë. Dhe jo vetëm për ne, por për të gjithë ata që e duan Apoloninë. Nëse kemi kaq besueshmëri dhe vlerësime pozitive, atëherë le të jemi bashkë të gjithë në çdo kohë dhe skuadra nuk do të na zhgënjejë. Askush nuk ia del dot i vetëm”, thotë trajneri i Apolonisë, Artan Mërgjyshi.

Bujar Rama – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"