Besa, kualifkimi i madh në kohën e tollonit, por kishte fans Enver Hoxhën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 13, 2015 | 21:31

Besa, kualifkimi i madh në kohën e tollonit, por kishte fans Enver Hoxhën

speciale 4Nga Uvil Zajmi

Kjo është një pjesë legjendare e historisë së Besës së Kavajës, klubi i parë shqiptar që është kualifikuar në raundin e dytë të një trofeu kontinental. Nga finalja shkodrane plot polemika, në Europë pa patur as stadium… Cila ishte skuadra që e preferonte Enver Hoxha, loja “cic-mic” dhe ofsajti artificial që çmendi shqiptarët? Nga refuzimi i FSHF-së, ndërhyrjes së Rekës, te sfidat në Danimarkë e Skoci, televizorët e viteve 50-të, tutat borxh të Partizanit dhe qëndrimi në  Berlin, në hotelin më të shtrenjtë, pranë Magdenburgut? Ku janë sot protagonistët e klubit kavajas, që varej nga Bashkia e Durrësit në vitet 70-të?

Starti historik

Cili është kualifikimi i parë për një klub shqiptar në Kupat e Europës? Ai i Partizanit në turin paraeliminator apo i Besës në raundin e parë? Të dyja janë të lidhura me Kupën e Kupave… Në sezonin 1970-71, Partizani eliminon suedezët e Atvidabergut, 1-1 dhe 2-0 në turin paraeliminator, ndërsa Besa në edicionin 1972-73, arrin të kualifkohet në raundin e dytë, pasi eliminon në turin e parë danezët e Fremad. Të dyja kanë vlerë historike sportive. Vështirë ti përcaktosh, por ai Besës ka rëndësi në disa drejtime: si një skuadër modeste që ishte, pak e trajnuar në shumë aspekte, pa asnjë lojtar në kombëtare, pa përvojë ndërkombëtare, pa përforcime me futbollistë elite dhe mbi të gjitha ishte hera e parë që luante në një kompeticion të tillë dhe pa stadium. Ndaj një Partizani krejtësisht ndryshe, që konsiderohej një potencial i madh i kohës. Dhe jemi në vitet 70-të, kur asnjëherë më parë në ato pak përfaqësime, nuk kishim mundur të kalonim drejpërdrejtë një raund europian në futboll me klube.

Besa në Kupën Ballkanike

Pasi ka triumfuar në grup ndaj “Veliko Tërnavës” 2-0/ 0-1 dhe “Cervenkës” 2-0/0-1, Besa kualifikohet në finalet e Kupës Ballkanike, në të parin aktivitetet ndërkombëtar zyrtar që merr pjesë. Në finale do të luajë me grekët e Panioniosit të Athinës. Pas vitit 1944, asnjë ekip shqiptar nuk është përballur me një ekip grek apo udhëtuar në Greqi e anasjellats. Viti 1971, i takon Besës të jetë i pari (grekët nuk merrnin pjesë në asnjë turne ballkanik në grup ku ishin shqiptarët). Nisja dhe udhëtimi nga Bilishti, Kapshtica, në kufi, mungon komunikimi i Ministrisë së Jashtme Shqiptare me atë greke. Ndërkohë rruga “është zënë më gurë” dhe ka vështirësi për tu kaluar. Në pritje të konfirmimit, sportistët i janë futur punës për ta pastruar dhe vetëm pas gjashtë orësh pritjeje është dhënë leja e kalimit me një “Ju kërkojmë falje…” nga pala greke. Humbet 2-1 (gol Bishtaja) në Athinë dhe barazon 1-1 (gol Pagria) në Durrës, me një gol sipas kavajasve realizuar në pozicion jashtë loje nga grekët, pikërisht në krahun ku asistent ishte arbitri shqiptar, Gruda.

speciale1Një finale e  humbur me polemika

Ka qenë dhe mbetet e tillë e papërsëritshme edhe pse vite e dekada kalojnë. Besa-Vllaznia, finalja e dyfishtë për Kupën e Republikës, viti 1972. Ndeshja e parë në Kavajë, në fushën e vjetër, rreth 8 mijë spekatorë, Besa fiton 2-0 me gola të Qerollit dhe Kashamit në pesë minutat e fundit. Arbitër është korçari Fidai Pupa. Pastaj sfida e kthimit, tejet spektakolare e drejtuar nga ndërkombëtari Ramiz Pregja. Në “Vojo Kushi”, është ndeshja e Ramazan Rragamit që realizon 7 penallti (një rekord absuolut ky), 2 të tilla gjatë 90 minutave duke barazuar shifrat e takimit të parë dhe më pas 5 rradhazi gjatë ekzekutimit të atyre klasikë. Kavajasit kanë gabuar në një goditje me Merhorin dhe trofeu shkoi për shkodranët. Por, post-ndeshja u përfshi në polemika, akuza të kavajasve për padrejtësi, pa menduar se ajo finale, ndonëse e humbur do ti jepte famë jashtë kufijve shqiptarë.

Ndërhyn Reka, ndryshon mendim FSHF

Pas marrjes së trofeut, i takon Vllaznisë të luajë në Kupën e Kupave, por pas disa akuzave për marrje e dhënie peshqeshesh ngritur gjatë një turneu miqësor në Kosovë të ekipit të volejbollit, jepet një pezullim shtetëror, krejtësisht absurd (tipik për kohën), për klubin shumësportësh “Vllaznia”, duke përfshirë edhe skuadrën e futbollit e për pasojë nuk ka pjesëmarrje në Kupën e Kupave. Kështu i takon finalistit të marrë pjesë, që ishte Besa. Krejt papritur, kur një qytet, futbollistë e klubi janë të zhytur në dëshpërim, vjen lajmi surprizë se mund të luhet në Europë. Duke qenë pa eksperiencë ndërkombëtare, vetëm disa miqësore dhe Kupa Ballkanike, ka një hezitim dhe jo mbështetje nga FSHF-ja, edhe për faktin se klubi nuk plotësonte kushtet. Udhëtimi ka shumë shpenzime, duke menduar njëkohësisht edhe për ndonjë disfatë të madhe sportive. Ishte ndërhyrja energjike dhe vullneti i Iljaz Rekës te pushtetarët e kohës, që si kryetar Bashkie mbulonte edhe Kavajën, duke e bërë fakt të kryer pjesëmarrjen e Besës në Kupën e Kupave. Edhe “për një kompensim” lidhur me padrejtësitë që i ishin bërë skuadrës në takimet me Vllazninë dhe Panionios.

speciale 3Simpatia e Enver Hoxhës për skuadrën e Besës

Dihet botërisht që Enver Hoxha ka qenë tifoz i Besës. Kjo simpati ka lindur në vitin 1965, kur Besa mori kupën e gazetës “Bashkimi”, duke mundur në finale Tomorin e Beratit 3-1. Surprizë ishte takimi-gjysmë final, në të cilin Besa fitoi ndaj Apolonisë 11-0 dhe 7 gola realizohen nga Hasan Gërmenji. I entuzaizmuar Enver Hoxha e fton skuadrën në një bashkëbisedim drejtues e lojtarë duke deklaruar publikisht se ishte tifoz me Besën. Me aprovimin e tij, grumbullimet skuadra i bënte në Konvaleshencën, ngjitur me Bllokun në Plazh te Plepat, ku nuk lejohej të afrohej askush në atë zonë.

Transferimet brenda një Bashkie

Nisur nga përfaqësimi në Kupën Ballkanike, një vit më parë, lëvizjet e lojtarëve brenda rrethit të Durrësit të marrë si përforcim, i bënte Bashkia me miratimin e FSHF-së. Duke qenë nën juridiksionin e përbashkët të një Bashkie, qytetet Durrës e Kavajë, sulmuesi i shquar Maksut Leshteni, portieri Feshti dhe mbrojtësi i fortë i qendrës, Kapedani, i jepen Besës. Ndërkohë në Durrës trasferohet portieri Arkaxhiu, për ti mobilizuar më pas në kryerjen e shërbimit ushtarak. Ndërsa Mexhit Haxhiu i Flamurtarit luan vetëm ndaj Hibernians në pjesën e dytë, kur dihej se jashtë shtetit nuk lejohej të udhëtonte. Haxhiu ishte një lojtar me shumë kualitet, eksperiencë, por edhe një ndër miqtë e ngushtë të Muharrem Karriqit te Partizani. Me influencë në skuadër e klub, kapiteni dhe Bet Vila vendosin ta marrin, vetëm për ndeshjet në Shqipëri. Një kuriozitet: Në finale e Kupës së Republikës, në dy sfidat Besa-Vllaznia në portë ka qenë durrsaku Feshti, ndërsa pak muaj më vonë, në ato ndërkombëtare të Besës ishte Arkaxhiu në portën kavajase.

Të marrësh tutat borxh

Për ndeshjen me “Framada” në Danimarkë, në mungesë të theksuar të materialeve sportive, klubi mori borxh tutat e dyta të Partizanit. Por më shumë problem para takimit u pa se do ishin këpucët e futbollit. Nga skuadra vetëm disa i kishin me taka alumini dhe vida, natyrisht të sajuara, ndaj “Adidas”-it që kishin lojtarët kundërshtarë tashmë të përhapura në Europë. Një pjesë ende luanin me këpucë me taka sholle. Për të kaluar situatën u mendua një truk: Në kontrollin rutinë para takimit që bënte një arbitër anësor për çdo skuadër, fillimisht në radhë u vunë lojtarët me këpucë që lejoheshin. Pasi pa të parët, i sigurt se edhe të tjerët do të ishin në rregull arbitri nuk u tregua i vëmendëshëm dhe për fat kaluan pa i parë mirë ato. Në të kundërtën, nuk do lejoheshin të luanin, ndeshja nuk do zhvillohej, duke e humbur në tavolinë takimin.

Në Durrës të gjitha ndeshjet

Pas kombëtarit “Qemal Stafa”, stadium i Durrësit (kështu quhej) ka qenë alternativë e mundshme për të zhvilluar një ndeshje ndërkombëtare. Si qytet afër Kavajës ai i plotësonte kushtet. Duke qenë që Besa i luante takimet në fushën e vjetër e të njohur të qytetit, u pa e arsyeshme dhe e domosdoshme që takimet ndërkombëtare të zhvilloheshin në Durrës, edhe sepse ishte afër me aeroportin e Rinasit. Me një kapacitet mbi 10.000 spekatorë aty ka luajtur për Kupën Ballkanike dhe ato në Kupën e Kupave. Ndeshja me Framadin nuk u trasmetua në TVSH, pasi një kohë e keqe me shi dhe erë nuk lejoi vendosjen e kamerave, ndërsa me Hibernians u dha e regjistruar. Stadiumi i Kavajës, u përurua me 26 prill të 1974.

 

speciale 2Merhori, Qerolli dhe Pagria autorët e golave

Në katër ndeshje, Besa shënoi tre gola, nga të cilët dy në udhëtim dhe një në Durrës. Ata janë: Sulmuesi i krahut Nimet Merhori, që realizoi në transfertë, rast i rallë për kohën, në veçanti ai në Danimarkë, në barazimin 1-1, që ka vlerë kualifikuese. Edhe ai në Skoci, me tjetër autor, një mbrojtës, Qerolli, por humbja e thellë 7-1 e zbeh vlerën e tij realizuar kur shifrat ishin 7-0. Ndërsa ai i Bujar Pagrisë, një kavajas tradite, i shënuar në Durrës, në barazimin 1-1 me Hibernians nuk kishte vlera vetëm statistikore, por edhe sportive, pasi realizohej ndaj një klubi përfaqësues të futbollit skocez.

Në Berlin, pranë Portës së Brandenburgut

Dihet tashmë, çfarë torture kanë qenë udhëtimet jashtë për një ndeshje, deri në dhjetë ditë vajtje-ardhje me linjën Tiranë-Budapest (fjetje), Londër, ndeshja, etj. Dy-ditëshi i kthimit në Berlin, në vështirësi për gjetje hoteli, skuadra është sistemuar në një hotel të madh pranë Portës së Brandenburgut, ku një natë kushtonte 55 marka. Vetëm ministri Vasil Kati ishte shqiptari që kishte fjetur në atë hotel, me 46 kate e 22 ashensorë. Pastaj ngatarresa në aeroport: të painformuar, pa njohur gjuhën, skuadra ka gabuar duke iu drejtuar daljes që të çonte në Frankfurt. Papritur secili futbollist i është nënshtruar një kontrolli të imët dhe vetëm kur janë informuar e kuptuar, gjermanët i kanë adresuar në “Gate” për Tiranë. Ishte pas tragjedisë ku mbetën të vrarë disa sportistë, gjatë Lojrave të Mynihut 1972. Sa e kuptuan që ishin për Tiranë, i lanë të lirë. Janë vitet kur skuadra dhe lojtarët udhëtonin me “buk me vete”, me një aparat fotografik dhe pasaportë që e dorëzonin pas kthimit.

Televizorët skocezë të viti 1950

Para ndeshjes në Edinburg, kanë zbuluar një dyqan ku shiteshin televizorë. Ishin prodhim i vititi 1950, të vegjël-16 polic dhe kushtonin 50 dollarë. Duke përdorur biskotat e marra nga Kavaja e duke kursyer dollarët nga 10-15 që i jepnin se dietë ditore, shtatë nga futbollistët i kanë blerë dhe me vështirësi, duke i mbajtur në krahë i kanë transportuar deri në hotelin që ishte larg. Pastaj amballazhimi dhe nisja për në ndeshje. Nuk i kanë penguar kur kanë ardhur në Rinas, madje lehtësisht i kanë lejuar ti kalojnë. Por shqetësuese më pas u bë frekeunca që kishin televizorët, ndryshe nga ajo shqiptare, me një sinjal të dobët dhe një shikim të turbullt të ekranit.

speciale“Cic-mici” dhe ofsajti artificial, shpikje e kohës

Kështu kujtohet edhe sot nga të gjithë pasi i bë e fasmhme, të paktën në Shqipëri si e vetmja skuadër që ka aplikur me sukses këto dy elementë taktikë. “Cic-mici”, një miniaturë tiki-taka e Barcelonës sot, ishte stili i lojës që e përshtati Zihni Gjinali kur ishte trajner në Kavajë, nisur edhe nga karakteristikat e lojës kavajase. Ndërsa aplikimin e ofsajtit artificial e ideoi dhe e përdori trajneri Bet Vila. Për shqiptarët ishte surprizë një lojë e tillë mbrojtëse e jo në pak ndeshje, madje sezone të tëra në vazhdim i ka çorientuar kundështarët. Në një moment të katër mbrojtësit, Qerroli-Kapedani-Dyla dhe Hushi avanconin përpara duke befasuar sulmin kundërsshatr të paparëgatitur.  Në dy ndeshjet me Danimarkën ky mekanizëm funksionoi, ndërsa në Skoci u tentua për një lojë të tillë, por në pjesën e dytë, pasi panë të parën, skocezët ndryshuan taktikë, duke shënuar pesë gola.

Shyqyri Qerrolli, “Surbieri” kavajas

Nuk jeton pasi është ndarë nga jeta shumë i ri. Por, ka qenë një ndër mbrojtësit më modern për kohën, madje në Kavajë e kanë krasuar me holandezin Surbier. Mbrojtës i djathtë krahut, Shyqyri Qerolli i dha një stil të ri lojës dhe pas Fatmir Frashërit. Ishte ai që e avancoi daljen dhe pjesëmarrjen aktivë në sulm të mbrojtësit anësor, tipike për lojën e mbrojtësve anglezë të kohës. Me një hap galopant, të madh, i shpejtë, teknik dhe me floket që i tundeshin, ai i jepte frymëmarrje lojës së Besës në atë sektor, madje shpesh herë ishte problem për ekipet kundërshtare. Jo të gjithë e aplikonin atë veprim taktik në ato vite.

Cila ishte Besa dhe ku janë sot protagonistët e saj?

Një ndër njerëzit që ka meritën në krijimin, mbështetjen dhe ndihmën që ka dhënë për klubin në vitete 60-70 ka Iljaz Reka, kryetari i Bashkisë së Durrësit, tifoz i Dinamos, por edhe i Besës. Ai fton ish-dinamasin Bet Vila, si kavajas me origjinë, shumë autoritar, me eksperiencë, korrekt, i sjellshëm, i edukuar, një emër i njohur për kohën, Bet Vila e mori Besën, duke krijuar e ndërtuar një skuadër nga më të famshmet në historinë e klubit, madje edhe sot Bet Vila, është një ikonë në Kavajë. Janë vitet e një skuadre simpatike, rivalizuese me ato të elitës dhe ka lojtarë me vlerë, ku veçohet si Karriqi, një legjendë pa kufi e klubit.

Koha e tollonit…

Janë vitet 70-të, luhet në kohën e tollonit, pa trajtime specifike, pa materiale sportive bashkëkohore, një pesë-orësh, apo një drekë në klub, asgjë më shumë. Madje Besa luan tek fusha e vjetër, jashtë çdo logjike sportive dhe me shumë heroizëm në Europë, madje duke u kualifikuar. Është Besa e trajnerëve Bet Vila e Agim Dizdari, futbollistëve Haki Arkaxhiut e Tole Feshtit, Azem Mullaliut, Osman Kapedanit, Naim Hushit, Shyqyri Qerollit, Bujar Pagrisë, Naim Allait, Zenel Kashamit, Besnik Dylës, Nimet Merhorit, Muharrem Karriqit, Maksut Leshtenit, Vullnet Dedei, Xhemil Bishtajës, Dhimitër Miles… Nga ajo skuadër nuk jetojnë të ndjerit Bet Vila, Shyqyri Qerrolli e Mit Mile. Ndërsa Merhori, Kapedani, Hushi, Kashami janë në Itali. M Karriqi, A. Dizdari e Bishtaja (Bajaziti) e ndajnë Italinë me Shqipërinë. Të tjerët i gjen në Kavajë e Durrës.

Bujar Pagria, si i kujton takimet

Ka qenë lojtari kryesor në sulmin e Besës në dy sfidat e kohës, madje në atë sezon autor i 21 golave (kampionat e kupë). Në Durrës ka realizuar edhe golin e avantazhit, kundër Hibernians. “Në Danimarkë ishte hera e parë që luanim me drita dhe një ditë para takimit na hapën reflektorët për tu ambientuar. E patëm të vështirë në fillim, pasi edhe ngjyrat jeshile të uniformës ishin njëlloj si bari. Golin e ka realizuar Nimet Merhori, pas një pasimi të Kashamit brenda zonës, në të djathtë të portierit. Ndërsa ndaj Hibernians ishte ndryshe. Shanset për kualifkim ishin zero, madje bastvënësit e kohës i jepnin 100% fitore Hibernians. Me gjashtë lojtarë të kombëtares, në turin e parë kishin eliminuar Sportingun. Ndeshja filloi në orën 19:30. Bet Vila kishte besim te skuadra. Unë nuk u aktivizova në fillim, por pas 15 minutave lojë. Pjesa e parë u mbyll 2-0 dhe ne aplikonim ofsajtin artificial. Në të dytën ata e kuptuan taktikën tonë dhe luajtën në duke nxjerrë mbrojtësat anësorë në sulm. Në Durrës, në takimin e kthimit, shfrytëzova një pasim të saktë nga një goditje dënimi nga e djathta e Mexhit Haxhiut duke duke realizuar në portën nga qyteti.  Hibernians në turin tjetër luajti me Hajduk të Splitin: Fitoi 4-2 në të parën dhe humbet 3-0 në Split sfidën e kthimit, duke u eliminuar”, thotë Pagria.

SKEDAT E NDESHJEVE

BK Fremad Amager–Besa 1-1

Kopenhagen, e mërkurë 13 shtator 1972.

Stadiumi  “Sundby Idraest Park”

Spektatorë: 3.000

Arbitër: Jan Lazoëski (Pol)

Golat: N. Merhori 15’/ Ryde-67’

BK FREMAD: O. Larsen; F. Skytte; P. Mathiasen, C. Jacobsen, S. Hansen, G. Yvel (46’A. Andersen, F. Nielsen (65 J. Salomonsen), P. Kristensen, E. Andersen, E.  Ryde, L. Larche. Trajner: K. Petersen.

BESA: H. Arkaxhiu; A. Mullaliu, O. Kapedani; N. Hushi, Sh. Qerolli (50’ B. Dyla), B. Pagria, Z. Kashami, N. Merhori (78 N. Allaj), M. Leshteni, M. Karriqi. Xh. Bishtaja. Trajner: M. Vila

BESA- BK FREMAD HAMAGER 0-0

Durrës, e mërkurë 27 shtator 1972

Spektatorë: 10.000.

Arbitër: J. Strmecki (Jugosllavi)

Besa: H. Arkaxhiu; A.Mullaliu, O.Kapedani, N.Hush (37 Sh. Qerolli), B. Pagria, Z.Kashami, B.Dyla  N. Merhori, M.Karriqi, M. Leshteni, Xh.Bishtaja (N. Allaj). Trajner: M. Vila.

  1. Fremad: O. Larsen F. Skytte. P/ MathiasenC. Jacobsen, G. Ylvel, F. Nielsen. P. Kristensen, J.Madsen E Ryde (64 P. Madsen), L. Lerche 58 J Salomonsen),T. Nielsen. Trajner: K. Petersen

 

Turi i dytë

HIBERNIANS FC–BESA 7-1

Edinburg e mërkurë 25 tetor 1972

Stadiumi: “Ester Road Stadium”

Spektatorë: 20.000.

Arbitër: Rolf Nyhus (Norvegji)

Golat: A. Cropley 12’, J. O’Rourke 14’, 52’, 61’, J. Broënlie 55’, A. Duncan 57’, 64’/ Qerrolli 72’.

Hiberninas: J. Herriot, E. Schaedler (46 J. Hamilton), J. Broënlie, J. Blackey, J. Black, P. Stanton, A. Edëards, A. Duncan, A. Cropley, J. O’ Rourke, A. Gordon. Trajner: E Turnbull.

Besa: H. Arkaxhiu, A. Mullaliu, O. Kapediani, N. Hushi, Sh. Qerolli, Z. Kashami (B. Dyla 14’), N. Allaj, N. Merhori, M.Leshteni, M. Karriqi, Xh. Bishtaja  B. Pagria 15. Trajner: M. Vila

BESA-HIBERNIANS 1-1 (0-0)

Durrës, e mërkurë 8 nëntor,

Spektatorë: 10.000.

Arbitër: K. Keller (Zvicër)

Golat: B.Pagria 54’, Gordon 59’

Besa: H. Arkaxhiu, Mullaliu, O. Kapedani, N. Hushi, B. Pagria, Z. Kashami, N. Allaj, N. Merhori, M. Leshteni, M. Karriqi, Xh. Bishtaja (Haxhiu) Trajner: M. Vila.

Hibernians: J. Herriot (70’ B. Robertson), E. Schaedler, J. Broënlive, J. Blackey, J. Black, P. Santon, A. Edëaeds, A. Duncan, A. Cropley, J. O’Rourke, A. Gordon. Trajner: E. Turnbull

Diçiturat

  1. Besa e vitit 1972: Në këmbë nga e majta: Dyla, Kashami, N. Hushi, Mullaliu, Kapedani (Ulur nga e majta): Karriqi, Arkaxhiu, Bishtaja, N. Merhori, B. Pagria, Leshteni
  2. Goli i Bujar Pagrisë ndaj Hibernians ne Durres
  3. Futbollistë, trajner e drejtues para Portës se Magdenburgut në Berlin.
  4. Besa finaliste e Kupës së Shqipërisë para takimit në Shkodër me Vllazninë; Mulaliu Qerrolli, Kapedani, Dyla trajner. Vila, Feshti, Kashami, Hushi. (ulur majtas): Mili, Pagria, Karriqi, Bishtaja, Merhori.

5. Nëntor 1975. Bujar Pagria lë futbollin. Në ceremoni i pranishem edhe Loro Boriçi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"