Barazim në Vlorë, mbijeton Tirana. Magani: Tani që ia dolëm, jam i gatshëm që të rinovoj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 5, 2014 | 18:05

Barazim në Vlorë, mbijeton Tirana. Magani: Tani që ia dolëm, jam i gatshëm që të rinovoj

Flamurtari-Tirana 2-2FLAMURTARI-TIRANA 2-2
GOLAT: Abilaliaj 28′, 57’/ Gilberto 6′, Morina 69′
FLAMURTARI: Moçka, Sakaj, Kuqi, Dushku, Veliu (Begaj 46′), Arbri (Liçaj 75′), Zeqiri, Telushi, G.Lika, A.Shehaj (Lena 60′), Abilaliaj; (në dispozicion: Xhelilaj, Pepa, O.Beqiri). Trajner: E.Gjoka
TIRANA: Çaka, Pashaj (Koreshi 52′), Muça, Vrapi, Kalari, Karabeci, Deliç (Kahata 58′), Taku, Ndikumana, Morina (Limani 78′), Gilberto; (në dispozicion: I.Lika, Çota, Hoxhallari, Kaja). Trajner: G.Magani
KARTONË TË VERDHË: Telushi 49′. Dushku 53′, Lena 70′, Abilaliaj 90′, Kuqi 94’/ G.Muça 45′, Kalari 51′, Koreshi 74′
DELEGAT: Hito Hitaj (Tiranë)
VËZHGUES: Prek Pjetrushi (Lezhë)
GJYQTARET: L.Jemini, E.Doda (Tiranë), R.Çokaj (Lezhë)

MINUTAT
3′ Kros i Veliut në zonë për Shehajn, i cili ka rast të shënojë por nuk arrin të koordinohet siç duhet.
6′ Pashaj kroson në zonë për Morinën, i cili gjuan drejt portës, Moçka grushton por nuk kontrollon dot topin, përfiton Gilberto i pamarkuar në zonë që godet dhe shënon 0-1.
9′ Goditje dënimi, por G.Lika gjuan lehtas dhe Çaka pret pa problem.
14′ Rrezik në portën e Tiranës, pas një dalje të gabuar të Çakës, por është Vrapi që neutralizon gjithçka.
20′ G.Lika shënjestron portën me një goditje të fuqishme, Çaka pret pa shqetësim.
24′ Shehaj gabon fatalisht edhe pse i vetëm përballë portierit mik, pas një krosi perfekt të ardhur nga mesfusha.
26′ Aksion perfekt i Flamurtarit, Arbri pason te Zeqiri, ky i fundit te Veliu, që gjuan por topi prek vetëm rrjetën e jashtme.
29′ G.Lika kroson nga e majta, Abilaliaj i pamarkuar në zonë kërcen fuqishëm dhe me kokë e dërgon drejt e në rrjetë, 1-1.
43′ G.Lika rrezikon nga distanca, por Çaka arrin të presë topin edhe pse në dy kohë.
47′ Zeqiri nxjerr bukur topin për G.Likën, ky i fundit pason te Shehaj. Sulmuesi vlonjat godet por Çaka bën mrekullinë.
49′ Gilberto provon nga distanca, topi përfundon vetëm jashtë.
57′ Aksion personal i Abilaliajt, i cili nga jashtë zone koordinohet siç duhet, gjuan fuqishëm dhe e dërgon topin në trekëndëshin e portës mike, duke përmbysur rezultatin në 2-1.
61′ Ndikumana nxjerr të lirë Morinën, që gjuan, por topi neutralizohet në kohë prej Moçkës.
65′ Kahata gjuan me të majtën nga jashtë zone, por Moçka ndërhyn saktësisht.
69′ Ndikumana kombinohet me Gilberton, ky i fundit pason te Kahata, sakaq keniani ai kthen bukur me finte topin me Morinës, që avancon në zonë, gjuan dhe shënon 2-2. Ka kontestime për pozicion jashtë loje, por Jemini nuk mendon kështu.
80′ Moment pasigurie te Flamurtari, Dushku gabon, përfiton Morina, por Kuqi ndreq shpejt gabimin e vlonjatëve dhe largon rrezikun.
85′ Kahata kroson në zonë për Gilberton, i cili gjuan por pa gjetur rrjetën.
87′ G.Lika provon nga distanca, Çaka në pozicion, pret, edhe pse me vështirësi.
91′ G.Lika kroson nga e majta në zonë, Lena me kokë, topi përfundon në shtyllë dhe më pas kontrollohet nga Çaka.

Mbijeton Tirana. Barazimi 2-2 përballë Flamurtarit, u ka mjaftuar kryeqytetasve që të nisin festën e shpëtimit qysh në qytetin bregdetar, edhe pse kanë mbetur 90 minuta nga fundi i këtij sezoni. Sakaq, për vlonjatët asgjë s’ka përfunduar. Shansi i vetëm për ta, që të qëndrojnë në elitë, kalon nga Kruja. Dje në stadiumin “Flamurtari” është zhvilluar një duel tejet i luftuar, pasi si vendësit ashtu edhe miqtë ishin nën presionin e rezultatit, kjo shpeshherë solli tension, si edhe ndërhyrje të ashpra. Kuqezinjtë, edhe pse arritën të përmbysin me dopietë personale të Abilaliajt, golin e shpejtë të Gilbertos, mendoi Morina në të 65-ën që të vuloste gjithçka. Një pikë që komplikoi situatën e ekipit të Gjokës dhe i siguroi Tiranës matematikisht mbijetesën.
Pjesa e parë Loja nis e shpejtë dhe me Flamurtarin në sulm. Veliu kroson në zonë për Shehajn, i cili ka rast të shënojë por nuk arrin të koordinohet siç duhet. Reagimi i shpejtë i bardhebluve, të cilët në të 6-ën minutë kalojnë në avantazh. Pashaj kroson në zonë për Morinën, i cili gjuan drejt portës, Moçka grushton, por s’e kontrollon dot topin, përfiton Gilberto i pamarkuar në zonë, që godet dhe shënon 0-1. Vlonjatët nuk mund të pranojnë kurrsesi rezultatin dhe vihen në kërkim të golit të barazimit. Në të 9-ën ka goditje dënimi, por G.Lika gjuan lehtas dhe Çaka pret pa problem. Moment i rrezikshëm në të 14- ën, pas një dalje të gabuar të Çakës, por është Vrapi që neutralizon gjithçka duke lënë të paprekur katërkëndorin që dje mbrohej nga i riu Çaka, pasi Ilion Lika nuk u rikuperua dot. Portieri bën sërish heroin në të 20-ën, kur G.Lika shënjestroi portën me një goditje të fuqishme, por Çaka priti pa shqetësim. Pas 4 minutash, Shehaj gabon fatalisht edhe pse i vetëm përballë portierit mik, pas një krosi të ardhur nga mesfusha. Aksion perfekt i Flamurtarit, Arbri pason te Zeqiri, ky i fundit te Veliu që gjuan, por topi prek vetëm rrjetën e jashtme. Këmbëngulja e vendësve gjen rezultat në të 29-ën. G.Lika kroson nga e majta, Abilaliaj i pamarkuar në zonë, kërcen fuqishëm dhe me kokë e dërgon topin drejt e në rrjetë, 1-1. Ky 45 minutësh i parë mbyllet në baraspeshë.
Pjesa e dytë Loja rinis me një Flamurtar agresiv, i cili kërkonte me çdo kusht trepikëshin. Në të 47-ën, Zeqiri nxjerr bukur topin për G.Likën, ky i fundit pason te Shehaj. Sulmuesi vlonjat godet por Çaka bën mrekullinë. Kundërsulm i Tiranës, Gilberto provon nga distanca, topi përfundon vetëm jashtë. Megjithatë në të 57-ën Abilaliaj çon peshë të gjithë stadiumin. Aksion personal i sulmuesit, i cili nga jashtë zone koordinohet siç duhet, gjuan fuqishëm dhe e dërgon topin në trekëndëshin e portës mike, duke përmbysur rezultatin në 2-1. Pikërisht këtu “ngacmohet nervi” i bardhebluve, të cilët nuk mund të dilnin kurrsesi duarbosh nga kjo sfidë. Ka tentativa të njëpasnjëshme, teksa vlen të theksohet se futja në fushë e Kahatës i dha më shumë grinte lojës sulmuese të kryeqytetasve. Në të 65-ën, Kahata provon me të majtën nga jashtë zone, por Moçka ndërhyn saktësisht. Pa kaluar as katër minuta gjithçka barazohet. Në të 69-ën, konkretisht Ndikumana kombinohet me Gilberton, ky i fundit pason te Kahata, sakaq keniani ia kthen bukur me finte topin Morinës, që avancon në zonë, gjuan dhe shënon 2-2. Ka kontestime për pozicion jashtë loje, por Jemini nuk mendon kështu. Minutat e mbetura sjellin sulme dhe kundërsulme, madje në të 91-ën gjuajta me kokë e Lenës prek vetëm shtyllën. Pas 4 minutave të mbetura shtesë, nis festa legjitime e Tiranës dhe e tifozëve të saj, pasi tashmë janë zyrtarisht të shpëtuar.

MË I MIRI
Francis Kahata ishte ndër më të mirët në fushë. Futja në lojë e kenianit i dha më shumë grinte lojës sulmuese të kryeqytetasve. Sigurisht që notë pozitive meriton Morina, i cili ndodhet gjithnjë në momentin e duhur për Tiranën. Për t’u vlerësuar pa dyshim ishte Arbër Abilaliaj, i cili dje zhvilloi një super-ndeshje, ku veç të tjerave realizoi dy gola perfektë.

MË PAK AKTIVI
Ardit Shehaj nuk ishte në një ditë të mirë dje, duke bërë një paraqitje larg pritshmërive. Sulmuesi pati mbi 3 raste të pastra shënimi, ku edhe pse i vetëm para Çakës, shpërdoroi pa fund. Sakaq, edhe mbrojtja e Flamurtarit në disa momente shfaqi pasiguri, duke i dhënë kështu mundësinë skuadrës së Tiranës që t’i afrohej më lehtësisht portës së mbrojtur nga Moçka.

MaganiMagani: Ia dolëm, jam i gatshëm që të rinovoj
E mori në vendin e fundit, por kur na ndan një javë nga finishi i këtij sezoni, Tirana e tij shpëtoi. Gugash Magani shfaqet padyshim i lumtur për këtë arritje gjatë intervistës së dhënë për “SuperSport” në fund të takimit kundër Flamurtarit, ku analizoi mbijetesën, por nuk nguroi të flasë edhe për të ardhmen, duke deklaruar qartazi se është gati të rinovojë me bardheblutë.
Ia dolët, Tirana juaj mbijetoi?
Hera e parë që mund ta them me plotë gojë se jam i lumtur. Pas vështirësive të shumta, shpëtuam.
Donatori Halili deklaroi se Tirana e re nis nga ju…
Do ishte absurde po të refuzoja Tiranën, pasi çdo trajner e ka ëndërr të drejtojë këtë ekip. Kontrata ime zgjat deri më 31 maj, më vonë vendos.
Do kërkojë rritje page Magani, meqenëse ju kërkojnë me ngulm drejtuesit?
Unë asnjëherë nuk jam marrë me financat, e për më tepërt publikisht. Por nëse donatorët Halili dhe Morina do qëndrojnë te Tirana, do ta gjejmë me patjetër gjuhën e përbashkët. Nuk do bëhet pengesë rroga ime.
Si ishte të përballeshit me të shkuarën dhe sidomos në një duel vendimtar?
Unë me Flamurtarin kam kaluar jo pak, madje shkuam deri në Kupat e Europës asokohe. Ndaj emocionet janë prezente, por jam i sigurtë që edhe ata do shpëtojnë. Por dua të kujtoj një detaj. Edhe kur erdha në Vlorë i mora në fund dhe i ngjita të 5-ët. Historia po përsëritet me Tiranën tashmë.
Kush ka qenë ndeshja më stresuese për Maganin në këtë sezon?
Stresi nuk ka qenë shumë i madh në fillim, pasi edhe shpresat ishin të vogla. Por me ngjitjen tonë në tabelë, shtohej edhe stresi. Këtu veçoj takimin me Vllazninë, i cili ishte 90 minutëshi që vulosi shumëçka. Përballeshim me një rival direkt, dhe ajo fitore na dha qetësinë.

Tirana ne stervitje, Halili flet para skuadresHalili: E realizuam premtimin, vitin tjetër luftojmë për titull
Refik Halili ka mbetur i kënaqur nga barazimi në Vlorë. Një pikë që i dha mbijetesën Tiranës së tij. Në fund të takimit, donatori i bardhebluve tregoi se ai bashkë me homologun e tij, Lul Morina, e përmbushën premtimin. “Nuk ishte e lehtë në fakt, madje ishte tejet e vështirë. Që në start u ndje një gjë e tillë, madje edhe ne ishim në tension. Por në fund barazuam, jam shumë i gëzuar. Kemi kaluar një situatë të vështirë pasi gjendeshim në fund, ju garantoj që edhe në ndeshjen e fundit do të luajmë futboll. Flamurtari e ka të sigurt mbijetesën, pasi është ndër ekipet elitare”, – tha fillimisht sponsori. Në vazhdim ai tregon se Magani do të jetë i pari që do të konfirmohet. “Nëse unë dhe Morina qëndrojmë, por sigurisht me një tjetër status dhe jo më si donatorë, i pari që do të rinovojë është Magani. Më tej do të ruhet pjesa dërrmuese e grupit dhe do të bëhen 5-6 afrime, ku synohet tregu i huaj. E thënë ndryshe, vitin tjetër jemi për titull. Megjithatë, ne kemi dorëzuar një projekt ambicioz dhe tani presim vetëm miratimin. Ne e përmbushëm detyrimin tonë, e shpëtuam Tiranën”, – përfundoi Halili.

Gol mbijetese, Morina: E meritonim!
Mario Morina ndihet i lumtur për barazimin, po ashtu edhe për golin që shpëtoi përfundimisht Tiranën e tij. “Ndihem i gëzuar, pasi shpëtuam, edhe pse kurrë s’e kisha dyshuar një gjë të tillë. Erdhëm në Vlorë për të dhënë më të mirën tonë dhe ia arritëm. Barazimi na duhej, ndaj për ne është një rezultat pozitiv. Natyrisht që shpeshherë u vendosëm në vështirësi edhe nga Flamurtari që është një kundërshtar që duhet vlerësuar. Kaluam të parët në avantazh, por kishim shanset tona që të merrnim edhe pikët e plota nga ky takim. Megjithatë nuk ‘qahemi’, mjafton që siguruam mbijetesën. Pikërisht për këtë rezultat ne kishim ardhur në Vlorë dhe kjo është meritë e të gjithëve. Vendi i fundit për javë të tëra i solli shumë vuajtje këtij ekipi, por tani është koha të gëzojmë. Golin ia dedikoj tifozërisë që kishte ardhur për të na mbështetur”, – tha Morina.

tirana-flamurtari 0-2, Gjoka ne stol“Shpërdoruam, me pak kujdes mund të kishim fituar”
Ernest Gjoka, në fund të takimit u shfaq i mërzitur. Trajneri i Flamurtarit e ka të qartë se tashmë mbijetesa kalon vetëm nga Kruja. “Ishte një ndeshje e tensionuar, u përpoqëm për të marrë pikët, por nuk ia dolëm dot. Përmbysëm rezultatin, por Tirana na barazoi. Megjithatë, shpërdoruam mjaft. I kishim shanset që ta fitonim këtë takim, por të ishim treguar disi më të kujdesshëm në sulm. Si ecën ngjarjet na duhet edhe një hap serioz, minimumi të marrin tre pikët dhe maksimumi tre pikët. Ne nuk duhet të ishim ndalur, u dënuam pasi Tirana na barazoi. Por u nxituam, në minutat e fundit u përpoqëm që të kalonim në avantazh, por nuk e arritëm dot. Nuk kemi se çfarë të bëjmë, kështu rrodhën ngjarjet. Edhe pse patëm rastet tona, por besoj se ishim në presionin që na duhej fitorja me patjetër. Na duhet edhe një sforco finale në Krujë. Ajo ndeshje duhet fituar me çdo kusht. Ne do të përgatitemi gjatë kësaj jave me qëllim që të japim maksimumin në takimin e fundit që për ne është shumë vendimtar. Sa i përket parave, dua të them që ne kemi lojtarë profesionistë dhe nuk punojnë në ‘change’. Madje do të ishte mirë që si ndodhi në Vlorë, ashtu të ndodhë edhe me ekipet e tjera, të afrohen sa më shumë sponsorë”, – tha Gjoka. Sakaq, ku u pyet për këshillat që i dha Abilaliajt, trajneri u përgjigj: “I fola që të qëndronte më në qendër dhe të kërkonte Shehajn, pasi shpeshherë shkonte nga krahët”.

Abilaliaj“Keqardhje që dopieta nuk mjaftoi”
Shënoi dy supergola, por kaq nuk mjaftoi. Sulmuesi vlonjat, Arbër Abilaliaj, shprehet mjaft i mërzitur pas këtij rezultati, teksa për gazetën tha: “Jemi shumë të mërzitur. Na duhej me patjetër fitorja, asnjë rezultat tjetër. Tirana arriti ta siguronte mbijetesën, ndërsa ne akoma jo. Tani duhet edhe një sforco kundër Kastriotit. Patëm rastet tona, edhe mund ta kishim fituar takimin, por shpërdoruam. Ekipi krijoi volum loje në fushë, por ndoshta kemi qenë edhe në presionin për ta fituar takimin dhe ky presion në fakt na ka shoqëruar gjatë gjithë takimit. Ende asnjë nuk ka mbaruar për ne. Kemi edhe një tjetër finale. Unë kam bindjen se ne mbijetojmë. Flamurtari do të jetë më superior. Na duhet edhe një pikë për të mbyllur llogaritë e qëndrimit në elitë. Golin ia dedikoj familjes time dhe të gjithë lojtarëve”.

Falen Kalari dhe Kuqi, ishin për të kuq
Flamurtari-Tirana ishte një ndeshje që përveç lojës së bukur dhe të luftuar, prodhoi mjaft raste për moviolë. U dhanë jo pak në fakt por 8 kartonë të verdhë, megjithatë Jemini u tregua disi i kursyer më të kuqtë. Në të 33-ën Kuqi ndërhyri ashpër ndaj Gilbertos, por nuk u ndëshkua. Në të 50-ën Kalari ndërpreu me të dyja këmbët Arbrin dhe kryesori i dha vetëm të verdhë, ndonëse goditja ishte tejet e rëndë. Një moment i diskutueshëm ishte edhe ai i 65-ës, teksa Kuqi tërhoqi prej bluze Gilbeton në zonë, por nuk u akordua as faull, ndonëse ishte rast goli. Moment i kontestuar ishte ai i golit të Morinës, por nga pamjet u duk se pozicioni ishte i rregullt.

NdikumanaTensioni, protagonist në Vlorë mbetet… Ndikumana
Nerva dhe tension, megjithatë këtë herë gjithçka mbeti në fushën e lojës dhe nuk u përcoll në dhomat e zhveshjes. Protagonist në Vlorë mbetet Selemani Ndikumana, ku në shumë episode ishte ai i përfshirë, me ose pa faj. Vlonjatët nuk e kishin harruar ndeshjen e 2 marsit dhe kjo u duk në disa momente. Në të 8-ën minutë nis gjithçka. Kur Flamurtari do godiste një goditje dënimi, Ndikumana u shty nga Veliu dhe kjo u shoqërua me debat. Në të 15-ën ndodh përplasja e dytë, kur Ndikumana në fakt ishte i shtrirë mbi barelë dhe aty i afrohet Telushi e Arbri duke e ngritur nga këmbët. Lojtari nga Burundi u acarua dhe u çua menjëherë në këmbë ku vazhdoi diskutimet verbale me këta lojtarë. Por duket se një reagim i Gjokës nga pankina shtoi më shumë tensionin. Megjithatë situata u qetësua me ndërhyrjen e vetë Maganit. Në të 32-ën një dyluftim mes sulmuesit dhe mbrojtësit Kuqi shoqërohet sërish me fjalë dhe ngritje zëri. Këtu ndërhyn Dushku, që në ecje e sipër flet diçka me Ndikumanën. Por këtu nervat morën fund dhe lojtarët u përqendruan te loja dhe rezultati.
ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"