Agolli: Me Çelsin sfidë e hapur, atmosfera në Baku më kujton kualifikimin në Europian

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 22, 2017 | 15:29

Agolli: Me Çelsin sfidë e hapur, atmosfera në Baku më kujton kualifikimin në Europian

Baku, kryeqyteti i Azerbajxhanit dhe sh tëpia e dytë e kapitenit të Shqipërisë, Ansi Agolli, do të presë sot kampionët e Anglisë, Çelsin. Janë plot 2540 km distancë nga vendlindja e tij, Tirana. “Tirana është qyteti im, por me plot gojën do të thosha që në qoftë se do të ketë një shtëpi time të dytë, pa dyshim që ajo është Bakuja”, tregon mbrojtësi gjatë një rrëfimi për programin “Sports Week” të platformës televizive “Tring”.

Agolli

35-vjeçari luan me Karabakun që prej vitit 2010, i afruar fillimisht në formë huazimi dhe pas 2 viteve, klubi azer i bleu përfundimisht kartonin. Katër tituj kampion radhazi nga 2013-14 deri në sezonin e shkuar. Tri kupa të fituara po radhazi në këto tri vite të dominuara nga Karabaku. Agolli u shpall lojtari më i mirë i sezonit në 2014-15.

Dy vite më vonë arriti rekordin e 228 ndeshjeve të luajtura me fanellën e klubit, një rekord që u takon lojtarëve të huaj, një rekord, të cilin ia rrëmbeu shqiptari tjetër që ka mbrojtur ngjyrat e këtij klubi, Admir Telit. “Bakuja është një qytet mjaft i madh. Më pëlqen pjesa e vjetër e qytetit, por Bakuja është një qytet për t’u zbuluar.

Është një qytet që të ofron gjithçka. Një miks kulturash ndërmjet modernes dhe të shkuarës. Mund të gjesh gjithç- ka. Kur kam ardhur në Baku, jo çdo gjë ishte si sot. Ishte një qytet në ndërtim e sipër dhe unë kam përjetuar çdo fazë të ndërtimit të tij”, thotë Agolli. Ndërsa shoku i tij i skuadrës, Maksim Medvjedev, shton për ishmbrojtësin e Tiranës:

“Unë e njoh Ansin prej 8 vitesh, por miqësia jonë është forcuar sidomos vitet e fundit. Ne ndajmë të njëjtën dhomë. Që në fillim na tregoi se është një profesionist i vërtetë”. Agolli është një figurë e dashur edhe për tifozët. “Ansi është i vetmi lojtar në historinë e Karabakut, të cilit i kemi dedikuar një koreografi të dedikuar.

Ansi është special”, thotë njëri prej tyre. Sot në ndeshjen e fundit të skuadrës në Baku, vjen Konte. Pas 4 javëve të para, azerët kanë grumbulluar 2 pikë (dy barazime 0-0 ndaj Atletikos). Karabakut i duhet të fitojë për të mbajtur gjallë shpresat e një kualifikimi të mundshëm, por me realiste janë shanset për të vijuar rrugëtimin e tyre në Ligën e Europës.

Por, çfarë thotë Agolli për këtë sfidë: “Është një kompeticion mjaft i vështirë për çdo skuadër, jo më për ne që jemi debutues. Këtë e vuajtëm në ndeshjen e parë. Bëmë një paraqitje të mirë ndaj Romës në jav- ën e dytë, pavarësisht se pësuam dy gola të shpejtë. Por, më pas ishim edhe pranë barazimit.

Të marrësh dy pikë ndaj një ekipi si Atletiko që këto vitet e fundit ka shkuar edhe në finale dhe ka një buxhet shumë më të madh se tonin, është diçka mjaft pozitive për skuadrën si financiarisht ashtu edhe sportivisht. Ndihet atmosfera me Çelsin. Situata është e krahasueshme me kualifikimin e Shqipërisë në Europian. Çelsi është një skuadër shumë e fortë. Shpresojmë të hyjmë me këmbën e duhur. Gjithçka do jetë e hapur. E dimë forcën e tyre, por është një ndeshje futbolli dhe duke qenë e tillë, gjithçka është e mundur”.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"