Futbolli nis agjërimin, lojtarët e devotshëm

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Korrik 21, 2012 | 14:54

Futbolli nis agjërimin, lojtarët e devotshëm

Futbolli nis agjërimin. Muaji i shenjtë i Ramazanit në mesin e besimtarëve myslimanë, që në Shqipëri janë të shumtë, ka prekur edhe futbollistët. Një numër i madh lojtarësh në kampionatin tonë të besimit mysliman janë tepër të devotshëm ndaj fesë së tyre, e kësisoj agjërojnë. Megjithëse hasin vështirësi, sidomos në ditët kur kanë ndeshje, ata nuk tuten, përkundrazi. Ka edhe nga ata që kjo periudhë i bënë më të fortë, sidomos ata që kanë vite që agjërojnë, si Ilion Lika, Bekim Kuli, Eleando Pema, apo Enkel Alikaj. Por, ka edhe nga ata që nuk e kanë përballuar dot, e kësisoj kanë zgjedhur që të agjërojnë vetëm në ditët e shënuara, si Çaushaj e Bakiu. Të qëndrosh pa ngrënë dhe pa pirë në pjesën më të madhe të ditës, ka ndikim të pashmangshëm te një futbollist. Si arrijnë ata që të mbajnë agjërim, duke mos ndikuar edhe në kërkesat e mëdha që përcjell karriera e tyre si profesionistë dhe si i adaptohet sporti nevojave të tyre gjatë Ramazanit? Përgjigjen për këtë e japin vetëm protagonistët, pra futbollistët. Agjërimi konsiderohet i dobishëm në aspektin shpirtëror, po ashtu edhe në atë shëndetësor. Kjo madje është e shpjeguar edhe shkencërisht. Dr. Alexis Carrel, i cili në vitin 1940 ka marrë çmimin “Nobel” në Mjekësi, në librin e tij “L’homme, cet inconu” (Njeriu, ky i panjohur), ndër të tjera thotë se gjatë agjërimit harxhohen dhjamërat dhe lëndët e tepërta të depozituara në trup, e më pas këto zëvendësohen me të reja, duke mundësuar kështu një ripërtëritje në trup. Dobitë e tjera të agjërimit janë edhe psikologjike, ku gjatë agjërimit trupi ka një periudhë pushimi të plotë, nga e cila përfiton në mënyrë të shpejtë. Agjërimi ndihmon në lehtësimin e sëmundjeve, si artriti, koliti, astma, alergjitë e ndryshme dhe largon lodhjen, duke ulur kalimin e pjesëzave të vogla të patretura mirë nga zorrët në enët e gjakut. Këtë na e rrëfejnë vetë lojtarët që agjërojnë, ose kanë agjëruar. Ata tregojnë edhe marrëdhëniet me klubin, apo trajnerët, të cilët përgjithësisht janë treguar të kuptueshëm, duke zhvilluar përgatitje të posaçme për këta lojtarë.

Lika: Trajneri na mbështet, ndryshoi menjëherë axhendën
Jo gjithnjë mund të gjesh mirëkuptimin e trajnerit, por te Tirana spanjolli Hulian Rubio në këtë drejtim nuk ka probleme. Dje ka hyrë muaji i Ramazanit dhe tekniku ka reaguar menjëherë, duke spostuar orarin e stërvitjes që t’u shkojë përshtat 6 lojtarëve të tij që agjërojnë. Një prej tyre është edhe kapiteni i sapoemëruar, Ilion Lika, i cili prej vitesh falet dhe agjëron. “Për një futbollist nuk është e lehtë që të agjërojë e të stërvitet por, duke qenë se unë kam që prej moshës 19-vjeçare që e bëj një gjë të tillë, jam mësuar. Sigurisht që edhe ne, në momentin që ka një ndeshje respektojmë klubin, trajnerin dhe tifozët, por në ditë të zakonshme as nuk na kanë penguar. Madje trajneri Rubio, me hyrjen e këtij muaji, ndryshoi menjëherë stërvitjen, që të na e bëjë më të lehtë. Për këtë e falënderojmë pa masë, pasi ne si besimtarë e kemi të vështirë që ta lëmë fenë pas dore”, – deklaroi portieri i Tiranës.

Kuli: Futbolli dhe paratë s’janë asgjë përpara Zotit
Bekim Kuli nuk e ka nisur ende agjërimin dhe kjo si pasojë e Ligës së Kampionëve. Skënderbeu pret të zhvillojë ndeshjen e kthimit me Debrecenin, e kësisoj vëmendja është spostuar veçse te kundërshtari. Mirëpo, mesfushori i korçarëve deklaron se vetëm pas kësaj sfide do ta nisë agjërimin. Për të futbolli dhe paratë nuk janë asgjë përpara Zotit dhe besimit të tij. “Fuqia që na ka dhënë i madhi Zot është e pakrahasueshme me futbollin dhe anën materiale, pra fitimit që ne nxjerrim. E ndaj nuk mund të kushtëzoj besimin tim, duke mos agjëruar në këtë muaj të shenjtë për ne besimtarët myslimanë. E lehtë nuk është për një futbollist që të stërvitet, të luajë dhe të agjërojë. Mungesa e ujit ndihet më tepër, sidomos në këto ditë të nxehta të verës, çka bën që trupi të bie dhe fuqitë rrjedhimisht. Mirëpo, kjo është një sakrificë që ne e bëjmë pa kushte. Do shpresonin vetëm në mirëkuptimin e drejtuesve dhe trajnerit. Jemi katër lojtarë në Korçë që duam të agjërojmë, si Allmuça, Vrapi e Vucaj, përfshi këtu edhe veten. E për pasojë pas ndeshjes me Debrecenin do t’i bëjmë një kërkesë trajnerit Levi. Ai është i huaj, por besoj se do të tregohet i kuptueshëm ndaj besimit tonë, sikundër ne bëjmë ndaj të tjerëve. Në rast se nuk do të bëjë tolerime, atëherë edhe ne do t’i drejtohemi klubit, pasi për ne është vërtetë i rëndësishëm ky muaj. Nuk kërkojmë shumë, thjesht që të stërvitemi pasditeve”, – shpjegoi futbollisti kavajas i Skënderbeut.

Çaushaj dhe Bakiu: Nuk agjërojmë, s’e përballojmë
Besojnë në Zot dhe përpiqen që të zbatojnë rregullat e fesë së tyre, e kjo demonstrohet lehtë edhe nga kjo foto, në të cilën festojnë si besimtarë të devotshëm myslimanë. Mirëpo, agjërimi për ta në këtë periudhë të nxehtë të verës është i pamundur. Ilirjan Çaushaj dhe Endri Bakiu, ndonëse zbatojnë ritet e fesë së tyre, e kanë të pamundur që të agjërojnë gjatë muajit të Ramazanit, përveçse në ditët e shënuara. Sulmuesi përmetar tregon se nuk e përballon dot, ndaj ka marrë këtë vendim: “Besoj në Zot dhe madje kam agjëruar, mirëpo për momentin s’e përballoj dot. Ndaj mora këtë vendim. Zhvillojmë nga dy seanca në ditë dhe kjo është e lodhshme, mungesa e ujit dhe ushqimit në ditë të nxehta ndikon negativisht tek unë”. I të njëjtit mendim është edhe sulmuesi tjetër, Bakiu. Ai sqaron se agjëron në ditë të veçanta, pasi më shumë nuk e përballon dot. “Unë nuk agjëroj. Jam besimtar, shkoj në xhami, por më shumë nuk bëj dot. Nuk do jepja dot më të mirën në fushë nëse do agjëroja”, – sqaron ai.

Pema: E vështirë, por për mua feja është mbi gjithçka
Njihet nga të gjithë si besimtar mysliman, madje ai zbaton me korrektësi të gjitha rregullat e fesë, duke filluar nga falja në xhami e për të përfunduar tek agjërimi në muajin e shenjtë të Ramazanit. Flasim për sulmuesin Eleandro Pema, i cili i kontaktuar nga gazeta nuk ka nguruar që të rrëfejë marrëdhënien e tij me futbollin dhe fenë. Agjërimi nuk e kushtëzon në asnjë moment në karrierë, madje e bën shumë më të fortë. “E vështirë nuk është, ndonëse ka momente që mund të ketë komplikacione. Rastet kur unë si futbollist kushtëzohem janë kur kam ndeshje, apo kur zhvillojmë dy seanca në ditë. Mirëpo, në këtë muaj edhe trajnerët e drejtuesit e klubit tregohen të kuptueshëm, duke na krijuar lehtësime. Ndjehet nevoja e ujit apo e të ushqyerit, por në momentin që stërvitemi pasdite e kemi shumë më të lehtë, pasi pas seancës hamë iftarin. Sakrifica e vetme është në ditën e ndeshjes, ku unë sigurisht nuk agjëroj. Megjithatë, unë ndiej veçse përfitime, pasi edhe me mjekësi është e vërtetuar që agjërimi i bën mirë trupit të njeriut”, – shpjegoi Pema, duke treguar ditët e tij në muajin e Ramazanit.

Alikaj: S’ndiej kurrfarë vështirësie, jam mësuar
Ka nga ata që janë mësuar tashmë me agjërimin, kjo kushtëzuar nga vitet e shumta që kanë. Një ndër këta lojtarë është edhe mesfushori që e mbylli këtë sezon te Kastrioti, Enkel Alikaj. Ashtu si të tjerët, edhe ai njihet si një besimtar tepër i rregullt mysliman. Alikaj ia del mbanë edhe të stërvitet, edhe të agjërojë, ndonëse si shokët, edhe ai mendon se në ditë ndeshjesh dhe kur zhvillohen dy seanca në ditë, bëhet e pamundur. “Unë kam vite që agjëroj dhe për mua është e zakonshme tashmë, nuk ndiej ndonjë pengesë në aktivitetin tim si futbollist. Stërvitem dhe zbatoj rregullat e fesë sime, ndonëse kur muaji i Ramazanit është në verë, është më e vështirë se në muajt e tjerë. Kur ka ndeshje nuk agjëroj, por edhe kur janë dy seanca në ditë nuk është e lehtë. Agjërimi veç sakrificës, ka edhe benefite, pasi të mirat që i jep fizikut të një njeriu janë të shumta”, – tha Alikaj.
ADELA MERKO






www.minuta90.com