Ademir Soza: Dua kombëtaren shqiptare

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Prill 28, 2013 | 13:56

Ademir Soza: Dua kombëtaren shqiptare

souzaMbrojtësi brazilian i Skënderbeut, Ademir Soza, nuk ka mënyrë se si ta shprehë gëzimin e titullit. Në një bisedë për “Panorama Sport”, ai flet për ndjesinë si kampion, jetën në “qytetin e serenatave”, ambientimin te Skënderbeu dhe kontratën. Braziliani nuk ka rinovuar ende, pasi pret menaxherin e tij, por në rrëfimin që bën nuk e ka fshehur dëshirën për të rinovuar edhe një sezon me këtë skuadër, për të cilën shprehet entuziast për atë çfarë ka dhënë deri më tani. “Ishte vërtet bukur të shpallesha kampion i Shqipërisë me Skënderbeun. Dhe kjo pa dyshim do të mbetet gjatë në memorien time si futbollist. Ishte shumë e bukur tek shikoje ata mijëra tifozë se si festonin dhe sa të gëzuar ishin për fitimin e titullit kampion. Dua të them që gëzimi i tyre u pasqyrua edhe tek unë, pasi është titulli i parë personal, gjë që më bën të ndihem krenar. Jam mjaft i kënaqur se si po shkojnë gjërat te Skënderbeu. Shokët e ekipit më kanë ndihmuar shumë që të ambientohem në fushë dhe më kanë qëndruar afër gjatë gjithë kohës. Po ashtu, edhe në qytet të gjithë më përshëndesin dhe më flasin me shumë dashamirësi. Po kaloj një vit vërtet të mirë këtu në Korçë. Madje, për të qenë i sinqertë nuk ma merrte mendja se do të shkonin kështu. Kam mbetur i surprizuar nga respekti që korçarët tregojnë ndaj meje. Ndihem shumë i lumtur në këtë qytet dhe në këtë ekip. Ia kam bërë të qartë në fakt edhe presidentit Takaj, por edhe menaxherit tim Mario Cenolli, të cilit i kam kërkuar të qëndroj të paktën edhe një vit te Skënderbeu për të dhënë maksimumin tim. Shpresoj që menaxheri im në Brazil të bjerë dakord me presidentin dhe me menaxherin tim këtu për të firmosur qëndrimin tim te bardhekuqtë. Kam shumë dëshirë të vazhdoj të paktën edhe një vit. Megjithatë, gjithçka do të varet nga bisedimet mes palëve”, – është shprehur Ademir Soza.
Ëndrra – Duke vijuar më tej, mbrojtësi i Skënderbeut bën me dije edhe ëndrrën e tij për të ardhmen. Ai i ka mahnitur të gjithë kur ka deklaruar se do t’i pëlqente të bëhej pjesë e Kombëtares shqiptare të futbollit. “Sigurisht që ëndrra e çdo futbollisti është të luajë me përfaqësuesen. Ajo është edhe kulmi i karrierës së një futbollisti profesionist. Veçse për të qenë pjesë e Kombëtares së Brazilit është e pamundur, pasi futbollistët cilësorë në Brazil janë të shumtë dhe kjo e bën akoma më të vështirë një pjesëmarrje të mundshme. Megjithatë këtë kapitull nuk e quaj të mbyllur këtu, sepse kam parë shumë futbollistë që bëjnë natyralizimin në një kombësi tjetër. Do të ishte me të vërtetë një ëndërr e bukur për mua nëse do ndodhte diçka e tillë për të më çuar afër Kombëtares shqiptare. Është një mundësi reale, por që kërkon shumë bisedime. Gjithsesi, unë jam i lirë të ëndërroj. Do isha vërtet i lumtur nëse diçka e tillë do realizohej”, – ka përfunduar mbrojtësi i Skënderbeut, Soza.

Kampionët e Shqipërisë kanë festuar deri në orët e para të mëngjesit fitimin e titullit. Edhe pse dje ata kanë pasur një seancë stërvitore, kjo nuk i ka penguar që të shijonin festimet për titullin e tretë kampion radhazi. Nuk ka pasur një festë të organizuar, siç në fakt mendohej, pasi kjo është lënë kur sezoni të mbyllet përfundimisht pas ndeshjes ndaj Kukësit. Mirëpo, lojtarët e Skënderbeut kanë ditur ta kthejnë mbrëmjen e djeshme në festë për titullin, dikush në shoqërinë e miqve, ndërsa të tjerë e kanë ndarë këtë gëzim me familjarët e tyre. Megjithëse të ndarë në grupe, secili e ka festuar në mënyra të ndryshme deri pas mesnate. Kështu, për kapitenin Shkëmbi, Erbim Fagu dhe Orges Shehi festa ka qenë ndryshe. Ata kanë preferuar një lokal larg zhurmës së qendrës, duke shijuar nga një gotë verë. Në fakt, atmosfera e festimit të titullit ndihej prej kohësh në ambientet e klubit bardhekuq, por tashmë që titulli është zyrtarisht i Skënderbeut, edhe festa është legjitime dhe e drejtë për kampionët. Sidoqoftë, festimet nuk kanë mbaruar këtu. Ato pritet të vazhdojnë edhe ditën e sotme, teksa destinacioni i radhës është kryeqyteti. Pasi kanë mbaruar seancën stërvitore të radhës, ekipi duke përfituar edhe nga dita pushim e së dielës të lënë nga numri një i pankinës, Mirel Josa, kanë preferuar të nisen (disa prej futbollistëve) drejt Tiranës për të vazhduar festën e titullit. Përveç disa prej lojtarëve kryeqytetas, edhe një pjesë tjetër e ekipit janë nisur drejt metroplit për të vazhduar festimet.
Tifozët Ashtu sikurse edhe futbollistët, të cilët e kanë lënë festën e madhe javën e fundit të kampionatit, të njëjtën gjë kanë bërë edhe tifozët bardhekuq. Pritet që një megafestë, e cila do të pushtojë rrugët e qytetit, të bëhet pas ndeshjes kundër Kukësit, një festë e ngjashme me atë të vjetshmen, ku u pushtuan rrugët e qytetit me banderola dhe tifozë duke e ngrirë kështu qarkullimin për rreth një orë. Menjëherë pas përfundimit të takimit, ultrasit korçarë kanë dalë me brohoritje në rrugët e qytetit, por vetëm kaq, pasi përgatitjet për një festë gjigande janë programuar një ditë pasi ekipi të kthehet nga transferta me kuksianët.

Sot pushim, në mesjavë ndeshje miqësore
Dita e sotme është lënë pushim për korçarët. Ndërkaq, nga sa mësohet, i gjithë kontingjenti bardhekuq do të vihet nën urdhrat e trajnerit Mirel Josa ditën e hënë, kur dhe do të startojnë përgatitjet për ndeshjen e fundjavës që do ta zhvillojnë kundër Luftëtarit. Ndërkaq, këtë mesjavë ekipi korçar do të niset drejt shtetit fqinj, Greqisë, për të zhvilluar një miqësore. Kësisoj, të mërkurën do të përballet me ekipin e Kastoriasë. Korçarët ndihen të qetë tashmë pas fitimit të titullit të tretë radhazi 3 javë para përfundimit të këtij edicioni futbollistik.

Skënderbeu, priten 3 goditje të mëdha
Para fillimit të ndeshjes paraeliminatore të Ligës së Kampionëve, pritet që klubi bardhekuq të bëjë tri goditje të mëdha në merkaton e verës. Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe vetë numri një i presidencës së Skënderbeut, Ardian Takaj, por pa dhënë sqarime për emrat e lojtarëve, pasi sipas tij mund të çekuilibrojë skuadrat që janë ende në garë. Megjithatë, nga sa mësohet, korçarët do të afrojnë një qendërmbrojtës, një mesfushor të majtë, si dhe një sulmues. Gjithsesi, ashtu siç edhe ka deklaruar presidenti, do të ndërtojnë një skuadër konkurruese jo vetëm për të ecur sa më gjatë në Champions, por edhe për sezonin e ardhshëm futbollistik.
LLAZI SARO






www.minuta90.com