ZYRTARE/ Transferim surprizë në merkaton e verës, Tirana prezanton kapitenin që e nisi te Partizani: Është emocion i veçantë
Erando Karabeci është zyrtarisht lojtar i Tiranës. 36-vjeçari rikthehet te bardheblutë pasi kishte mbetur pa ekip.

Karriera e Karabecit nisi te Partizani, ndërsa te Tirana u zhvendos më pas për të kaluar periudhën më të gjatë në karrierë. Tashmë afrohet si një ish-kapiten që do të ndihmojë me eksperiencën e tij.
Njoftimi i Tiranës:
Mirësevjen sërish në shtëpi, Erando Karabeci! KF Tirana njofton se mesfushori tiranas rikthehet aty ku filloi gjithçka, për të veshur edhe një herë fanellën që ka mbajtur me krenari për më shumë se një dekadë. Me mbi 275 ndeshje zyrtare me Tiranën, si edhe disa trofe të fituar, Karabeci është jo vetëm një veteran, por një simbol i përkushtimit dhe i shpirtit bardheblu.
Pas eksperiencave të tij të fundit, ai rikthehet për të mbyllur karrierën aty ku e nisi, në shtëpi, pranë tifozëve që e kanë përkrahur gjithmonë dhe klubit që i dha emër. Me përvojën e tij të pasur, ai do të ketë një rol të dyfishtë në skuadër: si lojtar aktiv në fushë dhe si një udhëheqës për brezin e ri të futbollistëve që po rriten brenda klubit. Mirësevjen në shtëpi, Erando! Tani është koha për të shkruar faqen e fundit të një kapitulli të paharrueshëm, me fanellën bardheblu.
Mesazh nga Erando Karabeci:
“Tirana nuk ka qenë kurrë thjesht një klub për mua, ka qenë shtëpia ime, familja ime, dhe pjesë e shpirtit tim. Është emocion i veçantë të rikthehem këtu për të përmbyllur një udhëtim që e kam jetuar me zemër. Vij me dëshirën për të dhënë gjithçka edhe në këtë fazë të fundit të karrierës sime, por edhe për të ndihmuar të rinjtë që po rriten në këtë klub me traditë. Tifozëve bardheblu, ju falënderoj nga zemra për dashurinë e përjetshme.” – Erando Karabeci
PANORAMASPORT.AL













