Xhaferi poston foto nga stërvitja e Kombëtares, tifozi e ngacmon: Kthehu se po na merr Vllazninë Bashkia
Kombëtarja shqiptare e futbollit do të luajë pa tifozë ndeshjen e saj ndaj Serbisë në Leskovac. Por ashtu siç është rregullorja, FSHF i lejohet të krijojë një delegacion me numra të reduktuar personash që mund të ndjekin ndeshjen në tribunën VIP, në zonën që i rezervohet asaj.

Dhe pjesë e këtij delegacioni në Serbi, është bërë edhe presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi. Ai ka udhëtuar me skuadrën dhe sot ka ndjekur edhe stërvitjen e fundit që kuqezinjtë kanë zhvilluar në stadiumin në Leskovac.
Ai ka postuar një foto përkrah ish-futbollistit të njohur të Vllaznisë dhe Kombëtares shqiptare, Fatbardh Jera, aktualisht pjesë e Komiteti Ekzekutiv të FSHF-së. “Historia shkruhet nga ne”, ishte mesazhi i Xhaferit për ndjekësit.
Megjithatë, një prej tyre nuk ka ngurruar ta thumbojë numrin 1 të klubit shkodran. “Hajde ma Alban n’shpi, se po ma perfundon Vllaznia me Bashki prap”. Ngacmonte ai duke kujtuar përplasjet e pak kohëve më parë të Xhaferit me drejtuesit e qeverisë lokale në Shkodër për çështjen e stadiumit.
“Flej n’ujë”, ishte përgjigj apo me humor e presidenti të klubit shkodran në këtë shkëmbim batutash.

PANORAMASPORT.AL













