Vllaznia-Egnatia, dueli vendimtar për titullin kampion. Janë të vetmet ekipe që kanë në dorë fatin e tyre

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 18, 2026 | 22:53

Vllaznia-Egnatia, dueli vendimtar për titullin kampion. Janë të vetmet ekipe që kanë në dorë fatin e tyre

“Final Four” ka luajtur dy ndeshjet e para të saj dhe që tani është e qartë se si mund të jetë rrugëtimi për skuadrat pjesëmarrëse në garën për trofeun e kampionit. Dhe një nga ndeshjet e radhës, është ajo më përcaktuese për ecurinë e mëtejshme të aktivitetit.

VLLAZNIA-EGNATIA

Java e dytë rezervon përballjet Elbasani-Dinamo dhe Vllaznia-Egnatia, me këtë të dytën që ka praktikisht në dorë fatin e të gjithë aktivitetit, pasi dy ekipet që vihen përballë njëra-tjetrës, janë të vetmet që kanë në dorë fatin e tyre.

Si Vllaznia, ashtu edhe Egnatia, e kanë të qartë se nëse fitojnë dy ndeshjet që u kanë mbetur, shpallen kampion, sido që të përfundojnë takimet e tjera. Një “luks” që nuk e kanë Elbasani me Dinamon, të cilat varen në mënyrë direkte nga ajo që do të bëjnë ekipet e tjera.

Verdheblutë, edhe nëse i fitojnë të dy takimet, janë në varësi të asaj që bën Egnatia, që ka bilancin në ndeshjet direkte më të mirë. Ndërsa për blutë, situata është edhe më e komplikuar pasi varet praktikisht nga cilado prej ekipeve të tjera.

Kësisoj, dueli i të shtunës mes Vllaznisë dhe Egnatias, mund të jetë përcaktues në fatin e titullit në mënyra nga më të ndryshmet, si ndeshja e vetme që ndikon direkt në rrugën drejt trofeut.

PANORAMASPORT.AL